Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, e ka mirëpritur sot, Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, në vizitën e tij të parë në Kosovë, në rolin e tij aktual, raporton gazeta online Reporteri.net.
Derisa O’Brien fillimisht ka vizituar Ambasadën Amerikane, Hovenier ka thënë se do të zhvillojnë biseda për çështjet kyçe bilaterale, e në kuadër të takimit, do ta ritheksojnë edhe përkushtimin e ShBA-së ndaj Kosovës.
“Kënaqësi për të mirëpritur Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, James O’Brien për vizitën e tij të parë në Kosovë në rolin e tij aktual. Presim me padurim që të zhvillojmë biseda me zyrtarët kosovarë për çështjet kyçe bilaterale dhe ta ritheksojmë përkushtimin e SHBA-së ndaj popullit të Kosovës”, ka potencuar Hovenier, thuhet në postimin e Ambasadës.
O’Brien e viziton Kosovën një ditë pasi që ka qëndruar në Serbi.
Tashmë ndihmëssekretari amerikan ka arritur në Qeveri, ku do të pritet në takim nga kryeministri Albin Kurti. /Reporteri.net/.