×
  • Lajme
  • Lajme

    Vizita e Thaçit në shtëpinë e Haxhi Shalës, Kushtetuesja ndërpret shqyrtimin e ankesës së Vetëvendosjes

    Reporteri
    10 Shkurt 2021 | 17:32

    Gjykata Kushtetuese ka vendosur që të ndërpritet procedura e shqyrtimit të kërkesës së Fitore Pacollit dhe 29 deputetëve të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vlerësimin e kushtetueshmërisë së “vizitës së Presidentit të Republikës së Kosovës më 3 qershor 2020 në shtëpinë/banesën private të deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës“.


    Në vendimin e Kushtetueses Kolegji shqyrtues ka propozuar që në pajtim me paragrafin 6 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 44 dhe 45 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 59 dhe 75.5 të Rregullores së punës, të ndërpritet procedura e shqyrtimit të kërkesës së parashtruesve.

    Vendimi i Gjykatës Kushtetuese:

    Lënda: KO 103/20
    Parashtrues: Fitore Pacolli dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës

    Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së, “vizitës së Presidentit të Republikës së Kosovës më 3 qershor 2020 në shtëpinë/banesën private të deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës“. Në kërkesën e tyre, parashtruesit pretendonin që duke përdorur mekanizma jokushtetues, Presidenti ka kryer shkelje serioze të Kushtetutës, në veçanti të nenit 83 [Statusi i Presidentit], të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit], paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 14, të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] në lidhje me paragrafin 3, të nenit 7 [Vlerat], të nenit 65 [Kompetenca e Kuvendit], paragrafi 8, dhe të nenit 16 [Epërsia e Kushtetutës] të Kushtetutës së Republikës. Parashtruesit gjithashtu kërkuan që Gjykata të mbajë një seancë dëgjimore publike përkitazi me këtë rast.

    Kërkesa bazohej në paragrafin 6 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara], të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës], 44 [Saktësimi i kërkesës] dhe 45 [Afatet] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, dhe në rregullat 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] dhe 75 [Kërkesa në pajtim me nenin 113.6 të Kushtetutës dhe me nenet 44 dhe 45 të Ligjit] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

    – Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me paragrafin 6 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 44 dhe 45 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 59 dhe 75.5 të Rregullores së punës, të ndërpritet procedura e shqyrtimit të kërkesës së parashtruesve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!