×
  • Lajme
  • Lajme

    Vjosa Osmani: Koha që Evropa të hapë dyert për shtetin më pro-evropian në botë

    Reporteri
    09 Maj 2021 | 14:10

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën e Evropës, ka thënë se ka ardhur koha që kjo e fundit të hapë dyert për shtetin më pro-evropian në botë.


    Osmani nëpërmjet një postimi në Facebook tha se sot Evropa feston paqen dhe unitetin në të gjithë kontinentin e vjetër.

    “Për Kosovën, sikurse edhe për shumë shtete evropiane, shumë kohë para nesh, çmimi i arritjes së paqes ka qenë i lartë. Prandaj kjo është arsyeja pse ne duhet të punojmë shumë që jo vetëm t`i ruajmë, por edhe t`i forcojmë këto vlera të arritura me shumë mund”, shkroi ajo.

    Postimi i saj i plotë:

    Koha që Evropa të hapë dyert për shtetin më pro-evropian në botë

    Sot Evropa feston paqen dhe unitetin në të gjithë kontinentin e vjetër. Për Kosovën, sikurse edhe për shumë shtete evropiane, shumë kohë para nesh, çmimi i arritjes së paqes ka qenë i lartë. Prandaj kjo është arsyeja pse ne duhet të punojmë shumë që jo vetëm t`i ruajmë, por edhe t`i forcojmë këto vlera të arritura me shumë mund.

    Ne jemi një vend paqedashës dhe qartë me orientim pro-evropian. Ndaj aspirojmë dhe po punojmë drejtë anëtarësimit në Bashkimin Evropian, të cilën gjë do ta bëjmë me dinjitet dhe në interesin e qytetarëve, në rend të parë.

    Tradicionalisht në këtë ditë, institucionet e BE-së i hapin dyert e tyre për publikun. Ka ardhur koha që ato t`i hapin dyert e tyre për Kosovën.

    Besueshmëria e BE-së dhe e institucioneve të saj varet nga mbajtja e fjalës në lidhje me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Kosova, ndërkaq, duhet të bëjë përgatitjet e nevojshme për aplikim për status të shtetit kandidat në momentin e volitshëm.

    Ne të gjithë duam një Evropë të suksesshme, të përparuar dhe në të cilën sundon paqja! Ne kemi mbrojtur vlerat civilizuese evropiane edhe në mesjetë, duke përcaktuar një herë e përgjithmonë orientimin tonë strategjik. Ne nuk luajmë me dy karta, ndërmjet lindjes e perëndimit. Integrimi në strukturat euro-atlantike është përcaktimi ynë i përhershëm.

    Prandaj, le të punojmë me shtetet e tjera evropiane, sepse si një ndër popujt më të vjetër të kontinetit, BE-ja është shtëpi e jona!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!