×
  • Lajme
  • Lajme

    Vjosa Osmani tha se mund të kthehet në LDK, reagon Isa Mustafa: Dikujt mund t’i bie ndërmend të bëhet edhe mbretëreshë

    Reporteri
    05 Janar 2021 | 10:54

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka ironizuar me deklaratën e Vjosa Osmanit, pasi kjo e fundit u deklarua për një kthim të mundshëm në LDK nëse nga kjo parti do të largohej kryesia aktuale.


    Lideri i LDK-së, Isa Mustafa në një deklaratë për Telegrafin, ka thënë se dikujt mund t’i bie ndërmend të bëhet edhe mbretëreshë e Mbretërisë së Bashkuar.

    “Nuk e shoh të arsyeshme të komentoj, çfarë kujt i bie ndërmend të deklarojë. Mund t’i bie ndërmend dikujt nga ne të bëhet edhe mbretëreshë e Mbretërisë së Bashkuar, në qoftë së tërhiqet Elizabeta”, ka thënë Mustafa.

    Ndërkohë, u.d e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani tash e një kohë ka kundërshtuar lidershipin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e në veçanti kreun e kësaj partie, Isa Mustafa.

    Osmani në një deklaratë të dhënë mbrëmë në debatin “Kallxo Pernime”, ka thënë se njerëzit e LDK-së që besojnë në vlera mund t’i bashkohen iniciativës së saj të re.

    “Njerëzve të LDK-së që besojnë që vlera dhe potenciali i tyre nuk lejojnë që votat dhe besimi i tyre me u keqpërdor e kanë derën të hapur. Secili në LDK duhet ta ketë parasysh që a duam të jenë pjesë e një koncepti politik që e keqpërdor deri në masën më ekstreme besimin e votuesve. “Le të largohet kryesia e re e LDK-së, e le të vijnë të flasim për mundësinë e kthimit në LDK”, ka thënë ajo.

    Ndryshe, LDK kishte shkarkuar Vjosa Osmanin nga pozita e nënkryetares dhe e kryesisë së këtij subjekti politik, në qershor të vitit të kaluar. Përplasjet kishin filluar pasi Osmani kishte shprehur publikisht pakënaqësitë e saja lidhur me prishjen e koalicionit mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

    Gjithashtu, Osmani kishte kundërshtuar edhe formimin e Qeverisë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në koalicion me AAK dhe Nismën Socialdemokrate.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!