Policia në Prishtinë ka arrestuar tre persona të dyshuar për rastin e një vjedhjeje të rëndë, si dhe një tjetër për përdorim të paautorizuar të armëve.
Tre persona janë arrestuar pasi që dyshohet se të njëjtit kanë vjedhur gjësende me vlerë prej 70 mijë eurove në një market në lagjen Veternik të Prishtinës në muajin e kaluar.
Këtë e ka konfirmuar për Reporteri.net Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, e cila ka thënë se tre persona janë përfshire në këtë vjedhje ndërkaq personi i katërt është arrestuar për posedim të paautorizuar të armëve.
“Nga hetuesit policor të Njësitit të Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, sot janë arrestuar katër persona të dyshuar. Për tre nga ta ekziston dyshimi i arsyeshëm të jenë të përfshirë në një rast të vjedhjes së rëndë ndërsa i katërti është arrestuar për posedim të paautorizuar të armëve. Rasti i vjedhjes ka ndodhur me datën 06.10.2020 në lagjen Veternik në Prishtinë, saktësisht në një market, ku janë vjedhur gjësende në vlerë rreth 70.000 euro”, ka deklaruar Ahmeti për Reporteri.net.
Të arrestuarit për vjedhje të rëndë janë F.A., i lindur në vitin 2000, B.A., i lindur më 1995, M.G., i lindur në vitin 1996, ndërkaq H.A. i lindur më 1972 është arrestuar për posedim të paautorizuar të armëve. mashkull (1972).
Ahmti ka thënë se që të gjithë janë dërguar në mbajtje përderisa ka bërë të ditur se policia është në kërkim edhe të një personi tjetër.
“Pas arrestimit me autorizim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërkohë që hetuesit policor po punojnë në kapjen e personit të tjetër të dyshuar, i cili është identifikuar nga ana e policisë dhe aktualisht ndodhet në arrati. Hetuesit policor në kuadër të këtij aksioni, kanë kryer tri bastisje në tri lokacione të ndryshme dhe në njërin prej tyre kanë gjetur dhe sekuestruar katër armë zjarri”, tregoi Ahmeti.
Aktualisht për procedim të mëtejmë të rastit, hetuesit policor janë duke punuar në koordinim me prokurorinë përkatëse. /Reporteri.net/.