×
  • Lajme
  • Lajme

    Vrasja e 23-vjeçarit në Mitrovicë, flasin nga Prokuroria: Personat e dyshuar në arrati, ende nuk dihen motivet

    Reporteri
    13 Shkurt 2021 | 12:33

    M.K është 23-vjeçari nga Mitrovica që u qëllua për vdekje mbrëmë në vendin e tij të punës.


    Sipas njoftimit të policisë dy persona kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të 3 personave të tjerë, e ku si pasojë e plagëve të marra një prej tyre ka ndërruar jetë.

    Lidhur me rastin, për Gazetën Online “Reporteri.net” ka folur zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.

    Ai ka thënë se nuk dihen arsyet e vrasjes, ndërsa të dyshuarit ende nuk janë arrestuar.

    “Mund të konfirmojmë që pas të shtënave me armë zjarri në rrugën ‘Bislim Bajgora’ (afër ETC), një person i gjinisë mashkullore ka mbetur i vrarë, ndërkaq dy persona tjerë të plagosur janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Trupi i personit të vrarë me urdhër të prokurorit është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Për momentin nuk dihen motivet e këtij rasti, Prokuroria Themelore e Mitrovicës në koordinim me policinë janë duke e hetuar këtë ngjarje”, ka thënë Preteni për Reporteri.net.

    Ndërsa zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, mbrëmë konfirmoi për Reporterin vrasjen e 23-vjeçarit.

    “Sonte rreth orës 22:20, policia ka marrë informacion për të shtëna me arme zjarri në rrugën ‘Bislim Bajgora’ në Mitrovicë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes. Bazuar në të dhënat fillestare, nga arma e zjarrit janë plagosur tre persona, si pasojë njëri nga te plagosurit i moshës 23 vjeçare ka vdekur, vdekjen e të cilit e ka konstatuar mjeku, ndërsa dy të plagosurit tjerë janë dërguar në QKUK për trajtim te mëtejmë mjekësor”, tha Zahiti.

    Jepi zë raporton se 23 vjeçari u bë aksidentalisht viktimë pasi caku ishte diku tjetër.

    Siç raportohet, dyshohet se dorasi kishte në shënjestër pronarin e një picerie, por plumbi goditi 23-vjeçarin.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!