×
  • Lajme
  • -->
    Lajme

    Vrasja e mbrëmshme në Prishtinë, policia: Ndodhi pas një përleshje mes dy grupeve, në kërkim dy persona

    Reporteri
    27 Mars 2024 | 10:48

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në Prishtinë në rrugën “Jeronim De Rada” ku si pasojë një person ka mbetur i vdekur, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, thuhet se rasti ka ndodhur si pasojë e konfrontimit të dy grupeve, ku më pas dhe janë përdorur armët.

    Nga ky rast poashtu policia bën të ditur se ka mbetur e plagosur edhe një grua, dhe se lidhur me rastin dy persona janë në kërkim nga policia.

    “Prishtinë 26.03.2024-21:20. Dyshohet se pas një konfrontimi në mes të dy grupeve ka ardhur deri tek gjuajtja me armë zjarri, ku si pasojë një mashkull kosovar ka vdekur, ndërsa një femër kosovare është plagosur dhe e njëjta është dërguar në QKUK. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njesitet përkatëse policore. Lidhur me rastin dy të dyshuar meshkuj kosovarë janë në kërkim policor. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë dërgohet në IML. Rasti nën procedura hetimore”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

    Në anën tjetër, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë për Gazetën Online Reporteri.net të plagosur kanë mbetur edhe tre persona, njëri prej tyre në gjendje më të rëndë shëndetësore.

    Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gëzhoja, veturë e prova të tjera materiale. Të dyshuarit ende nuk janë kapur dhe po kryhen hetime në drejtim të identifikimit të tyre.

    “Lidhur me rastin e vrasjes së rëndë, ju njoftojmë se prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe bashkë me njësitë relevante kanë ndërmarrë veprime hetimore në vendin e ngjarjes. Sipas hetimeve preliminare dyshohet se nga të shtënat me armë zjarri është vrarë një person, ndërsa tre persona të tjerë janë plagosur dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ku njëri prej tyre e ka gjendjen me të rëndë shëndetësore. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gëzhoja, veturë e prova të tjera materiale të cilat do të shërbejnë në procedurën penale.

    Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, derisa në koordinim me policinë po zhvillohen hetime për arrestimin e të dyshuarve dhe sigurimit të prezencës së të njëjtëve në procedurën penale”, ka thënë për Reporteri.net zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.

    Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:15 në rrugën “Jeronim De Rada”, gjersa fillimisht u njoftua për një të plagosur.

    Sipas raportimeve në media, gruaja e plagosur është një kalimtare e rastit, informacione këto që ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht. /Reporteri.net/

    Vrasja në Prishtinë, Prokuroria jep detaje të reja: Të plagosur kanë mbetur edhe tre persona, një në gjendje më të rëndë

    Shpërndaje:
    -->
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!