×
  • Lajme
  • Lajme / Gjykimi

    Vrasja e vjehrrit, flet gruaja jashtëmartesore e të akuzuarit, tregon si u godit babai i saj

    Reporteri
    29 Maj 2025 | 17:04

    Ajsel Kosova, dëshmitare në gjykimin që po mbahet për vrasjen e babait të saj, Ali Kosova, ka folur sot para trupit gjykues, ku si i dyshuar për këtë rast është Edon Bujupi.

    Ajseli, pohoi se ishte bashkëshorte jashtëmartesore e të akuzuarit Bujupi. Ajo tha se babai i saj e kishte dashur të akuzuarin Bujupin.

    “Baba jem Edonin shumë e ka dashtë, shumë u bajke marakë dhe derisa më tha ‘a po shkojmë në Polici me lajmru se u zhduk’”, deklaroi dëshmitarja.

    Paraprakisht, Kosova tregoi se kohëve të fundit kishte pasur disa probleme me të akuzuarin Bujupi dhe se për këtë arsye ishte larguar për disa ditë në banesën e babait të saj. Ajo shtoi se për një periudhë kohore nuk kishte pasur kontakt me Bujupin, dhe për këtë arsye e kishte paraqitur rastin në Polici si person i zhdukur. Pas disa ditësh, Bujupi ishte lajmëruar dhe rasti ishte mbyllur.

    Dëshmitarja tha se në lidhje me këtë zhdukje, nëna dhe vëllai i saj kishin ushtruar presion ndaj saj për të kërkuar sqarime nga Bujupi dhe kishin insistuar në një takim me të, me qëllim që t’u tregonte arsyet e zhdukjes. Sipas Kosovës, Bujupi kishte refuzuar të takohej me familjen e saj, duke i thënë asaj se “nuk i interesojnë problemet e familjes së Kosovës”.

    Kosova rrëfeu edhe për një incident të ndodhur para vrasjes, ku kishte pasur një përplasje fizike mes babait të saj dhe Bujupit. Sipas saj, përplasja kishte ndodhur pasi babai i saj i kishte thënë Bujupit se do ta merrte vajzën dhe djalin e saj të vogël në banesën e tij, për shkak të mungesës së kontaktit dhe mosdhënies së sqarimeve.

    Sipas dëshmitares, pas kësaj deklarate, Bujupi ishte tensionuar dhe kishte filluar përleshja fizike. Ajo tha se i kishte kërkuar babait të saj që të mos e lajmëronte rastin në Polici, duke u zotuar se do ta sqaronte vetë me burrin e saj.

    Megjithatë, sipas saj, situata nuk kishte përfunduar me kaq. Pasi kishte përcjellë babain në banesën e tij, Kosova tha se vëllai i saj kishte arritur te dera e banesës së tyre dhe ishte futur brenda me nxitim. Ajo rrëfeu se kishte parë Bujupin me një thikë kuzhine në dorë, e cila, sipas saj, nuk ishte marrë nga dollapët e kuzhinës, por kishte qenë më herët jashtë tyre.

    Sipas saj, vëllai kishte tentuar ta godiste Bujupin me grusht, ndërsa ky i fundit i ishte drejtuar me thikë. Në ato çaste kishte hyrë edhe babai i saj në banesë. Gjatë përleshjes, sipas Kosovës, Bujupi e kishte goditur të ndjerin me thikë.

    “Ka hy baba jem në banesë, jemi mundu me ndal të dy vllahun, vllau dorën e djathtë e ka çu nalt me godit Edonin dhe baba im me dorën e majt ja ka nal dorën vllaut dhe qato momente e ka therr babën tem tri here me thikë”, deklaroi dëshmitarja Kosova.

    Ajo theksoi se ngjarja kishte ndodhur në praninë e djalit të saj të vogël dhe se, sipas saj, nuk kishte qenë qëllimi i Bujupit që ta privonte nga jeta babanë e saj.

    “Jo s’muj me than qe po kalu tepër mirë”, tha Kosova.

    I akuzuari Edon Bujupi, gjatë kësaj seance, i shprehu ngushëllime dëshmitares Kosova dhe i kërkoi falje asaj përmes avokatit të tij, kërkim-falje që dëshmitarja e pranoi.Më pas gjykimi i ndërpre nga kryetarja e trupit gjykues.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë e datës 21 tetor 2024 thuhet se Edon Bujupi me datë 29 nëntor 2023 rreth orës 21:15 në banesën e tij në rrugën Ali Vitija pas një mosmarrëveshje në mes të pandehurit Edon Bujupi miqve të tij (babait dhe vëllaut të gruas) kanë filluar përleshjen mes vete ku gjatë përleshjes fizike në mes tyre, me dashje që ta privoj nga jeta, i pandehuri Edon godet me armë të ftohtë -thikë e cila kishte gjatësinë e tehut 19 centimetra në regjionin e mjatë të krahrorit tani të ndjerit Ali Kosova, i cili si pasojë e plagëve të shkaktuara ka ndërruar jetë në SHSKUK.

    Me këtë Bujupi sipas aktakuzës thuhet se ka kryer veprën penale “Vrasje” nga nenin 172 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!