Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, po e quan budallaki, një komunikatë të lëshuar nga shtetet e QUINT-it rreth mbarëvajtjes së zgjedhjeve në katër komunat me shumicë serbe në veri të Republikës së Kosovës.
Sipas tij, konstatimi i tyre se ato kishin shkuar në rregull, është një zbulim.
“Dua t’i përgëzojë ata për këtë zbulim. Unë nuk kam lexuar asnjëherë në jetën time një budallaki të tillë’, ka thënë kreu i shtetit serb, shkruan tanjug.
“Çfarë kuptimi ka kjo”, tha Vuçiq, ka shtuar tutje ai.
Ndryshe, ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, dolën dje me një komunikatë të përbashkët në lidhje me zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës.
Ambasadat e shteteve të Quintit rikujtojnë gjetjet e misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (EOM) të vitit 2017, që shprehën shqetësime serioze për frikësime në shumë zona të serbëve në Kosovë, sidomos kundër partive politike që garuan kundër Listës Serbe.
“Këto defekte, si dhe kërkesat për të përditësuar listat e votuesve dhe për të qartësuar procedurat, mbeten të pa adresuara dhe kanë si rezultat konkurrencën dhe pjesëmarrjen e kufizuar politike, prandaj ngritin pyetje lidhur me procesin e përgjithshëm demokratik në ato zona”, thuhet në deklaratë.
Përfaqësuesit e këtyre ambasadave apelojnë të gjithë akterët relevantë, përfshirë institucionet dhe partitë politike përgjatë gjithë spektrit, që të adresojnë urgjentisht këto defekte duke zbatuar rekomandimet e EOM-it.
“Inkurajojmë qytetarët dhe shoqërinë civile që t’i mbajnë partitë përgjegjëse për përkushtimin që partitë kanë shprehur përmes deklaratës së përbashkët në Kuvendin e Kosovës në prill të vitit 2019 për forcimin e procesit zgjedhor. Ata që janë zgjedhur tani duhet të angazhohen për të përfaqësuar interesat e gjitha bashkësive në komunat e tyre”, thuhet në deklaratën e përbashkët të vendeve të Quintit.