×
  • Lajme
  • Lajme

    Vuçiq: Heqja e barrikadave do të nisë mëngjesin e së enjtes

    Reporteri
    28 Dhjetor 2022 | 23:53
    Aleksandar Vuçiç, President i Serbisë

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, tha heqja e barrikadave në veri të Kosovës do të nisë mëngjesin e së enjtes.

    “Për 24 orë apo 48 orë do të hiqen barrikadat”, tha ai.

    Ai tha paraprakisht, se janë dhënë garanci se kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin.

    Vuçiq, mbrëmjen e 28 dhjetorit në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën, zhvilloi bisedimet me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova për heqjen e barrikadave.

    Foto nga takimi në Rashkë

    Në takim, ai tha se Dejan Pantiqi ka mbërritur në shtëpi dhe se kjo është një “fitore simbolike”.

    Arrestimi i ish-policit serb, në të cilin Kosova dyshon se ka sulmuar anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka qenë arsyeja e barrikadave që përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës vendosën që nga 10 dhjetori.

    Lirimi i tij është një nga kushtet për heqjen e bllokadave dhe më 28 dhjetor autoritetet në Kosovë ndryshuan masën e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

    Vuçiq tha se kërkesa e tyre e dytë ishte që “njerëzit që ishin në barrikada të mos ndiqen penalisht”.

    “Këtë e kemi të shkruar në letër, padyshim”, theksoi ai. /REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!