Gjenerali amerikan Wesley Clark thotë se është krenar që e udhëhoqi fushatën e sulmeve të NATO-s, e cila ka zgjatur 11 javë, për të ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë, që pasoi me çlirimin e Kosovës.
Clark tha se Serbia duhet ta pranojë të ardhmen pa Kosovën.
Clark në intervistë për “ABC News” shtoi se Serbia duhet ta pranojë Kosovën dhe ta vijojë të ardhmen me pranimin e këtij fakti.
“Nuk më pëlqen të shoh tensione. Të gjithë diplomatët kanë thënë se po punojnë por shpresën që të ketë një zgjedhje, por Serbia duhet t’i njohë faktet dhe faktet janë që ka pasur krime, vrasje në Kosovë gjatë qeverisjes së Millosheviqit. Ka pasur spastrim etnik si në Bosnje dhe në Kosovë pasi njerëzit janë sulmuar, vrarë, dhe nuk mund të kthehen dhe të jetojnë në paqe shumë thjesht me njëri-tjetrin. Serbia duhet ta pranojë Kosovën, ta pranojë të ardhmen pa Kosovën. Pse të mos kenë marrëdhënie të mira, turizëm dhe tregti me njëri-tjetrin. Të ndalojnë sulmet, e shkuara ka mbaruar.“, shtoi ai.
Clark u shpreh se presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump do të marrë vendime të duhura, në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Nuk kam ndonjë mesazh specifik. Unë jam këtu për të parë zhvillimin ekonomik. Shqipëria po bën shumë mirë me zhvillimin ekonomik, Kosova mund të bëjë më shumë. Të ndihmojnë këto rajone të kenë më shumë prosperitet. Unë mendoj se është një periudhë tranzicioni. Senatori Marco Rubio do bëjë atë që duhet të bëjë. Shumica në zgjedhje, tashmë ai është president i zgjedhur dhe do të marrë vendimet e duhura për këtë rajon”, theksoi ai.
Clark vlerësoi përparimin e rajonit të Ballkanit.
“Jam shumë i gëzuar që ishim të suksesshëm në sjelljen e paqes dhe demokracisë në Kosovë. Ishte një grup i madh njerëzish përveç nesh, që ishin pjesë e këtij operacioni, grup i madh pune sepse pamë një krim të madh dhe padrejtësi që po kryhej. Ishte çnjerëzore dhe ne donim që të ndalonte, që njerëzit në rajon të kishin paqe dhe siguri. Për këtë arsye 25 vjet më pas rajoni ka qenë përgjithësisht në paqe. Jam krenar për njerëzit në këtë rajon që kanë bërë këtë punë të jashtëzakonshme”, u shpreh gjenerali.
Clark ka udhëhequr fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe më 1999.