×
  • Lajme
  • Lajme

    INTERVISTË | Xhavit Haliti: Nuk i hatërohem Kryetarit pse nuk jam pjesë e kryesisë së re, në zgjedhjet lokale nuk duhet të thirremi në të kaluarën e PDK-së

    Reporteri
    05 Gusht 2021 | 20:00

    Autor: Besfort Veseli


    Për mbledhjen e Këshillit drejtues të PDK-së, ku u zgjodh kryesia e re e kësaj partie, ka folur në një intervistë për Gazetën Online ‘Reporteri.net’, deputeti Xhavit Haliti. 


    Thotë se edhe pse mbetet jashtë kësaj kryesie nuk hatërohet me kryetarin Memli Krasniqi, pasi që sipas Xhavit Halilit që 45 vite është pjesë e kryesive.

    Tutje, në intervistën për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti se nuk po e lufton nepotizmin dhe korrupsionin. Sipas tij, këtu nuk ka luftë kundër këtyre fenomeneve, teksa shtoi se Qeveria po bën fushatë elektorale.

    Haliti tha se Kurti ka filluar spastrimin e administratës nga njerëzit e PDK-së dhe LDK-së.

    Mes tjerash, deputeti i PDK-së tha se kryediplomatja kosovare nuk ka kurrfarë rëndësie në Qeveri, pasi sipas tij, i vetmi faktor në këtë institucion është Albin Kurti.

    Tutje, Haliti deklaroi se nuk pret ndonjë rezultat nga dialogu Kosovë-Serbi. Megjithatë ai ka shtuar se Kurti është i detyruar që t’i nënshtrohet Dialogut, pasi, siç thotë ai, ‘Kosova ka nevojë të bashkëpunojë me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një marrëveshje mes dy vendeve’.

    Lexoni të plotë intervistën me deputetin e PDK-së, Xhavit Haliti, dhënë për Gazetën Online “Reporteri.net”.

    REPORTERI.net: A keni pasur ftesë nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, për t’u bërë pjesë e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës?

    Xhavit Haliti: Mbledhja e kryesisë do të shkojë si çdo mbledhje tjetër. Unë jam anëtar i Këshillit Drejtues, prej Kryesisë kam dhënë dorëheqje. E kemi një proces të përgatitur për ta ndryshuar, deputetët që janë mos të zgjedhën në Kryesi. Kryesia do të merret me ndërtimin e partisë, politikave të partisë kurse GP ta zhvillojë betejën me Kuvendit. Jo nuk kam ftesë nga Krasniqi, nëse respektohet vendimi, unë nuk pres ftesë pasi kompetencat janë të Krasniqit sipas statutit, që ta zgjedhë ekipin që dëshiron ai të punojë. Pastaj, llogaria është në strukturat e partisë. Nuk është problem i imi, nuk kam ndonjë dëshirë të madhe që jam në kryesi, kam 45 vite që jam anëtar i kryesive.

    Si i keni parë emrat e rinj në kryesinë e re të PDK-së?

    Kushdo që vjen është i mirëseardhur. PDK-ja është e hapur për të gjithë, s’jemi të mbyllur për njerëz që s’kanë kaluar të keqe, për njerëz të aftë politikisht dhe njerëz që e duan PDK-në. Nëse ata janë dakord me programin e PDK-së dhe do ta zbatojnë statutin e PDK-së, janë të mirëseardhur dhe të përballen me kandidatët e tyre politikisht, atëherë janë të mirëseardhur, nuk ka asgjë të keqe për partinë.

    A të mbetet hatri se nuk jeni pjesë e kryesisë së re? 

    Nuk është problemi i hatrit nëse më fton për anëtarë të kryesisë zotëri (Memli) Krasniqi apo jo. Vendimi duhet të zbatohet nga të gjithë, nëse nga njëri shkelet, mund të ketë hatër-mbetje nga dikush. Edhe nëse jam apo jo në kryesi, jam në organin vendimmarrës në parti, bëj kontributin dhe betejën time politike aty. Jam deputet që mund të kontribuoj më shumë për çështjet politike që ngritën në Kuvend. Kontributi im do të jetë në Pejë për ta ndihmuar Astrit Ademaj për zgjedhjet lokale.

    A do të ketë sukses PDK-ja në zgjedhjet lokale?

    Ne jemi përpjekur që të identifikojmë njerëzit më të mirë të garojnë, do të varet nga angazhimi, integriteti dhe besimi që do të krijojmë si parti si dhe kandidatët. Prishtina e ka kandidatin, Gjakova, Skenderaji dhe të gjitha qytetet e kanë kandidatin e vet. Beteja e kandidatëve duhet të jetë e fokusuar te qytetarët dhe jo te historia. S’ka nevojë me u thirrë në historinë e PDK-së, në të kaluarën, por oferta që duhet të bëhet prej kryetarëve ndaj qytetarëve është shumë me rendësi. Ata kanë përgjegjësi para qytetarëve dhe para partisë për fitoren ose humbjen.

    Si e keni parë betejën mes Bekim Jasharit dhe Sami Lushtakut në Skenderaj për zgjedhje lokale?

    Janë përplasje normale në politikë. Tani ne e kemi nxjerrë kandidatin, s’duhet të them pa ndonjë sondazh të besueshëm se kush është më i mirë. E mira do të ishte me qenë ose njëri ose tjetri, të ishin kandidat të PDK-së. Ata e kanë zgjedhur rrugën e tyre të dytë, Samia për të kandiduar, Saminë e ka mbështetur PDK-së, Bekimi ka një autoritet të padiskutueshëm si person dhe si familje. Nuk e di nëse do të kandidojë si i pavarur apo me ndonjë parti tjetër. Nuk e di a ka drejtë (Samiu) të kandidojë, unë kam biseduar në mbledhjen e partisë me të, mesa e di unë nuk ka pengesa, s’mund të abuzoj me deklarata sigurie për atë çështje.

    Si e keni parë që Qeveria ka hequr masën anti-dumping për bllokat serbe?

    Tani është vendim i Qeverisë, ata kanë besuar, le të japin llogari para opinionit dhe Kuvendit. Ata kanë besuar që është i mirë ose i keq. Nëse vlerësohet se është mirë i mbështes, ata duhet t’i mbrojnë interesat e vendit dhe qytetarëve. S’jam politikan që reagoj për gjithçka negative, nëse vlerësohet që është gabim, unë do ta them që është gabim. S’jam si disa që rroken pas fjalëve, si dhe iu përmbahem rregullave.

    Si e vlerësoni vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës për pezullimin e tiketave ngjitëse?

    Ata për tiketat ngjitëse u tërhoqën. Ato tiketat pse i shtyp dikush e të shkojnë në favor të individëve, unë nuk jam dakord. Pse provon individi një taksë për me ngjit në makinë, unë mendoj që ajo taksë duhej të prodhohej dhe përpunohej nga Qeveria. Profiti, nëse do të quhej profit, do të shkonte në xhepin e Kosovës. Kemi pasur dhe do të ketë prapë situata të tilla, kanë ndodhë edhe përpara, privati i bën shërbimet që duhet t’i bëjë shteti.

    Si e shihni vendimin e Presidentes Osmani e cila e ka dekretuar Ligjin për Automjetet, ku edhe përfundimisht hiqet homologimi i veturave të importuara

    Unë kam thënë edhe atëherë dhe tash që homologimi ka qenë gabim për veturat që vinë nga Evropa dhe Amerika. Veturave duhet t’iu bëhet kontrolle teknike nëse janë më të vjetra se 10 vite. S’duhej të paguante doganë një makinë e re që vjen në Kosovë. Unë nuk dua të them vendim i mirë apo i keq, këta e kanë marrë vendimin për interesa tjera, kanë menduar që Devollët janë kompani e PDK-së dhe e kanë ndihmuar PDK-në dhe LDK-në, pra për inate, pra për inate politike.

    Si e shini qasjen e kryeministrit Kurti në dialogun Kosovë-Serbi?

    Kryeministrat janë arrogantë, sepse dinë më shumë se të tjerët, të tjerët kanë të drejtë të dyshojnë. Ajo me libra që ia ka dhuruar Vuçiqit është hajgare, pse a e ka mërzitur Vuçiqin me ato libra? Kjo s’është politikë, është kot dhe një një veprim politik adoleshent, jo e duhur. Ajo është politikë e një adoleshenti politik. Mendoj që kryeministri duhet të iniciojë politika shtetërore që kanë të bëjnë me këtë çështje. Ne s’jemi faktorë që ndoshta vendosim se çfarë dëshirojmë.

    Kosova është storie e përbashkët e Kosovarëve dhe ndërkombëtarëve që kanë ndikuar që të bëhet e pavarur. Kosovës i duhet një politikë shtetërore që të ketë një orientim. Secila Qeveri të mund të jetë, nëse s’ka politikë shtetërore në planin e marrëdhënieve me Serbinë apo Malin e Zi, ne mund të bisedojmë 10 vjet, e të tregojmë se jemi të fort, por ne s’jemi të fortë. Ne jemi të obliguar që të bashkëpunojmë me ShBA-në dhe BE-në, si dhe të punojmë së bashku që të ecim përpara.

    Kryeministri e ka zgjedhur rrugën e tij, është politikë e tij. Si politikan, e kisha këshilluar, si një koleg në Kuvend, që ai të mendoj se cilat janë politikat shtetërore që duhet t’i bëjë dhe a mundet që këto politika t’i ndërtojë për këto çështje bashkë edhe me opozitën dhe të arrijmë në përfundim që të ketë pika të kuqe për secilën, dhe kushdo që del jashtë kësaj, reperkusione politike edhe në të ardhmen edhe për momentin. Unë nuk pres ndonjë rezultat në Dialog, unë do të pres që Albini do të vazhdojë me këtë politik deri pas zgjedhjeve lokale, më pas ndoshta do të ketë presion më të madh nga ndërkombëtarët që t’i nënshtrohet dialogut. Deshi, s’deshi, ai duhet të nënshtrohet. Kosova ka nevojë për Dialogë, ne duhet të zgjedhim rrugë edhe për bashkësinë ndërkombëtare edhe për Rajonin, ne duhet ta gjejmë një zgjedhje, por jo të bëjmë lëshim sa i përket pavarësisë dhe integritetit të Kosovës.

    Ai [Kurti] duhet t’i bind qytetarët dhe parlamentin, jo me fjalët e tij por me politikat shtetërore dhe 120 deputetë që duhet me u deklaru rreth asaj platforme dhe duhet me i dhënë kryeministrit mbështetje për platformën shtetërore. Nëse ai nuk e bën, në çdo variant, do të ketë mundësi që të abuzohet si tradhtar, si i shitur te rusët, te serbët apo grekët, ashtu sikur na akuzonin neve të shitur andej apo këndej. Sa herë ta thërrasin në dialog, ai duhet me shku. Mua më intereson si e quajnë Lajçak dhe Borrel dialogun sesa Albini. Albini nuk është faktor me ndryshu kahjen e politikave evropiane. Politikat evropiane do të ndryshojnë qëndrimet politike të Albinit, edhe timen. Politikat evropiane dhe të Amerikës nuk do të jenë të dëmshme për Kosovën.

    A duhet të zbatohet Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe?

    Asociacioni është nënshkruar nga presidenti i Kosovës dhe nga kryeministri. Nëse janë zgjedhur dhe nënshkruar dhe kemi një vendim të Kushtetueses ku janë shkelur disa pika të kësaj marrëveshje, duhet t’i kemi parasysh ato. Duke pasur mundësi që të debatojmë dhe të diskutojmë, t’i eliminojmë ato. Ajo është marrëveshje ndërkombëtare dhe në emër të shtetit. Të dyja palët nuk po i respektojnë marrëveshjet që i kanë nënshkruar bashkë, për të ardhur në pikën për t’i zbatuar marrëveshjet, duhet të diskutojmë dhe ta arsyetojmë mirë se pse s’duhet të jetë Asociacioni me kompetenca ekzekutive dhe ta arsyetojmë mirë në bazë mundësive që kemi për t’i bindur ndërkombëtarët se çfarë do të thotë asociacioni me kompetenca ekzekutive brenda territorit të Kosovës. Do të thoja është situatë që e sjellë Kosovën në pozicionin e njëjtë që e ka Bosnjë-Hercegovinë. Ne s’duhet të kemi palë, duhet të kemi një Qeveri dhe një Parlament dhe jo të pranojmë diçka tjetër që e rrezikon integritetin dhe sovranitetin e Kosovës.

    Si i vlerësoni gjendjen e COVID-19 në Kosovë, pas fillimit të vaksinimit të qytetarëve?

    Vaksinat që janë marrë në Kosovë kanë ndikuar pozitivisht. Delta është tepër i rrezikshëm për shkak të përhapjes së infektimit. Është çështje për rrezik për qytetarët e Kosovës dhe në Evropë. Ne kemi një vaksinim me dy doza, mirëpo duhet t’i dëgjojmë protokollet që i nxjerr Bashkimi Evropian. ShBA do t’i shpërndajnë 200 milionë vaksina në vendet që kanë nevojë, të shohim. Edhe ne, si vend jemi vonuar, është vonuar Qeveria shumë për të filluar procesi i vaksinimit. Të gjitha Qeveritë janë vonuar, kur është në pyetje shëndeti publik, nuk duhet të shohim a po të jep dikush lëmoshë apo jo. Po të ishin marrë masat më shpejt për vaksinim, ndoshta do të kishin shpëtuar personat që kanë vdekur në atë periudhë. Duhet të përgatitemi në vjeshtë për shkak të këtij virusi të rrezikshëm.

    A po e lufton Qeveria Kurti nepotizmin dhe korrupsionin?

    Parlamenti është i tillë që duhet diskutuar për të gjitha çështjet që janë në interes të publikut. Nuk e di për të tjerët, nepotizmi është fenomen negativ, nëse ka nepotizëm. Kjo s’do të thotë që njerëzit që kanë lidhje me ta nuk duhet të punojnë apo të hanë. Të gjithë duhet të punojnë. Janë rregullat që e përcaktojnë se çka është nepotizmi e nëse shkelet kjo, atëherë mendoj se është vepër penale. Opozita duhet ta ngritë këtë çështje nëse ka shkelje, për atë punë është Opozita. Jam kundër nepotizmit, jam kundër korrupsionit politik, jam kundër dhe për luftë kundër korrupsionit. Nuk e kemi mohuar që ka pasur korrupsion.

    Nuk e di se çka ka bërë Albini që ta luftojë korrupsionin e administratës së vetë, nëse mendon se do ta luftojë korrupsionin me rregullat që kanë qenë, për shembull për dhënien e tenderëve apo se si merren vendimet nga Agjencitë e Pavarura, apo mënyra se si zgjidhet një anëtar apo kryetar i Kushtetueses apo cilat janë rregulluat, duhet thelluar në këto probleme me qëllim që të krijojmë një pamundësi për t’u korruptuar dikush. S’ka luftë kundër korrupsionit, këtu ka fushatë elektorale, shembull i kemi disa arrestime që janë bërë në Pejë. E kanë arrestuar me kamera 50 policë të njësisë speciale një grua të sëmurë, e kanë çuar në Komunë, për të përçuar një mesazh se ne e luftojmë korrupsionin, e pastaj Gjykata ka thënë se s’ka korrupsion.

    Ai [Kurti] ka filluar spastrimin e administratës nga njerëzit e PDK-së dhe LDK-së, mund të ketë njerëz që mund të jenë të korruptuar apo jo, nëse ka argumente është që të shkarkohet e të shkojë në burg secili që bën krim të organizuar, jo vetëm në shtëpi, për veprën X që e ka bërë. Nëse administrata e shtetit ndërtohet për të vjedhur, atëherë rreziku është i madh që të ketë ndërhyrje tjera të FBI apo strukturave evropiane, për ta luftuar korrupsionin, sikur që e kanë detyruar Shqipërinë.

    A do ta përfundojë sipas jush mandatin e plotë Qeveria Kurti 2?

    Mandati i Qeverisë është një problem në vete. Janë dy mundësi, mundësia e parë është që kjo Qeveri të vetëshkarkohet, sikur që e kemi bërë ne 2-3 herë, për arsye që ata mendojnë, si dhe mundësia e dytë, të shkarkohet nga Opozita. Nëse shembull ka veprime të jashtëligjshme duhet të shkarkohet. Ndërkombëtarët nuk kanë mundësi ta shkarkojnë, por mund ta bllokojnë duke mos kontaktuar apo diçka dhe kështu fillon rënia. Por, takimet me bashkësinë ndërkombëtare janë gjithmonë të mirëseardhura dhe të mirëpritura.

    A është dashur të shkarkohet ministrja e punëve të jashtme, Donika Gërvalla, për akuzat ndaj saj, kohë më parë, nga partia juaj dhe opozita?

    Rregullat për ta shkarkuar janë me kushtetutë dhe rregullore. Administrativisht nëse nuk kemi vota për ta shkarkuar Qeverinë, mund ta shkarkojë atë [Gërvallën] vetëm kryeministri, tjetër askush. Unë nuk e kam kërkuar dorëheqjen e saj, askush s’mund të akuzohet për veprimet që i ka bërë para se të bëhet ministre, pasi e ka bërë në rrethana të ndryshme. Nga koha kur e ka marrë mandatin, duhet t’i mblidhen sukseset dhe mos-sukseset. Ne jemi vend i vogël dhe pozita e ministrit të punëve të jashtme është e kotë, pasi politikat e shtetit i bën kryeministri. Kurrfarë faktori s’është ajo, faktor është Albin Kurti dhe askush tjetër në këtë Qeveri. Albini e ka bërë ministre dhe ai po e mban pasi ai ka një marrëveshje koalicioni. Ne nuk kemi bërë asnjë mocion mos-besimi ndaj saj në Kuvend. Sikur të kishte bërë PDK-ja mocion mos-besimi ndaj ministres së Punëve të Jashtme, do ta mbështesja ose s’do ta mbështesja, ose do të shkarkohej ose jo në Kuvend.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!