×
  • Lajme
  • Lajme

    Zëdhënësi i Speciales që kritikoi avokatët e ish-krerëve të UÇK-së për vonesat, nuk përgjigjet në pyetjet e gazetarit rreth pohimeve të tij

    Reporteri
    12 Mars 2024 | 14:33

    Javën e kaluar, zëdhënësi i Gjykatës Speciale kishte kritikuar, në mesin e të tjerëve, edhe ekipet mbrojtëse të krerëve të UÇK-së për vonesat që sipas tij po i shkaktojnë ata në gjyqin kundër “katërshes së madhe” të UÇK-së.’

    Disa ditë pas, portali “lajmi.net” raporton se i është drejtuar me disa pyetje, përgjigjet e të cilave nuk u dhanë nga zëdhënësi i Speciales.

    Pyetjet e mediumit: “Kur kritikoni, a e keni në mendje që është përgjegjësi e prokurorisë administrimi i lëndës dhe jo i mbrojtjes?”, “Çfarë mund të ju thoni ju qytetarëve të Kosovës që për gati 3 vjet nuk keni filluar as gjykimin?”, “A keni një evidencë sa për qind e kërkesave të prokurorisë janë mbështetur nga gjyqtari i procedurës paraprake dhe paneli dhe sa nga ato të mbrojtjes. Sepse nga materialet që publikohen, shihet qartë që është prokuroria ajo që përherë favorizohet?”.

    Përgjigja që dha Doyle: “Unë nuk thashë se gjykata i kritikoi palët, por më tepër se trupi gjykues më 21 shkurt hulumtoi me palët mënyra se si ta bënte procedurën më efikase në dritën e afatit kohor të prillit 2025 të treguar nga Prokuroria për përfundimin e saj si dhe për rastin dhe numrin aktual të dëshmitarëve që janë marrë në pyetje deri më tani.

    Në veçanti, u diskutua thjeshtimi i çështjes së Prokurorisë dhe Kryetari i trupit gjykues i dha Prokurorisë afat që deri më 21 maj për të dalë me një vlerësim të ri, të reduktuar të numrit të dëshmitarëve të mbetur për t’u thirrur. U diskutuan edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me përmirësimin e efikasitetit të çështjes, duke përfshirë rendin e dëshmitarëve të thirrur nga Prokuroria, kohën e parashikuar për marrjen në pyetje të dëshmitarëve nga ekipet e mbrojtjes dhe mundësinë e seancave të rregullta për të diskutuar ecurinë e rast.

    Ekzistenca e një sallë gjyqi nuk është diskutuar si pengesë për procedura efikase. Nëse shikoni kalendarin gjyqësor të seancave të planifikuara, do të shihni se ka hapësirë për të caktuar seanca të mëtejshme nëse është e nevojshme. Në të vërtetë, javën e kaluar Trupi Gjykues caktoi disa seanca të reja për vitin 2024.

    Gjyqtarët e Dhomave të Specializuara të Kosovës janë të përkushtuar që gjykimet t’i zhvillojnë në mënyrë të shpejtë, duke garantuar të drejtat e gjykimit të drejtë të të akuzuarve dhe mbrojtjen e dëshmitarëve. Për shembull, në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve, Trupi Gjykues vazhdimisht ka lëshuar urdhra me qëllim të organizimit të dëshmive të dëshmitarëve dhe paraqitjes së provave sa më efikase“.

    Ndryshe, kanë kaluar mbi 3 vjet prej që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi u arrestuan nga Specialja. Prej atëherë, atyre u është refuzuar çdo kërkesë për lirim nga paraburgimi.

    Prokuroria kishte propozuar rreth 320 dëshmitarë dhe numrin e orëve që iu duhen për t’i përfunduar.

    Janë vetëm 47 dëshmitarë që kanë dalë në sallën e gjyqit deri më tani, dhe 80 % e tyre në seanca terësisht të mbyllura, me kërkesë të prokurorisë. Prokuroria ka paralajmëruar se do të reduktojë një numër të dëshmitarëve.

    Zëdhënësi Doyle ka thënë se gjyqtarët kanë kërkuar nga palët që t’i reduktojnë projeksionet, në mënyrë që gjykimi të arrihet drejt fundit, dikur kah prilli 2025./lajmi.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!