Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenksy në fjalën e tij hyrëse në Samitin që po mbahet në Tiranë ka falënderuar kryeministrin Edi Rama për mbështetjen që Shqipëria i ka bërë vendit të tij, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Zelensky theksoi para liderëve se Evropa nuk duhet të ketë dinjitete të ndryshme, ku dikush ka paqe e dikush tjetër vuan.
Presidenti ukrainas tha se regjimi i Putinit duhet të humbas dhe se gjithçka që ai bën është përpjekje që diktatet e vjetra të vendosin se çfarë duhet të bëjnë kombet.
“Falënderoj Ramën për mbështetjen tuja personale dhe kombëtare. Është hera e dytë që takohemi në një format të tillë, i pari në Athinë. Vlerësoj mikpritjen dhe mundësinë për të diskutuar si mund të fuqizojmë të gjithë Europën. Tani po përcaktohet rrugëtimi që do ndjekë Europa në brezat e ardhshëm”.
“Nuk duhet të ketë Evropë me dinjitete të ndryshme, ku dikush të ketë paqe dhe dikush vuan, ose kur dikush meriton integrimin në aleanca të ndryshme dhe dikush mbetet pas. Ne duhet të bashkëpunojmë, pasi besojmë që çdo komb në Evropë meriton integrimin e plotë. Ukraina mbështet vendet tuaja në rrugën e integrimit dhe ju është mirënjohëse për mbështetjen që ju po na jepni në integrimin tonë. Ne e meritojmë të jemi pjesë e komunitetit evorpian dhe euroatlantik”, tha presidenti ukrainas.
“Putini, gjithçka që ai bën është një përpjekje që diktatet e vjetra të vendosin se çfarë duhet të bëjnë kombet. E rëndësishme për shtetet tona të lira që regjimi i Putinit të humbasë”, tha Zelensky në Samitin për Ukrainës që po mbahet në Tiranë.
Fillimisht foli kryeministri Rama i cili tha se nuk duhet lënë Rusinë të fitoj, e Ukrainën të humbas – pasi një rezultat i tillë do të ishte i papërballueshëm.
“Nuk mund ta lëmë të ardhmen tonë peng të dëshirave të shfrenuara. Duhet të vazhdojmë të gjithë ne në Ballkanin Perëndimor të qëndrojmë së bashku të mobilizojmë të gjitha kapacitetet dhe burimet tona, të perforcojmë lidhjet tona. Ajo çka na bën bashkë, institucionet organicatat tona që forcon demokracitë tonë, të bëjmë gjithçka që mos ta lëmë agresionin të shpërblehet. Të rezistojmë në mënyrë të përbashkët. Ne nuk mundemi dhe nuk duhet ta lëmë Rusinë të fitoj, e Ukrainën të humbas. I tillë rezultat do të ishte i papërballueshëm. Do të ishte e ardhme shumë e errët, e dhimbshme për ta parafytyruar. Kjo luftë është edhe për lirinë e dinjitetin tonë. Shqipëria ka bërë atë çka mundet e do vazhdoj ta bëjë një gjë të tillë. Për shumë ato kombe të vogëla si ne, që nuk duan të kthehen në ushqim për oreksin imperialist të Rusisë, kemi nevojë për solidaritet të palëkundër me Ukrainën”, tha Rama./Reporteri.net/