Ish-ministri i Shëndetësisë, njëherësh deputet nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për mos-fokusim në pandeminë, si dhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për neglizhencë në parandalimin e transmetimit të koronavirusit.
Ai tha se nëse Kurti mendon se e ka fituar betejën me pandeminë, “nuk është në tokë të bukës”.
“Fillimisht thatë që e mundët pandeminë, pastaj thatë se do ta mundni! Cila është e vërteta juaj kryeministër? A besoni ende që e keni mundur pandeminë? Nëse po, atëherë nuk jeni n’tokë t’bukës. Nëse kthjellesh dhe e sheh situatën reale, fillon e beson që virusi është në mesin tonë”, shkroi ai në Facebook.
Postimi i plotë i Zemajt:
Kryeministër, krejt bota demokratike është në luftë për shëndet, ndërsa ju veç për pushtet!
Sot, 888 raste me Covid -19.
Kryeministër, iu kisha paralajmëruar se pandemia nuk është lojë. E thashë nga përvoja e jo nga dëshira se virusi ishte dhe është akoma në mesin tonë. Iu luta dhe po iu lutem sërish që të tentoni të punoni..Fillimisht thatë që e mundët pandeminë, pastaj thatë se do ta mundni! Cila është e vërteta juaj kryeministër? A besoni ende që e keni mundur pandeminë? Nëse po, atëherë nuk jeni n’tokë t’bukës. Nëse kthjellesh dhe e sheh situatën reale, fillon e beson që virusi është në mesin tonë. E rrjedhimisht, a mendon ende si dikur që ministri “mindil” është i duhuri për ta fituar këtë betejë? Nëse po, si është e mundur që i njëjti është duke u marrë me fushatë për zgjedhjet lokale dhe jo me pandeminë?
Kryeministër, mjaft i mashtruat qytetarët, mjaft!
Definohu kryeministër, pasi që “i duhuri”, veçse i ka braktisur qytetarët! Apo ke mashtruar se është i duhuri! Definohu kryeministër, sepse të duhurit nuk ikin nga beteja.
Qytetarët më nuk mund t’i mashtroni, harroni!