Pas dakordimit mbrëmë, me liderin e opozitës Memli Krasniqi, se vendi duhet të shkojë shpejtë në zgjedhje të reja, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur sërish i interesuar që të takohet edhe krerët e LDK-së e AAK-së. Këtë radhë për të diskutuar për datën e zgjedhjeve të reja. Ftesë për takim për çështjen e njëjtë, Abdixhikut dhe Haradinajt, të hënën u bëri edhe kryetari i PDK-së.
Pas një takimi rreth dy orësh me të parin e PDK-së, që Kurti e kishte thirrur fillimisht duke thënë se do të diskutohej për zbatimin e agjendës legjislative të Kuvendit, për çka LDK dhe AAK e refuzuan, në tavolinë, temë diskutimi u zbulua se kishte qenë çështja e zgjedhjeve të parakohshme.
Kurti tha se tha se zgjedhjet e ardhshme janë çështje muajsh dhe shprehi gatishmërinë që të diskutojë edhe me partitë tjera opozitare. Shefi ekzekutivit përmendi dy afate- pranverën dhe vjeshtën.
Në anën tjetër, edhe kreu PDK-së tha se tha se zgjedhje të reja duhet të ketë sa më parë. Ai u bëri thirrje partive opozitare Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që ta mbështesin nismën për shpërndarjen e Kuvendit në mënyrë që të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Derisa PDK-ja po kërkon një marrëveshje në mes të partive politike për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës, dy partitë tjera opozitare duket se nuk kanë qëndrim të njëjtë.
Por, Lidhja e Demokratike e Kosovës konsideron se fillimisht kryeministri Albin Kurti duhet të jep dorëheqje, e më pas të bëhet shpërbërja e Kuvendit të Kosovës.
Sipas kësaj partie, Kurti po e sheh opozitën si shpëtim individual, pas tri vjet e gjysmë pa ndonjë progres thelbësor.
Në deklaratën zyrtare të kësaj partie, thuhet se rendi është i atillë që data është e fundit, dhe se fokusi duhet të jetë te anëtarësimi i Kosovës në KiE, proces që sipas tyre kryeministri Kurti e ka rrezikuar rëndë.
Por, nga AAK e shohin se shpërbërja e Kuvendit mund të ndodh vetëm pas shkarkimit ose dorëheqjes së kryeministrit Kurti.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës Për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë madje se një ditë para se të vendoset para anëtarësimit të Kosovës në KiE, kryeministri Kurti po merret me zgjedhje për të mbuluar një “marre”.
“Shpërbërja e parlamentit mund të ndodhë vetën atëherë kur kryeministri shkarkohet ose dorëhiqet. Ne sot jemi në ditën kur në Strasburg ambasadorët diskutojnë a me hy Kosova a jo në agjendën për anëtarësim. Një ditë para se të vendoset para anëtarësimit të Kosovës ai merret me zgjedhje. Me të vetmen arsye me mbulu një marre”, tha Tahiri sot para mediave.
Në anën tjetër, edhe Time Kadrijaj nga po e njëjta parti thotë se Kurti po i bën këto “ekzbicione” duke qenë se ka dështuar, dhe siç thotë ajo “po dëshiron që fajësinë ta ndajë me partitë tjera”.
Në një prononcim për Gazetën Online Reporteri.net ka thënë se partia ku ajo bën pjesë nuk dëshiron që fajësinë e Kurtit dhe dështimet e tij, t’i marrin ata si parti.
Edhe Sipas saj, Kurti duhet të jep dorëheqje dhe qeveria të shkarkohet, e jo të shpërbëhet Kuvendi.
“Ftesa e z.Kurti ka qenë jo e sinqertë, ka pasur momentume më të rënda Kosova kur ka qenë tema e marrëveshjes të propozuar nga Franca dhe Gjermani, plani franko-gjerman dhe Kurti asnjëherë si ka ftuar partitë opozitare për krijimin e një konsensusi për të gjitha këto marrëveshje, edhe pse ju kanë ofruar gati të gjitha partitë politike. Po shohim që qeveri ka dështuar, ka pasur shumicën parlamentare dhe është sjell me arrogancën e numrave, dhe asnjëherë, asnjë iniciativë të opozitës nuk e ka përkrahur. Ne si AAK e kemi përkrahur dhe jemi deklaruar se do i votojmë marrëveshjet ndërkombëtare, edhe pse po akuzohemi nga shefja e grupit parlamentar të VV-së, ne kemi qëndruar dhe kemi deklaruar se do i votojm. Kjo qeveri i ka sjell dëme Kosovës, jemi vend nën sanksione. Ka protestuar për tokat e Manastirit të Deçanit, ndërsa tani i dhurojë për Këshillin e Evropës, pranoi marrëveshjen e Brukselit, e ka pranuar aneksin e Ohrit, e ka dërguar një letër zotimi se do e zbatojë një plotëni marrëveshjen. Tani po bën këto ekzibicione, dhe duke qenë se jemi në vitin e fundit të kësaj qeverie, Kurti tani po do me e nda fajësinë me partitë tjera. Ne nuk dëshirojmë të marrim fajësinë dhe dështimet e z. Kurtit, dështimet dhe të këqijat që ja ka sjell Kosovës. Kurti për shkak të gjitha këtyre situatave, përshkak të sanksioneve, përshkak të raporteve me aleatët tanë, e mos transprancës të llogaridhënies karshi Kuvendit të Kosovës, Kurti duhet të jep dorëheqje, të shkarkohet qeveria dhe jo të shpërbëhet Kuvendi”, tha Kadrijaj për Reporteri.net.
Nga Vetëvendosje thonë se në rast se arrihet marrëveshje në mes të gjitha palëve, do të jenë pro që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Deputeti i VV-së, Gramos Agusholli për Gazetën Online Reporteri.net ka thënë se presin që në mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie presin nga Kurti që të marrin më shumë detaje lidhur me qëndrimin që ai ka.
“Besoj se në mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm, kryeministri do të na japë detaje rreth qëndrimit të tij lidhur me këtë çështje. Edhe në rast se arrihet një marrëveshje në mes të të gjitha palëve, përfshirë grupin tonë parlamentar ( neve si deputetë ) dhe pastaj edhe partitë opozitare për të organizuar zgjedhje të reja, nuk do të ketë hapësirë për ndonjë ‘sensacion’ të papritur”, ka thënë Agusholli për Reporteri.net.
Në fundi të muajit mars, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, propozoi mocion për shkarkimin e Qeverisë por që nuk është përkrahur nga partitë tjera opozitare.
Votimi i qeverisë të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 u bë 22 mars të po atij viti, derisa mandati i saj përfundon edhe përreth afro një vit./Reporteri.net/