Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës Lumir Abdixhiku, gjatë tubimit në Lipjan, ka folur për bisedat që u publikuan sot, ku ka thënë se këto biseda dëshmojnë përfshirjen e qeverisë së Kosovës në bisedat për tenderat milionëshe në KEK, që janë bërë në shkelje me ligjin.
Abdixhiku ka thënë se Whats App-i përdoret për të parë si janë miqtë, fëmijët e familja dhe jo për të kurdisur tenderë 36 milionë mes shokëve që s’njohin as ligj e shtet.
“Pra, Whats Appi në LDK është për familje; jo për mafi energjetike! Por le ta themi qartë, për gjithë këta të paditur, që kur kanë hypë mbi shtet e kanë paramenduar veten si të plotfuqishëm, sa dhe tenderët i kanë kurdisur haptas e kaq lehtë. Le ta themi qartë, që të na kuptojnë qartë, ata që bërtasin sot se kanë një siklet të madh. Ndryshimi po vjen. Për të gjitha paratë e vjedhura në katër vjet, për të gjithë hajninë cep më cep, do të përgjigjeni cent më cent”, tha Abdixhiku.
Në media, mëngjesin e sotëm është publikuar një bisedë mes Besnik Bislimit dhe Nagip Krasniqit, ku pretendohet se zëvendëskryeministri i ka kërkuar tashmë ish-kryeshefit të KEK-ut, t’ia jap tenderin një kompanie përkundër se ishte njoftuar që nuk i plotëson kushtet.
Për këtë deri tani nuk ka pasur ndonjë reagim nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ndërsa u raportua se pjesë e këtij grupi në Whatsapp ku dhe thuhet se u zhvillua biseda mes tyre, ishte edhe kryeministri Albin Kurti, Dejona Mihali dhe Artane Rizvanolli e Hekuran Murati.