×
  • Lajme
  • Raporto
  • Nacionalet 2025

    Aksioni mbi falsifikimin e rezultateve zgjedhore në Prizren, Kryeprokurori dhe Policia thërrasin konferencë për media

    Reporteri
    23 Janar 2026 | 13:55

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu, do të mbajë sot konferencë për media lidhur me aksionin lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve zgjedhore në Prizren, ku ka edhe të arrestuar. Në mesin e të arrestuarve është edhe djali i kandidatit të PDK’së, Nait Hasanit, shkruan Reporteri.net.

    Konferenca do të mbahet në orën 15:00, në objektin e Prokurorisë në Prizren.

    “Prokuroria Themelore në Prizren, përkatësisht Kryeprokurori Petrit Kryeziu së bashku me Policinë e Kosovës, do të mbajë sot konferencë për media lidhur me aksionin e Prokurorisë Themelore në Prizren, mbi falsifikimin e rezultateve zgjedhore, gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në regjionin e Komunës së Prizrenit. Konferenca do të mbahet në orën 15:00, në objektin e Prokurorisë Themelore në Prizren”, thuhet në njoftim.

    Aksionin e sotëm për Reporteri.net e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Prizren.

    “Po, mund ta konfirmoj se është duke u zhvilluar një aksion lidhur me dyshimet për manipulim me vota. Për momentin nuk mund te japim detaje tjera pasi rasti është në procedurë”, tha Mehmeti për Reporteri.net.

    Ditë më parë, Kryeziu kishte autorizuar me shkrim Policinë e Kosovës që, me vetiniciativë, të identifikojë personat përgjegjës dhe të sigurojë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet. Këtë informacion Kryeziu e kishte konfirmuar ditë më parë.

    Prokuroria Themelore në Prizren kishte bërë të ditur se ka monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të votave dhe se, teksa rinumërimi po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme gjatë numërimit të votave brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit.

    Sipas Prokurorisë, pas rinumërimit në disa vendvotime janë vërejtur dallime mes fletëvotimeve dhe votave të numëruara për kandidatët brenda subjekteve politike, duke ngritur dyshime serioze për keqpërdorim të votave.

    Prokuroria ka theksuar se manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore përbëjnë vepra penale dhe se këto raste do të trajtohen pa asnjë kompromis.

    Rreth 140 komisionerë ishin të angazhuar gjatë numërimit të votave në Prizren.

    /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!