Visar Azemi, anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se qe afro 30 orë disa pjesë të qytetit të Ferizajt janë pa energji elektrike.
Azemi, ka akuzuar pushtetit se “po shkatërron çdo mundësi për jetë të dinjitetshme”.
“Janë bërë gati 30 orë që disa pjesë të qytetit të Ferizajit janë pa rrymë. Qytetarët tanë janë të harruar dhe po vuajnë nga mungesa e energjisë, ndërsa pushteti vazhdon të shkatërrojë çdo mundësi për një jetë të dinjitetshme. Nuk mjafton vetëm doreheqja! Ky pushtet është përgjegjës për krizën që po e kalojnë njerëzit. Mafia energjetike është në veprim që bashkë me njerëz të pushtetit, e kanë lënë Ferizajin në terr. Kjo është skandaloze! Më 9 shkurt, duhet të largohet ky pushtet i papërgjegjshëm që i shërben Martinit e Nagipit e shokëve të tyre. E vetmja rrugë për zgjidhjen e kësaj situate është plani i LDK-së për ndërtimin e Centralit me gaz, që do të mundësonte furnizëm të përhershëm me energji elektrike”, ka shkruar ai.
Zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi, gjatë ditës ka thënë se problemi me energjinë elektrike në rajonin e Ferizajt vjen për shkak të mbingarkesës.
Madje, Krasniqi shtoi se si shkak i mungesës së kapaciteteve nga ana transmisive, KOSTT-i po kërkon shkyçjen në mënyrë që të ruhen asetet elektroenergjetike.
“Si pasojë e mungesës së kapaciteteve transmisive të transmisionit, KOSTT-i me qëllim ruajtjen e aseteve elektroenergjetike po kërkon shkyçjen për të tejkaluar mbingarkesën”, tha Krasniqi.
Nga fillimi i kësaj jave, situata energjetike në vend ka pësuar kolaps pothuajse të tërë. Shumë komuna kanë mbetur në terr pothuajse të vazhdueshëm. /Reporteri.net/