×
  • Lajme
  • Raporto
  • Nacionalet 2025

    Gashi i PDK-së për votimin me postë: Fituam betejën ndaj VV-së, PZAP-i të vendosë në mënyrë meritore për vendimin e KQZ-së

    Reporteri
    08 Janar 2026 | 20:48

    Përfaqësuesi i PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Ilir Gashi, ka reaguar pas ankesës së dorëzuar nga partia e tij në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me menaxhimin e votimit me postë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

    Derisa PDK është ankuar në PZAP kundër administrimit nga KQZ dhe shpalljes të vlefshme të fletëvotimeve të dërguara me postë nga votimi jashtë Kosovës, të cilat sipas kësaj partie janë pranuar dhe numëruar pas afatit ligjor, Gashi ka kërkuar nga organet kompetente që të vendosin në mënyrë meritore lidhur me vendimin e KQZ-së.

    “Si përfaqësues të PDK-së, e kemi fituar betejën në KQZ ndaj kolegëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kishin bërë thirrje që të mos ndaheshin mjete financiare për dërgimin e fletëvotimeve origjinale për secilin votues në mërgatë. Ne e kemi realizuar këtë obligim ligjor, pavarësisht kundërshtimeve të anëtarëve të VV-së”, ka shkruar Gashi në Facebook.

    Ai ka kujtuar se miratimi i afatit për pranimin e fletëvotimeve jashtë afatit ligjor është miratuar në KQZ me vetëdije se po bëhej shkelje ligjore, por është arsyetuar me qëllimin që të mos keqkuptohej se jemi kundër mërgatës.

    “Propozimi për pranimin e fletëvotimeve pas afatit u miratua në KQZ me vetëdije se po bëhej shkelje ligjore, edhe pse kjo u arsyetua me qëllimin që të mos keqkuptohej se jemi kundër mërgatës. Prandaj, organet kompetente duhet të vendosin në mënyrë meritore lidhur me vendimin e KQZ-së për pranimin e fletëvotimeve jashtë afatit ligjor”, ka shkruar Gashi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!