×
  • Lajme
  • Zgjedhjet 2025 / Zgjedhjet e 9 shkurtit

    Hamza: Korporatat lirohen 5 deri në 10 vite nga tatimi në fitim, nëse investojnë mbi 500 mijë euro

    Reporteri
    12 Janar 2025 | 16:36

    Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, sot ka takuar dhjetëra biznesmenë në qytetin e Shtimes.

    Hamza ka treguar në këtë komunë edhe për projektin e tij për ta ndërtuar një autostradë të re, e cila do të kalojë nëpër periferinë e Shtimes, konkretisht autostradën e re që parashihet ta ketë kyçjen në Banullë të Lipjanit dhe do të kalojë përmes Shtimes deri në Qafën e Duhlës.

    Kjo autostradë, e cila do t’i përmirësojë ndjeshëm ndërlidhjet logjistike dhe mundësitë për bizneset lokale, parashihet t’i lidhë tri autostradat kryesore, Autostradën e Kombit, Autostradën Gjilan – Dheu i Bardhë dhe Autostradën e Shkupit.

    “Themelet e shtetit të zhvilluar ekonomikisht janë bizneset. Këtu unë nuk kam dilemë. Nëse të tjerët kanë dilema, unë këtu s’kam dilemë. Për këtë qëllim, prioriteti im i parë është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik. Bizneset të cilat investojnë mbi 500 mijë euro dhe punësojnë mbi 50 punëtorë, 5 deri në 10 vitet e ardhshme prej atij momenti kanë me u liru prej pagesës në fitim të korporatave. Përveç kësaj, të ardhurat për të punësuarit deri në 400 euro kanë me pas tatimin 0, kanë me u tatimu me 0. Prej 400 deri në 800 me 8%, edhe mbi 800, me 10%”, ka thënë Hamza.

    Kandidati i PDK-së për kryeministër ka thënë se nuk e ka qëllim vetëm përmirësimin e klimës së të bërit biznes. Ai ka thënë se përmes mbështetjes për ndërmarrësit dhe pronarët e bizneseve do të krijojë kushte më të mira që edhe ata t’ua rrisin pagat të punësuarit në sektorin privat.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!