×
  • Lajme
  • Raporto
  • Nacionalet 2025

    Haradinaj paralajmëron pasoja pas zgjedhjeve dhe shpall reformim të AAK-së

    Reporteri
    29 Dhjetor 2025 | 12:49

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas rezultatit të zgjedhjeve, duke thënë se, ndonëse vota e qytetarëve do të respektohet, ai ka shqetësime serioze se problemet kryesore të vendit nuk do të marrin zgjidhje.

    Haradinaj ka theksuar se gjatë fushatës zgjedhore janë përballur me ankesa të shumta të qytetarëve, që nga kriza energjetike, ngecjet në proceset integruese euro-atlantike, veçanërisht drejt NATO-s, rënia e investimeve kapitale dhe lënia përgjysmë e projekteve të mëdha, deri te shtrenjtimi i jetesës, stagnimi i pagave dhe largimi masiv i të rinjve nga Kosova.

    Sipas tij, rezultati i zgjedhjeve mund ta zgjidhë ngërçin institucional, por jo edhe shqetësimet reale të qytetarëve, duke paralajmëruar se Kosova rrezikon të dobësohet si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

    Ai ka bërë të ditur se AAK-ja do të reflektojë për proceset e saj të brendshme dhe se zgjedhjet për Aleancën do të përmbyllen në pranverë me zgjedhje të brendshme në të gjitha nivelet dhe me ringritjen e partisë.

    Haradinaj ka falënderuar votuesit, aktivistët e AAK-së dhe bashkëpunëtorët e tij, në veçanti kandidatët e Listës 129, duke theksuar se gara ishte e vështirë dhe u zhvillua në rrethana të papërshtatshme.

    “Në krah të Kosovës, pa asnjë kusht”, ka përfunduar Haradinaj reagimin e tij.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!