×
  • Lajme
  • Zgjedhjet 2025 / AAK

    Haradinaj: Të bashkohemi rreth Kosovës fituese, ta bëjmë Kosovën të jetueshme

    Reporteri
    02 Janar 2025 | 14:43

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se sfida e parë e madhe është se si të dalin nga izolimi e sanksionet e të rirreshtohen me partnerët strategjikë, posaçërisht SHBA.

    Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se “Lista e punëve që duhet t’i kryejmë për ta rikthyer vendin kah e mbara është e gjatë. Të bashkohemi rreth Kosovës Fituese dhe këtë vend ta bëjmë të jetueshëm, e jo të braktisur nga qindra mijëra njerëz që rrugën e mërgimit e shohin shpëtim”, ka thënë Haradinaj.

    “Me urimet më të mira për një vit të mbarë për ju, Shtetin e Kombin, dua t’iu kujtoj se viti në të cilin kemi hyrë tashmë, do të jetë një vit sfidues për të gjithë ne.

    Është obligim yni që Kosovën ta rikthejmë kah e mbara dhe ta bëjmë fituese.

    Që të mos na ndodhë që edhe natën e ndërrimit të motmoteve ta presim në terr. Ose që vëllezërit tanë mërgimtarë të detyrohen të kthehen për shkak të mungesës së rrymës.

    Që mos e mashtrojmë popullin se për kolapsin energjetik, fajtor është zhvillimi i hovshëm ekonomik.

    Që t’mos na ndodhë që t’i mbrojmë hajnat e ta sulmojmë gjyqësorin.

    Ku kryeministri e poshtëron sistemin gjyqësor dhe nuk i përgjigjet ftesës së prokurorisë për intervistim”, shkruan ai.

    Haradinaj tutje thotë se sfida e parë e madhe është se si të dalin nga izolimi e sanksionet e të rirreshtohen me partnerët strategjikë, posaçërisht SHBA. Kosova e ka jetike anëtarësimin direkt në NATO.

    “Një tjetër sfidë do të jetë rritja e minimumit jetësor, ku nuk mund të këtë pagë mesatare nën 1 mijë e pension nën 500 euro. Apo mbështetja e ekonomive familjare, bizneseve të vogla e deri tek ato të mëdha.

    Është e domosdoshme ta ndalim gjakderdhjen financiare të realizuar përmes sistemit të tenderëve njëburimor.

    Lista e punëve që duhet t’i kryejmë për ta rikthyer vendin kah e mbara është e gjatë. Të bashkohemi rreth Kosovës Fituese dhe këtë vend ta bëjmë të jetueshëm, e jo të braktisur nga qindra mijëra njerëz që rrugën e mërgimit e shohin shpëtim”, shkruan ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!