Zëdhënësi i AAK-së, njëherit kandidat për deputet, Kushtrim Xhemaili, ka publikuar një qëndrim në rrjetet sociale, ku ka adresuar kritika të ashpra ndaj qeverisë aktuale dhe ka komentuar deklaratat e Kryediplomates Donika Gërvalla për Ramush Haradinajn.
Xhemaili ka thënë se Haradinaj dy herë ka dhënë dorëheqje nga qeveria për të shkuar në Hagë dhe për të dëshmuar pastërtinë e luftës së UÇK-së, teksa ka thënë se Gërvalla “ka deponuar materiale kundër UÇK-së në të njëjtën gjykatë”.
“Ish-Kryeministri Haradinaj dy herë ka dhënë dorëheqje nga qeveria për të shkuar në Hagë dhe për të dëshmuar pastërtinë e luftës së UÇK-së. Ai doli faqebardhë, duke mbrojtur vlerat tona kombëtare. Në anën tjetër, ministrja juaj e tanishme ka deponuar materiale kundër UÇK-së në të njëjtën gjykatë,” ka deklaruar Xhemaili.
Ai ka drejtuar edhe akuza tjera ndaj Qeverisë, duke thënë se po mbështesin Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Ju po e dëshmoni hapur mbështetjen për Vuçiqin, që ai t’u thotë protestuesve se janë të nxitur nga Prishtina. Favor për favor. Pritni kur të del Vuçiqi në publik si viktimë. Por, siç po duket, po doni të bini bashkë me Vuçiqin. Gjatë e keni mbajtë njëri-tjetrin në pushtet,” shkroi Xhemaili në postimin e tij.
Në fund, Xhemaili u drejtua drejtpërdrejt kryeministrit aktual, duke i thënë “Ta kemi hequr maskën dhe qeben, kryeministër,”