×
  • Lajme
  • Lajme

    Zgjedhjet në veri do të mbahen, KQZ ia dërgon Policisë planin operacional për garantim të sigurisë

    Reporteri
    08 Dhjetor 2022 | 18:59

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, nga ku ka nxjerrë disa vendime në kuadër të përgatitjes për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri, ato të 18 dhjetorit për kryetarë të komunave, dhe të 25 dhjetorit, për kuvende komunale.

    Në këtë mbledhje, KQZ ka caktuar listën përfundimtare të votuesve, ka miratuar përmbajtjen e dizajnin e fletëvotimeve për të proceset zgjedhore, si dhe ka përcaktuar edhe qendrat ku do të votohet, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

    Për më tepër, KQZ ka marrë vendim për miratimin e planit operacional të KQZ-së për sigurinë e këtyre zgjedhjeve.

    “Në këtë mbledhje u bë e ditur se plani operacional i KQZ-së për sigurinë e zgjedhjeve; lista e qendrave të votimit dhe plani i veprimit, do t’i dërgohen Policisë së Kosovës, me qëllim të ndërmarrjes së masave të sigurisë për mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore dhe ditës së zgjedhjeve”, bëhet e ditur në njoftim të KQZ’së.

    “Bazuar në listën përfundimtare të votuesve, numri i votuesve për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 18 dhjetorit në këto katër komuna është 44,939, ndërsa KQZ-ja ka vendosur që të shtypen 40,900 fletëvotime, pra 4,039 apo 9.87% fletëvotime më pak se votues”, thuhet tutje. /Reporteri.net/.

    Njoftimi i plotë i KQZ’së:

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e radhës ku mori disa vendime në kuadër të përgatitjeve për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 18 dhjetorit për kryetar të katër komunave dhe të zgjedhjeve të parakohshme të 25 dhjetorit për dy kuvendet komunale.

    •             Në vazhdim të mbledhjes, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi listën përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, të cilat do të mbahen më 18 dhjetor 2022. Kjo listë votuese përmban 44 mijë e 939 emra të votuesve apo 1,189 votues më shumë në krahasim me Zgjedhjet Lokale 2021. Votuesit janë të shpërndarë në 44 qendra të votimit megjithsej 74 vendvotime.

    •             Bazuar në listën përfundimtare të votuesve, numri i votuesve për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 18 dhjetorit në këto katër komuna është 44,939, ndërsa KQZ-ja ka vendosur që të shtypen 40,900 fletëvotime, pra 4,039 apo 9.87% fletëvotime më pak se votues. KQZ-ja caktoi edhe numrin e fletëvotimeve që do të shtypen për zgjedhjet e parakohshme të 25 dhjetorit për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe Leposaviqit. Sipas vendimit të KQZ-së, për këto zgjedhje do të shtypen 18,500 fletëvotime, pra 1,771 apo 9.5% fletëvotime më pak se votues. Kjo praktikë e shtypjes më pak fletëvotime se numri i votuesve është ndjekur edhe në proceset e kaluara zgjedhore.

    •             KQZ-ja miratoi përmbajtjen dhe dizajnin e fletëvotimeve për dy proceset zgjedhore, të 18 dhe 25 dhjetorit 2022. (Bashkangjitur gjeni modelet e fletëvotimeve të miratuara).

    •             KQZ-ja mori vendim për miratimin e listës së qendrave të votimit për zhvillimin e procesit zgjedhor. Për zgjedhjet e datës 18 dhjetor, KQZ-ja miratoi listën me 44 qendra të votimit, ndërsa për zgjedhjet e datës 25 dhjetor, u miratua lista me 25 qendra të votimit.

    •             KQZ-ja mori vendim për miratimin e planit operacional të KQZ-së për sigurinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar komune në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut si dhe për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin Komunal në Leposaviq dhe Zveçan.

    Në këtë mbledhje u bë e ditur se plani operacional i KQZ-së për sigurinë e zgjedhjeve; lista e qendrave të votimit dhe plani i veprimit, do t’i dërgohen Policisë së Kosovës, me qëllim të ndërmarrjes së masave të sigurisë për mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore dhe ditës së zgjedhjeve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!