Kuvendi Komunal i Prishtinës, të mërkurën zgjodhi kryesuesin e Asamblesë Komunale me 25 vota për dhe atë në rundin e tretë. Dy rundet e para nuk mjaftuan nga 25 vota. Prej sot, Fehmi Kupina mban timonin e kryeasamblistit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Marrëveshja për kryeasamblistin u arrit pasi kryetari Përparim Rama njoftoi për afrimin me Partinë Demokratike. Asamblistët e PDK-së votuan por ata të VV-së, ani pse në sallë nuk votuan. AAK-ja e AKR-ja, lëshuan sallën.
Zotim për përgjegjësi
Fehmi Kupina nga Lidhja Demokratike u zgjodh kryesues duke marrë përkrahjen e nëntë asamblistëve të Partisë Demokratike dhe nga një të Nismës dhe Lëvizjes për Bashkim.
Kupina, u zotua për përgjegjësi në postin e ri.
“Plani ynë është i qartë. Qytetari i Prishtinës do të jetë kryefjala e çdo zhvillimi. Bashkë do t’i zgjedhim projektet e do t’i mbikëqyrim bashkë. Bashkë do t’i gëzojmë”, u shpreh Kupina.
Në sallë qëndruan por s’votuan asamblistët e VV-së, ndërsa ata të AAK-së dhe AKR-së lëshuan sallën.
Kryetari i Prishtinës optimist
Se bashkëpunimi në nivel lokal po ecën mirë, e konfirmoi edhe kryetari Përparim Rama.
Duke mos përmendur emra të partive me të cilat do të formojë shumicën në Kuvend, ka thënë se “ekziston energji pozitive”.
“I kam ftuar të gjithë të bashkëqeverisim dhe jemi në proces. Jemi në proces dhe do ta merrni vesh shumë shpejt”, ka thënë ai ndërsa i pyetur për bashkëpunimin me PDK-në, ka shtuar se “jemi të përafruar me të gjithë”.
“Është energji pozitive e mirë e marrëveshjes. Ta krijojmë shumicën për të mirën e qytetarëve. T’i ndajmë përgjegjësitë për të mirën e qytetarëve të Prishtinës. T’i shtyjmë proceset përpara”, u shpreh Rama.
Marrëveshjet dhe pritjet për dakordim
Burime të Gazetës Online Reporteri.net, kanë bërë me dije gjatë ditës së sotme se një marrëveshje në nivel lokal është përafruar. Lidhja Demokratike e Kosovës arriti koalicionin me Partinë Demokratike.
Siç ka mësuar Reporteri.net, PDK-ja pritet ta ketë nënkryetarin e parë, 4 drejtori dhe 5 ndërmarrje publike.
Ndër drejtoritë me të cilat do të udhëheqë Partia Demokratike janë ajo e Shërbimeve Publike, atë të Planifikimit dhe Urbanizmit, drejtorinë e Arsimit dhe të Kulturës.
PDK-ja, pozitën e parë më të rëndësishme në Komunën e Prishtinës
Derisa Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës pritet që të bashkëpunojnë në Komunën e Prishtinës, pozitën e dytë më të rëndësishme, atë të nënkryetarit, do ta marrë Blerand Stavileci i PDK-së.
Nënkryetar i dytë i Prishtinës, mbetet Alban Zogaj nga Lidhja Demokratike.
Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi Prishtinën në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Përparim Rama i kësaj partie arriti ta përmbysë rezultatin e rundit të parë dhe ta fitojë garën përballë Arben Vitisë së Vetëvendosjes. /Reporteri.net/.