Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka ngritur gjendjen e gatishmërisë në institucionet shëndetësore.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se kjo po ndodhë pas ngjarjeve të ndodhura në Leposaviq.
“Gatishmëria është ngritur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës dhe atë të Vushtrrisë. Njëkohësisht, ShSKUK njofton se mbrëmë mjekët e Spitalit të Mitrovicës dhe pastaj ata të QKUK-së, kanë trajtuar policët e plagosur të cilët pas ekzaminimeve mjekësore dhe ndërhyrjeve të nevojshme janë jashtë rrezikut për jetë”.
Një rast i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në veri të Kosovës, ku një polic me gradën e rreshterit ka mbetur i vrarë si pasojë e sulmeve në fshatin Banjskë të Leposaviqit, ndërsa një tjetër zyrtar policor kufitar është plagosur.
Polici i vrarë është Afrim Bunjaku, nga fshati Samadrexhë e Vushtrrisë, i cili shërbente me gradën rreshter.
Për rastin kanë reaguar krerët e shtetit, të cilët kanë thënë se këto janë sulme terroriste të organizuara nga Serbia.