Arjeta Salihu Abazi deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka reaguar pas djegies së dhjetëra hektarëve tokë në Podujevë.
Ajo thotë se zjarrfikësit në Podujevë punojnë në gjendje të rëndë.
Ajo ka thënë se gjatë vizitave që ka bërë në stacionin e zjarrfikësve ka vërejtur se aty punojnë vetëm 17 punëtorë, katër në një ndërrim.
Sipas deputetes zjarrfikësve nuk u paguhet rrezikshmëria në vendin e punës; nuk janë ndërruar uniformat teknike prej më shumë se 5 vitesh; nuk ka klimatizim në ambientet e punës, as higjienist, e as staf mbështetës sezonal. Po ashtu sipas saj, zjarrfikësve nuk bëhet kompensimi për orët shtesë dhe sakrificën në plotni.
Postimi i plotë:
Jam thellësisht e shqetësuar për gjendjen e rëndë në të cilën operojnë zjarrfikësit në Podujevë. Gjatë vizitave qe kemi bërë në stacionin e zjarrfikësve, jemi njoftuar se me vetëm 17 punëtorë aktiv, prej të cilëve vetëm 4 për ndërrim, ata përballen çdo ditë me rreziqe të mëdha për jetën dhe shëndetin, ndërkohë që u mungojnë plotësisht kushtet bazike të punës:
Nuk u paguhet rrezikshmëria në vendin e punës;
Nuk janë ndërruar uniformat teknike prej më shumë se 5 vitesh;
Nuk ka klimatizim në ambientet e punës, as higjienist, e as staf mbështetës sezonal;
Nuk u bëhet kompensimi për orët shtesë dhe sakrificën në plotni.
Në anën tjetër, vetëm dje, në disa fshatra të Podujevës, u dogjën dhjetëra hektarë tokë, ndërkohë që ky staf i pamjaftueshëm dhe i nënvlerësuar dha maksimumin për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve.
Prandaj kërkojmë nga Komuna e Podujevës dhe institucionet përkatëse që urgjentisht të ndërhyjnë:
• Të rritet numri i punonjësve aktivë;
• Të ndahen mjete për pajisje dhe uniforma moderne;
• Të sigurohet pagesa e rrezikshmërisë dhe kompensimeve të merituara;
• Të përmirësohen kushtet teknike dhe higjienike në ambientet e punës.
Zjarrfikësit tanë janë gardianët e sigurisë publike nuk mund të trajtohen si të padukshëm.
Mjaft me neglizhencë. Koha për veprim është tani.