×
  • Lajme
  • Lajme

    ZKA-ja fillon auditimin e sistemit të licencimit të hidrocentraleve

    Reporteri
    10 Janar 2022 | 15:13

    Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e sistemit të licencimit të hidrocentraleve për periudhën 2015-2021.

    Objektivë është dhënia e licencave për hidrocentralet dhe aktivitetet e institucioneve publike për mbrojtjen e mjedisit nga veprimtaria e hidrocentraleve.

    Procesit të auditimit do t’i nënshtrohen Zyra e Rregullatorit të Energjisë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Ekonomisë si dhe komunat e Dragashit, Mitrovicës, Deçanit dhe ajo e Shtërpcës. Po ashtu, auditimit mund t’i nënshtrohen edhe Agjencia e Pyjeve të Kosovës dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit varësisht nëse kanë ndërlidhje me fushën e audituar. Në kuadër të këtyre institucioneve fokus i auditimit do të jenë departamentet e lëshimit të lejeve dhe departamentet e inspektoratit lidhur me ndikimin në mjedis dhe ujëra. Fushëveprimi do të fokusohet te dhënia e licencave për hidrocentralet përgjatë viteve 2015 -2020 dhe ndikimi i tyre në mjedis dhe ujëra.

    “Raportimet e ndryshme në media dhe hulumtimet fillestare në fazën e planifikimit në këtë fushë tregojnë se ka indikacione që procesi i licencimit të hidrocentraleve karakterizohet me mangësi dhe mungesë të transparencës. Po ashtu ka indikacione për moskoordinim mes palëve përgjegjëse gjatë procesit të licencimit, mungesë të mbikëqyrjes së duhur nga institucionet përgjegjëse që për pasojë mjedisi mund të rrezikohet nga kjo veprimtari. Ndikimi që ka kjo veprimtari në mjedis dhe treguesit fillestar të problemeve në këtë fushë kanë shërbyer që ZKA-ja të fillojë këtë auditim. Objektivë e këtij auditimi është vlerësimi i dhënies së licencave për hidrocentralet dhe aktivitetet e institucioneve publike për mbrojtjen e mjedisit nga veprimtaria e hidrocentraleve. Qëllimi kryesor i këtij auditimi është që të kontribuojë në përmirësimin e procesit të licencimit dhe të sigurojë se shfrytëzimi i ujërave bëhet në mënyrë më efikase dhe efektive duke arritur qëllimin e synuar dhe të sigurohet mbrojtja e ujërave dhe mjedisit”, thuhet nga ZKA-ja.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!