Zv. komandanti i UÇK-së në Koshare: Për tri ditë njësia prej 30 ushtarëve mbeti me vetëm dy

Në Betejën e Koshares edhe UÇK-ja pësoi dëme të mëdha në njerëz.


Zv. Komandanti i Batalionit të 3 të UÇK-së në Betejën e Koshares, Avni Rrustemi ka rrëfyer disa nga momentet më të vështira të luftës.

“Ka pasur shumë momente të rënda. Për mua momenti më i rëndë ka qenë kur vriten dy ushtarë të rinj, 18 dhe 19 vjeçare dhe komandanti i togut. Ato tri ditë ishin tepër të rënda pasi një njesi prej 30 ushtarëve për tri ditë mbeti vetëm me dy. Në ato ditë ndodhi edhe bombardimi i kazermës së Koshares ku humbën jetën shumë pjesëtarë të asaj njësie duke mbetur vetëm dy. Pra vetëm dy mbeten në gjendje normale pa plagosur ose pa vrarë”, tha ai në “Debat Plus”.

Për eprorin në njësinë “Komando Delta Forcë”, Muhamet Grezda vrasja e Agim Ramadanit dhe plagosja e Fatmir Hotit ishin ndër momentet më të vështira për të në luftë, përcjell Telegrafi.

“Ka ardhur ushtari Demir Murseli dhe ka kërkuar disa bomba dore duke thënë se është vrarë Fatmiri. Kam rënë më poshtë pasi isha në pikën lartë dhe kam tërhequr atë ushtarë. Ka qenë shumë moment i rëndë pasi kam qenë përballë me armikun”.

Grezda thotë se edhe vrasja e eprorit të tij Kasim Uka ishte një tjetër moment i rëndë.