×
  • Lajme
  • Lajme

    Qeveria i përgjigjet Haradinajt, thotë se sivjet s’pati kërkesa për protezat e invalidëve

    Reporteri
    28 Dhjetor 2021 | 9:57

    Zyra për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së, përmes një njoftimi për media thotë se nuk ka pranuar kërkesë për sa i përket protezave për invalidë veteranë e të cilën nuk e ka trajtuar.

    “Kërkesa e fundit në lidhje me protezat për invalidë veteranë ka ndodhur vitin e kaluar gjatë qeverisjes së kaluar, ku është ndarë buxhet dhe shoqata e invalidëve veteranë është në zbatim e sipër të asaj kërkese”, thuhet në njofitm.

    Zyra për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së thotë se është e hapur për shqyrtim dhe trajtim të çfarëdo kërkese, dhe çështjet e këtilla si ofrimi i protezave për invalidë veteranë do të konsiderohen ashtu siç edhe janë, esenciale.

    “Synim e zotim i yni është institucionalizimi i këtyre shërbimeve, në mënyrë që të ketë organizim e strukturim të ofrimit të tyre dhe kujdesi për invalidët veteranë të jetë maksimal”, përfundon reagimi.

    Për këtë çështje deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka akuzuar Qeverinë Kurti se nuk po i trajton invalidët e luftës.

    “Ato proteza duhet të ndërrohen periodikisht dhe pasi që janë të papërballueshme për xhepin e invalidëve, zakonisht qeveria merr përsipër këto shpenzime. Në mungesë të trajtimit dhe kujdesit për invalidët e luftës nga kjo qeveri, ka pasur organizim nga bashkatdhetarët, në rastin e ndërrimit të protezave për luftëtarët e dalluar të UÇK-së Naim Qerimaj dhe Selmon Hasanaj”, ka shkruar Haradinaj të dielën në Facebook.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!