×
  • Lajme
  • Lajme

    Zyrtare: Avdullah Hoti, kandidat i LDK-së për kryeministër

    Reporteri
    30 Dhjetor 2020 | 15:30

    Avdullah Hoti do të jetë kandidat i LDK-së për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme.


    Kjo është konfirmuar në një konferencë për media të kreut të LDK-së, Isa Mustafa dhe kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti, shkruan Reporteri.net.

    Mustafa ka thënë se vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të Kryesisë.

    Kreu i LDK-së ka thënë se Qeveria Hoti ka bërë punë të mirë dhe ka qenë shumë e zellshme në luftën kundër pandemisë. Sipas tij, kjo i ka shtyrë që ta nominojnë sërish Hotin për kandidat për kryeministër nga radhët e LDK-së.

    “Vlerësimet tona janë se Qeveria nuk ka ra si pasojë e mospunës së saj sepse qeveria nuk i ka zgjedhur deputetët, por kjo ka ndodhë jashtë punës së Qeverisë. Ky është argument i joni se Qeveria ka bërë të mirë, Hoti ka treguar se Qeveria e tij është Qeveri që zbaton ligjin e lufton krimin e korrupsionin, kjo na ka shty që të konsiderojmë se Hoti është kryeministër i kësaj qeverie në vazhdim dhe do të vazhdoj të jetë kandidat i yni edhe në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Mustafa.

    Në anën tjetër, Hoti ka thënë se është i bindur se LDK-ja do të jetë favorite në këto zgjedhje.

    “Jam tepër i kënaqur për vlerësimin që LDK i ka bërë Qeverisë. Besoj që gjatë këtyre 7 muajve të qeverisjes kemi luftuar krimin dhe korrupsionin, kemi kthyer partneritetet që janë dëmtu dhe kemi bërë një sërë reformash. Në javët e ardhshme do të dalim para qytetarëve me ofertën programe. Unë jam i bindur se ne jemi favoriti kryesor për ti fituar këto zgjedhje bazuar në punën e mirë që kemi bërë dhe jo sondazhet që bëhen poshtë e lartë”, u shpreh Hoti.

    Ndryshe, Reporteri qysh gjatë ditës raportoi se Hoti do të jetë i përzgjedhuri i LDK-së si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!