Ushtruesja e Detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila ka komentuar largimin e zyrtarëve të VV-së për fushatë në Shqipëri, përkundër masave anti-Covid të Qeverisë së Kosovës.
Ajo tha se masat nuk kanë qenë mbyllje, dhe se kufijtë kanë qenë të hapur.
“E para masat e vendosura kanë qenë kufizim i pjesërishëm, nuk kemi pasur mbyllje totale, dmth vendim që është qartë i përshkruar, janë dy tri kategori që janë mbyllur. Sa i përket levizjes, kufijtë kanë qenë të hapur.
Nuk e di, e ka pasur një jehonë të madhe, VV në Shqipëri ka hapur zyre më herët. Pajtohem që në aspekt të shikimit të masave, atëherë në rastin e mbylljes totale mbyllen kufijtë”.
Po ashtu, Kusari-Lila u shpreh që ky trend i udhëtimit në Shqipëri është i njëjtë gjatë vikendeve.
“Në shifrat paraprake 30 mijë qytetarë kanë kaluar kufirin, një fundjavë me diell, dhe trend i njëjtë i fundjavave.
Këto masa nuk kanë qenë mbyllje. Ka qenë trend i njëjtë i fundjavave. Qeveria nuk ka dalë me vendim për mbyllje totale, i kemi dyqanet e qendrat tregtare të hapura. Vetëm gastronomia është e mbyllur”, tha ajo në Dukagjin.
Kusari-Lila u shpreh tutje se masat kundër Covid-19 duhet të rishikohen.