Rreth 5500 ndjekës të gazetës online Reporteri.net deri më tani kanë votuar në sondazhin online i hapur në faqen e mediumit në Facebook, me pyetjen “Nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel, për kë do të votonit?”.
Në më pak se dy orë orë nga hapja këtij sondazhi, rezultati është befasues dhe i ngushtë mes dy partive që rezultojnë të parat. Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po prijnë dhe janë shumë afër njëra tjetrës, sipas rezultateve të deri tanishme të këtij sondazhi.
Të dy partitë kanë grumbulluar nga 36% të votave, secila, të pjesëmarrësve në këtë sondazh. Me numër të votave, LVV-ja është shumë pak para LDK-së. Partia e Albin Kurtit ka marrë deri tash 2,042 vota, ndërsa ajo e Lumir Abdixhikut 1,974 sosh.
Befasues, sondazhi në facebook del edhe sa i përket mbështetjes së koalicionit AAK-NISMA, i zyrtarizuar dje mes Ramush Haradinajt e Fatmir Limajt. AAK/NISMA, sipas sondazhit në faqen e Reporteri.net në facebook, deri më tani ka 18% të mbështetjes nga profilet që kanë votuar në sondazh.
E fundit radhitet PDK’ja me 9%. Në total, deri më tash kanë votuar 5485 ndjekës të gazetës online Reporteri.net.
Sondazhi po vazhdon. Rezultatet po ndryshojnë shpejtë, dhe ne, gjatë 24 orëve të ardhshme, do t’ju mbajmë të përditësuar me rezultatet e sondazhit online.
VËMENDJE: Pjesëmarrës/votues në këtë sondazh online janë ‘users’ të regjistruar në Facebook dhe që ndjekin faqen “Reporteri” në Facebook. Vërtetësia e tyre mbetet e paverifikuar, sikurse edhe sondazhi online dhe rezultatet e tij nuk pretendojnë se janë kredibile dhe as se janë të zhvilluara sipas formulave dhe teknikave shkencore të matjeve të opinionit publik/sondazheve.


