Agonia vazhdon

Autori: Afrim Kasolli


Që nga shpërthimi i krizës kosovare në fillim të viteve ’90 e deri me sot, në masë të madhe negociatorët ndërkombëtarë kanë eksperimentuar me zgjidhje kalimtare dhe të përkohshme për problemin e Kosovës.

Madje dhe vetë Marrëveshja e Rambujesë ishte e tillë. Ajo ofronte një solucion të përkohshëm deri në krijimin e kushteve për zgjidhje përfundimtare. Por, se si rrodhën ngjarjet pas dihet nga të gjithë ne.

Kjo logjikë ka vazhduar prej fillimit të negociatave në Bruksel në vitin 2011. Të cilat fillimisht u quajtën teknike dhe në ndërkohë politike.

Thelbi i konfliktit Serbi-Kosovë ka qenë i “thjeshtë”. E para dëshironte dominim absolut, segregim, nënshtrim të shumicës shqiptare. Kurse e dyta çlirim dhe realizim të drejtave të natyrshme politike dhe qytetare.

Ky ngurim, kalkulim dhe hezitim ndërkombëtar për të adresuar si duhet këtë krizë e ka bazën në një bindjen të gabuar se duke i dhënë kohë Serbisë, duke e mikluar atë, ajo mund të demokratizohet dhe kurohet nga mentaliteti hegjemonist në raport me Kosovën. Por historia ka dëshmuar se sa më shumë është ndjekur kjo strategji, politika serbe aq më agresive është bërë. Dhe apetitet e saj kundër Kosovës vetëm sa kanë ardhur duke u shtuar dhe jo duke u pakësuar.

Mbi këtë iluzion edhe janë bërë kompromise në raport me shtetësinë e Kosovës. Shumë prej tyre kanë qenë tragji-komike për një shtet serioz. E kanë lënduar tej mase performancën dhe seriozitetin e shtetit të Kosovës ndërkombëtarisht. Janë sajuar zgjidhje duale me plot kuptime dhe ambiguitete. Sa që interpretimi i tekstit të këtyre marrëveshjeve politike gradualisht u shndërrua thuajse në subjekt të disiplinave teorike hermeneutike.

Qëllimi i kësaj metode ishte që të kënaqeshin të gjitha palët. Serbia të jetojë me bindjen se Kosova s’është shtet. Kosovarët se e kanë tashmë shtetin e tyre. Si dhe të kënaqej BE-ja në tërësi. Sepse për këtë entitet transnacional Kosova është vetëm territor, ndaj të cilit ka qëndrim neutral, edhe pse është fasilituese e dialogut ndërmjet dy vendeve. Kurse për shumicën e vendeve anëtare të bllokut është shtet, ngase ajo është e pranuar si e tillë nga shumica prej tyre.

Në këtë skenar për të pajtuar të gjitha palët e kanë bazën shumë prej zgjidhjeve paliative dhe groteske që janë instaluar deri më sot. Prej fusnotës e deri te sticker –at (etiketat ngjtëse) e sotëm. Asgjë s’ka ndryshuar. Përkundër devalvimit të një paradigme dialoguese. Këtë logjikë e përqafojë edhe qeveria aktuale. Agonia e diskutimit për zgjidhje të përkohshme vazhdon.