×
Opinione

Amerikanët në dialog

Reporteri
28 Shtator 2021 | 21:19

Autor: Mirlind Behluli


Amerikanët kanë trokitur në derën e dialogut. Të mërkurën, delegacioni amerikan i kryesuar nga Gabriel Escobar, zëvendës ndihmës sekretar i Departamentit të Shtetit, do të qëndrojë në Bruksel e ku me ndërmjetësimin e BE-së do të takohen Prishtina e Beogradi pas 9 ditë tensionesh për reciprocitetin për targa. ‘Hyrja’ amerikane në dialog përmban një sërë mesazhesh për të gjitha palët e përfshira.


I pari nga mesazhet, ndoshta edhe për nga rëndësia është i tillë, që prezenca amerikane në dialog shpërfaqë seriozitetin e gjendjes aktuale ndërmjet Kosovës e Serbisë. Një vendim krejtësisht administrativ e madje edhe i ligjshëm e i drejt i Qeverisë Kurti, i vuri flakën një përplasjeje ku pos njësive speciale të Policisë së Kosovës, u përcoll edhe me ‘parakalim’ të tankeve e avionëve serb afër kufirit që ndan dy vendet fqinje. Nuk munguan as kërcënimet e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, drejtuar Kosovës e vizitat e Ambasadorit rus në Beograd në kufirin në Jarinje. Si duket, mundësia e eskalimit të mëtutjeshëm të situatës, i ka brengosur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët, si rrallë herë, do të jenë të pranishëm në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd. Megjithatë, ndonëse kanë mbetur më pak se 24 orë deri në takimin Bislimi-Petkoviq, ende nuk dihet formati dhe mënyra e përfshirjes së amerikanëve në dialog, i cili që nga fillimi është udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

E, mesazhi i dytë që amerikanët më këtë përfshirje përçojnë është pikërisht për BE-në, entitetin që ligjërisht lehtëson dialogun mes Prishtinës e Beogradit. Me ‘zbritjen’ amerikane në Bruksel, po nënkuptohet që diplomacia e BE-së e ka të pamundur të arrijë çfarëdo marrëveshje të zbatueshme pa përfshirjen e SHBA-së. Në fakt, prezenca e SHBA-së në Bruksel ç’velon edhe një herë të ‘vërtetën e fshehur’: pa rëndësinë e dialogut të udhëhequr nga Borrell e Lajçak. Nevoja e ‘bollduzherit amerikan’ në arritjen e një marrëveshje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme e praktikisht të zbatueshme, është imperativ. Prandaj, insistimet e vazhdueshme të BE-së se Escobar nuk do të jetë pjesë e takimit të nesërm, përveç se janë të kuptueshme, ato janë fusha të shpërfaqjes së inferioritetit karshi fuqisë amerikane. Përtej formatit të takimit të së mërkurës, prezenca amerikane në Bruksel është e mjaftueshme që të shkërmoq ndjenjën e megalomanisë së rëndësisë së BE-së.

Por, ka edhe një mesazh po aq të rëndësishëm. Me anë të pjesëmarrjes në takimin e nesërm, pa marrë parasysh formatin, amerikanët po dërgojnë sinjalin e interesimit për Ballkanin Perëndimor. Në një epokë të tërheqjes amerikane nga ‘detyrat’ globale, Presidenca Biden po siguron palët e përfshira në dialog se ajo nuk ka braktisur këtë pjesë të botës. Madje, nisur nga fakti i lidhjes personale e njohjes së kamotshme të Bidenit me problemet e Ballkanit Perëndimor, është e pritshme që regjioni ynë të jetë në fokus të Administratës së re. Po ashtu, kjo do t’i japë fund spekulimeve e shpresës serbe, por edhe frikës kosovare, për braktisjen e mundshme amerikane të Kosovës e mungesën e interesimit për Ballkanin Perëndimor, vijën ndarëse ku përplasen interesat gjeostrategjike të Perëndimit e Rusisë.

Ndërsa, pala kosovare duhet të maksimizojë prezencën amerikanë në interes të vendit. Qeveria e Kosovës duhet të punojë ngushtë që të përafrojë qëndrimet në mbrojtje të interesit kombëtar duke mos harruar që diplomacia është fushë e kompromisit, ku përveç mprehtësisë e drejtësisë së çështjeve, rol vendimtar luan edhe përkrahja e aleatëve. Përderisa në sytë e Serbisë, ShBA mund të mos e gëzojë kredibilitetin e mjaftueshëm të ndërmjetësit të paanshëm, për kosovarët ShBA është trupëzim i ‘mëshirës’ hyjnore.

Një gjë është e sigurt: amerikanët nuk janë evropianë. Diplomacia amerikanë, ndonëse e ka si për shprehi kyçjen e vonshme në ndërmarrje dialoguese, për dallim nga evropianët i përfundon shpejtë marrëveshjet. Që nga nesër amerikanët mund të jenë sherifët e rinj, e me gjasë do të tronditin burokratët evropianë. E mërkura do të sjellë probleme në ‘parajsën’ e Borrellit e Lajçakut, por bazuar nga përkrahja e gjithë-përhershme amerikane, situata është perfekte për Kosovën.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!