×
Opinione

Çfarë do të thotë fitorja për Ukrainën dhe për Evropën?

Reporteri
04 Maj 2022 | 17:15

Autor: Orysia Lutsevych


Për më shumë se dy muaj, Vladimir Putin është duke u përpjekur që ta fshijë dhunshëm shtetin e Ukrainës nga harta e Evropës. Kjo do të thotë se fitorja për Ukrainën është e domosdoshme, në mënyrë që Evropa të ketë paqe dhe të punojë bashkërisht për të përballuar sfidat globale.

Është më se e qartë se Putini nuk ia ka arritur qëllimit të kapitullimit të Kiev-it. Planet e Rusisë për asgjësim dhe për aneksim të territorit të saj kanë vënë në pah edhe më shumë vullnetin e popullit të Ukrainës për të luftuar si dhe për të fituar këtë luftë. Pra, ne duhet të pyesim: si duket fitorja në të vërtetë?

Për qeverinë e Ukrainës fitorja do të thoshte se ushtria ruse është mposhtur në fushat e betejës së Donbas-it dhe se është zmbrapsur përsëri atje ku ishte vendosur para 24 shkurtit 2022. Ndërkohë sondazhet tregojnë konsensus mes njerëzve në lidhje me kthimin e Krime-së dhe Donbas-it nën kontrollin e Kiev-it, gjithashtu, edhe kundërshtimin e armëpushimit me Rusinë derisa ajo të tërheqë plotësisht trupat e saj.

Ajo se çka nevojitet është krijimi i një forumi efektiv diplomatik për të negociuar tërheqjen e mëtejshme të trupave ruse nga pjesët e pushtuara të Donbas-it, një zgjidhje për të ardhmen e Krime-së, kompensime financiare për dëmet e shkaktuara, ndjekje penale të individëve që kanë kryer krime lufte (Prokurori i përgjithshëm i Ukrainës ka regjistruar më shumë se 800 raste të dyshuara), perspektivën e anëtarësimit në BE për Ukrainën si dhe krijimin e forcave të armatosura në gjendje gatishmërie e në përputhje me forcat e shteteve që përbëjnë NATO-n.

Si do të dukej disfata? Thënë shkurt, çdo gjë që rezulton në një konflikt afatgjatë e që e mbyll Ukrainën në një zonë grit të destabilizimit. Një rezultat jovendimtar që i jep Rusisë avantazh për të pushtuar dhe aneksuar territor është i papranueshëm. Kremlin-i po planifikon aneksim të ri të rajonit Kherson me emrin Tavirya Veriore. Njohja zyrtare e Kiev-it e zgjerimeve territoriale të Putin-it me ndihmën e armëve do të çonte në vdekjen politike të Volodymyr Zelenskiyy-it dhe do të rrezikonte edhe më shumë shtetin ukrainas.

Fitorja nuk do të kishte qenë e lehtë, por, ukrainasit çdo ditë e më shumë besojnë se do të mund ta arrijnë atë. Ky besim, i cili dukej si çmenduri në fillim të luftës, tani është duke u bërë realitet falë suksesit luftarak dhe mobilizimit gjithëpërfshirës të popullit ukrainas. Kjo i ka bindur edhe aleatët kryesorë të perendimit se “Ukraina mund të fitojë”. Sekretarja e jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Lizz Truss, deklaroi bindshëm se “ne do të vazhdojmë të shkojmë përpara dhe me shpejt për ta larguar Rusinë nga e gjithë Ukraina”.

Synimet e Ukrainës përputhen me ato të aleatëve të saj. Për më tepër, këto synime tanimë mbështeten nga “Ligji për Huadhënien e Mbrojtjes së Demokracisë së Ukrainës”, sipas të cilit SHBA do të ndajë 33 miliardë dollarë, kryesisht për mbështetjen ushtarake. Një koalicion i përbërë nga 40 vende ka krijuar një grup të përhershëm këshillues të mbrojtjes për të koordinuar këtë ndihmë.

Ukraina duhet të mposhtë Rusinë në atë që konsiderohet luftë koloniale. Rivendosja e integritetit territorial të Ukrainës dhe paqja si rrjedhojë do të nënkuptonte shembjen e Putinizmit si doktrinë, si dhe fundin e pretendimeve ruse për dominim territorial kudo në Evropën lindore dhe Azinë Qendrore. Demonstrimi se një “bashkim i tokave historike ruse” është e destinuar që të dështojë është e vetmja bazë e qëndrueshme për paqen dhe sigurinë në Evropë.

Fitorja e Ukrainës, gjithashtu, do të parandalonte luftërat vijuese. Rusia i shfrytëzon territoret e pushtuara rishtazi për të nxitur konflikte të mëtejshme. Krimea e aneksuar ishte e domodoshme për operacionin e saj ushtarak në Siri, gjithashtu, edhe për sulmet ruse në Mariupol dhe Kherson. Njësia e shkëputur e Transnistrisë në Moldavi, e cila ishte e mbështetur për dekada nga Rusia, është de-fakto një depo armësh me një bazë ushtarake, që mund të përdoret për të sulmuar Odesen. Ndërsa, Bjellorusia tashmë është duke u shfrytëzuar për të hedhur raketa në Kiev.

Të mos harrojmë, gjithashtu, se po flasim edhe për rrjetin/sistemin ushqimor të botës. Fitorja e Ukrainës do të zvogëlonte rrezikun e një krize masive. Heqja e sanksioneve si përgjigje ndaj një tërheqjeje të plotë eventuale ruse nga Ukraina do të shpinte, gjithashtu, në një ekonomi ruse më të parashikueshme dhe më të qëndrueshme. Ukraina dhe Rusia janë furnizues kyçë në të gjithë hemisferën jugore. Në vende si Somalia, Rusia dhe Ukraina janë 100% importues të grurit. OKB parashikon që nga 8 deri në 20 milionë njerëz do të mbesin të uritur nga pasojat e rritjes së çmimeve si dhe shkatërrimit të zinxhirëve të furnizimit me drithëra, vaj, pleh dhe karburante.

Zgjedhja e kësaj lufte në mënyrë të qëndrueshme do të thoshte se miliona ukrainas do të ktheheshin në shtëpitë e tyre, kështu duke hequr barrën e kujdesit nga shtetet që ata aktualisht janë duke u strehuar. Me shumë se 5 milionë refugjatë ndodhen në qytetet evropiane dhe shuma për ndihmën dhe mbështetjen e tyre është 17 miliardë euro. Shumica nga ta mezi s’presin të kthehen në shtëpitë e tyre, dhe Ukrainës i duhen këta njerëz për rritjen e saj ekonomike dhe modernizimin e saj në të ardhmen.

Përfundimi i kësaj lufte mund të çojë drejt një të ardhmeje me të ndritur ose do të zhytë miliona njerëz në luftë dhe mjerim – dhe jo vetëm në Ukrainë. Kjo është arsyeja se pse ne duhet t’i japim Ukrainës një shans luftimi për fitore. /The Guardian

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!