×
Opinione

Dialogu Kosovë-Serbi: Nevoja për një marrëveshje në Kosovë, para marrëveshjes me Serbinë!

Reporteri
10 Janar 2021 | 14:48

        Autor: Eshref Haxhiu


Një nga çështjet qenësore të qeverisë së ardhshme, që do të dalë nga zgjedhjet e 14-të shkurtit, do të jetë finalizimi i dialogut me Serbinë. Pa arritjen e një marrëveshje me Serbinë, që do të siguronte njohjen e ndërsjelltë në mes të dy vendeve, Kosova nuk do të mund të avancoj në procesin e konsolidimit si shtet i pavarur në arenën ndërkombëtare. Për më keq, prolongimi i mëtejshëm i kësaj marrëveshje, jo vetëm që e pengon, por rrezikon që të zbeh ҫdo dit e më shumë pozicionin e Kosovës.


Në rreth 70-të vite negociata në mes të Palestinës dhe Izraelit, ҫdo herë e më shumë ka shkuar duke u zbehur pozicioni i Palestinës. Palestina, sot e asaj dite, ka mbetur pa njohje të plotë ndërkombëtare dhe pa ulëse në OKB.

Në rastin e Kosovës, dialogu pa marrëveshje, jo vetëm që po e pengon konsolidimin e shtetit tonë në arenën ndërkombëtare, por ҫdo dit e më shumë po thith energji të jashtzakonshme në sferën e brendshme politike dhe shoqërore në Kosovë. Prandaj, në politikën e brendshme, përmbyllja e këtij kapitulli do të mundësonte përqendrimin e energjive tona në probleme të tjera konkrete, si në ekonomi, shëndetësi, arsim, zhvillim dhe prosperitet.

Natyrisht, arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi nuk varet vetëm nga vullneti i Kosovës, por edhe nga vullneti i Serbisë. Por, Kosova, ndonëse nuk e ka dhe nuk mund ta ketë në kontroll vullnetin e Serbisë, mund dhe duhet të ketë në dorë unifikimin e plotë të brendshëm karshi kësaj ҫështje. Dhjetë vitet e fundit të bisedimeve me Serbinë, përveҫ mospajtimeve të shumta me palën tjetër, janë shoqëruar edhe me mospajtime të shumta në mes të palëve në Kosovë. Kjo natyrshëm më pas e ka zbehur pozicionin e Kosovës në dialog dhe ka shkaktuar destabilitet të brendshëm politik në vend. Prandaj, sot, më shumë se më parë, nevojitet një unifikim i plotë i spektrit politik në Kosovë karshi kësaj ҫështje. Në lidhje me këtë, do të ishte e udhës sikur partitë politike në Kosovë të ulën të bisedojnë dhe të arrijnë një konsensus nacional në raport me qasjen në dialog.

Një gjë e tillë do të ishte mirë që të bëhej para zgjedhjeve të 14-të shkurtit, në mënyrë që platforma për dialog të jetë e unifikuar në programet zgjedhore të të gjitha partive politike. Duke vepruar kështu, Kosova do ta forconte pozicionin e vet karshi palës tjetër negociuese (Serbisë), por edhe karshi palës ndërmjetësuese (BE-së dhe SHBA-së). Për më shumë, ky koncensus nacional do të shmangte debatet e panevojshme shoqërore dhe politike në Kosovë në lidhje me atë se kush janë patriotët dhe kush tradhëtarët. Rrjedhimisht do të shmangte polarizimin e mëtejshëm shoqëror dhe politik në vend, të paktën në lidhje më këtë ҫështje. Në fund të fundit, marrëveshja me Serbinë është interes nacional dhe nuk do të mund të finalizohet suksesshëm pa një pajtim nacional.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!