Nëse nazizmi konsiderohet nji nga errësinat ma të mëdha të shekullit XX, atëherë duhet me pas guximin me ba nji pyetje që shumica po e shmang: Cila asht ajo errësinë që po ngjitet sot, pa zhurmë, por me rrënjë të thella?
Historia na mëson se totalitarizmat nuk lindin brenda natës. Ato ushqehen nga pasiguritë, nga boshllëku shpirtëror, nga identitetet e rrënueme, dhe mandej rriten si projekte të nji bote “ma të pastër”, “ma morale”, “ma të udhëzueme”. Kështu ndodhi me nazizmin. Ai lindi në rrënojat e nji Europe të rraskapitun dhe nji Gjermanie të poshtërueme, duke ofru nji armik të jashtëm, nji udhëheqës shpëtimtar dhe nji ideologji që përkohësisht u masku si demokraci, vetëm për me e asgjësu atë ma vonë.
Ky model nuk asht ma kujtim i së kaluemes. Asht pasqyrë. Dhe në të, silueta e islamit politik po shfaqet çdo ditë e ma kjartë.
***
Nuk po flasim për Islamin si besim personal. Përkundrazi, shumë myslimanë të ndershëm janë viktimat e para të kësaj ideologjie. Islami politik nuk asht fe, asht nji program pushteti. Nji program që kërkon me ndërtu nji sistem paralel brenda shteteve demokratike: shoqnor, juridik dhe kulturor. Ai nuk kërkon integrim, por dominim. Nuk kërkon bashkëjetesë, por ndarje. Nuk njeh ligjin laik, por e përbuz si inferior përballë nji kodi të shenjtë të pandryshueshëm.
Kjo ideologji manifestohet qetësisht por qëndrueshëm: me shkolla të ndara, me retorikë të “umetit” përballë “qafirit”, me mohimin e vlerave perëndimore, me shpalljen e ligjit të shtetit si të pavlefshëm përballë “ligjit të Zotit”. Kjo ndodh në Bruksel, Paris, Malmö, Londër… por edhe në lagje të Prishtinës, ku profile me emna fetarë, video të përkthyeme dhe predikime të përditshme përhapin urrejtje ndaj demokracisë dhe laicitetit.
Simptomat janë të njohuna: nji botë paralele që nuk njeh historinë, ligjin, apo identitetin e kontinentit. Dhe ma e rrezikshmja, e gjitha maskohet me fjalë të bukura si “vlera kulturore”, “autonomi komunitare”, “respekt për diversitetin” dhe mbrohet me nji etiketë të fuqishme.. tam tam… “islamofobi”.
Por ky term po përdoret gjithnji e ma shpesh jo për me mbrojt individin nga urrejtja, por për me heshtë çdo kritikë ndaj nji ideologjie që synon me ndërrojë vetë sistemin shoqnor. Ky asht nji mashtrim semantik.
Me kritikue sheriatin, nuk asht islamofobi. Asht mbrojtje e lirive për të gjithë. Ashtu siç kritika ndaj sionizmit nuk të ban antisemit, edhe kritika ndaj sheriatit apo kalifatit nuk të ban islamofob.
***
E këtu lind pyetja që duhet me e ba me za të naltë:
A e dëshiron shqiptari i Kosovës nji shtet nën ligjin e sheriatit?
Nën nji regjim ku gruaja nuk ka të drejtë me dalë pa leje, nuk trashëgon njësoj si burri, nuk dëshmon dot si ai në gjyq?
Ku ndërrimi i fesë ndëshkohet me vdekje, ku muzika e arti shpallen haram, ku fjala e lirë mbytet në emën të “nderit”?
Ku homoseksualët ndëshkohen me varje, dhe ligji nuk vjen nga populli, por nga interpretimi i nji hoxhe?
Nëse kjo tingëllon ekstreme, kujtoni ligjëratën e vitit 2016, ku nji imam i njohun tha publikisht: “Ma mirë me të vdekë çika se me u martu me të krishterë.” dhe ky hoxhë quhet doktorr, të tregon edhe qysh duhet me hanger buk, me flejt, etj.
A jemi të gatshëm me i nda fëmijët në shkolla për “të pastërtit” dhe “të prishunit”? A do me pa shqiptari nji Kosovë ku normat i cakton nji autoritet fetar, e jo nji ligjvënës i zgjedhun? A do me e quajt veten të lirë, por me jetu si nën kalifat?
Jo, këto nuk janë pyetje hipotetike. Janë pyetje urgjente. Sepse heshtja e sotme, mund të jetë nënshtrimi i nesërm.
***
Rreziku asht edhe ma i madh kur fshihet pas gjuhës së viktimës. Kur të drejtat përdoren për me instalu shtypje. Kur demokracia përdoret për me rrxu demokracinë. Nuk jemi ma përballë nji feje, por përballë nji projekti politik që kërkon pushtet absolut në emën të Zotit.
Edhe në Kosovë, kjo po ndodh në heshtje. Imamë të njohun japin “këshilla” që bien ndesh me ligjet. Të rinj deklarojnë në gjykatë se “njohin vetëm ligjin e Zotit”. Fetfat qarkullojnë si paraligje. Ndërsa shoqnia prapë hesht, siç heshti Europa kur totalitarizmi u rrit në zemër të saj.
Na që kemi jetu nën okupim, nuk kemi ma luksin me heshtë. E aq ma pak me u ba avokatë të ideologjive që duen me na nënshtru prapë, kësaj here në emën të Zotit.
***
Sepse kjo nuk asht vetëm nji çashtje politike. Asht nji përplasje vizionesh për vetë njeriun.
Asnji sistem që buron nga kodet zakonore të beduineve të shekullit VII nuk mund me mbizotëru mbi trashëgiminë filozofike të Greqisë, të drejtën romake dhe vizionin biblik të njeriut si imazh i Zotit.
Tradita perëndimore nuk ka qenë e përkryeme, por asht e vetmja që ndërtoi nji rend ku njeriu dhe liria e tij synohet të mbrohet gjithmonë e më shumë, ku ligji respekton ndërgjegjen, dhe ku barazia buron nga dinjiteti i lindun i çdo qenieje.
Europa nuk asht e shenjtë pse asht e pasun, por sepse e pranon kufirin e pushtetit. E ndan shtetin prej fesë. E pranon tjetrin pa e përjashtu vetveten.
Nëse Europa don me mbijetu, dhe nëse Kosova don me e forcu identitetin e vet europian, nuk mjafton me reagu. Duhet me i rikujtu rrënjët tona… Dardaninë, Athinën, Romën dhe Jerusalemin e jo me Arabinë Saudite.
Sepse nëse nuk i rigjejmë, do t’i zëvendësojnë të tjerët. Dhe ideologjia që po vjen, nuk kërkon dialog.
Kërkon nënshtrim. Epo, Jo, s’jemi islamofobë. Thjesht s’jemi trullana!