×
Opinione

Konflikti i papërfunduar

Reporteri
25 Janar 2022 | 13:39

Autor: Afrim Kasolli


Jemi mësuar shpesh që konfliktin politik në Shqipëri ta shohim kryesisht si luftë ndërmjet Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste. Fillimisht ndërmjet Sali Berishës dhe Fatos Nanos si dhe mëpastaj ndërmjet të parit dhe Edi Ramës.

Mirëpo, dinamika e tensioneve politike në Tiranë, jo më pak është kushtëzuar edhe nga një dyshe tjetër. Ajo ndërmjet Edi Ramës dhe Ilir Metës. Pra lufta brenda llojit ndërmjet këtyre dy protagonistëve ka qenë jo më pak e ashpër. Ata kanë pasur një raport të çuditshm që nga dita kur u njohën ndërmjet vete, këtu e dy dekada me parë. Marrëdhëniet e tyre u përcaktuan nga miqësia dhe armiqësia për njeri-tjetrin. Urrejtja dhe dashuria. Bashkëpunimi dhe konkurrenca. Koordinimi dhe intrigat. Aleancat dhe konspiracionet.

E tëra filloi kur Edi Rama hyri në politikën shqiptare me një stil prej artisti bohem, pas ftesës që i kishte bërë Fatos Nano. Aleanca e tyre u pa me befasi nga shumëkush. Një artist me frymë “rrebele” dhe një politikan që kishte kaluar të gjitha hallkat e partisë për të ardhur deri në kupolën e saj.

Pas këtij katapultutimi ata e ndërtuan një pakt të heshtur në fillim të viteve 2000 kundër “patriarkut” të partisë Fatos Nano. Por edhe konspiruan kundër njëri tjetrit po ashtu te ish- lideri i partisë.

Ndihma e Ilir Metës ishte vendimtare për Edi Ramën që ta fitonte pozitën e kryetarit të Tiranës. Pas këtij suksesi pozita e tij në parti erdhi duke u konsoliduar. Kurse kur shpërtheu konflikti tjetër ndërmjet Metës dhe Nanos, Rama u tërhoq në margjina duke pritur bilancin e duelit. Ai konflikt përfundoi me skizmë në Partinë Socialiste. Çarje kjo nga e cila ajo i humbi zgjedhjet. Fatos Nano dha dorëheqje dhe pozitën e të parit të partisë e mori Edi Rama.

Tani këta dy ishin në parti të ndryshme. Fillimisht u duk se u qetësuan gjakrat. Por kjo heshtje vrastare nuk ishte asgjë tjetër pos një qetësi para stuhisë. Afëria e Edi Ramës me Sali Berishën për të votuar ndryshimet kushtetuese, ndryshime këto që synonin të goditnin partitë e vogla dhe ne fund koalicioni i Ilir Metës me Sali Berishën për të qeverisur së bashku e helmuan pafundësisht raportin në mes Metës dhe Ramës. Pas këtij tensioni Edi Rama e humbi kryeqytetin pikërisht për shkak të njeriut që e kishte ndihmuar atë ta fitonte në fillim të shekullit.

Por, që Edi Rama, të ishte i sigurt për fitoren e tij për zgjedhjet e vitit 2013 u detyrua edhe një herë ta kurorëzojë lidhjen politike me Ilir Metën. Pra këta dy pasi e kishin çnderuar publikisht njëri tjetrin, tani vendosën t’ia kumtojnë dashurinë politike njëri-tjetrit përsëri. Kalkulimi doli i saktë. Aleanca për Shqipërinë Evropiane i fitoi zgjedhjet. Mandati qeverisës ishte po ashtu jo pa tensione, fërkime dhe vrerosje. Deri sa i erdhi fundi. Ilir Meta u zgjodh president. Dhe Edi Rama i fitoi zgjedhjet si një “kalorës i vetmuar” në 2017.

Ndërkohë, raportet ndërmjet këtyre institucioneve gjatë kësaj periudhe pak a shumë dihen nga të gjithë ne.

Dhe ja ku jemi sot me Edi Ramën në mandatin e tretë qeverisës dhe Ilir Metën në fund të mandatit presidencial. A ka gjasa që ky konflikt të vazhdojë ende? Dhe që beteja politike të zhvillohet ekskluzivisht ndërmjet këtyre dy “vëllezërve siamez”. Sidomos, kur marrim parasysh faktin se Partisë Demokratike ka kohë që i ka humbur rruga në oborr. Dhe po ashtu Partia Socialiste nuk ka ende ndonjë trashëgimtar politik që do ta zëvendësonte Edi Ramën. Sepse ky i fundit ka kohë që është rrethuar vetëm nga disa “eunukë” politikë. Kështu, mund të ndodhë që Edi, me apo pa vullnetin e tij, do të “detyrohet” ta vazhdojë drejtimin e të majtës.

Një gjë është e sigurt. Ky konflikt nuk ka përfunduar ende. Madje ai vetëm sa ka gjasa të rikthehet më tërë forcën e tij “destruktive”. Kuptohet për momentin Edi Rama është në përparësi të madhe në raport me Ilir Metën. Por se cili do jetë fundi mbetet të shihet.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!