×
Opinione

Krahasimet mashtruese të Putinit

Reporteri
16 Maj 2022 | 11:40

Autor: Afrim Kasolli


Është bërë e zakonshme që, sa herë që presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të takohet me diplomatë perëndimorë ta krahasojë të drejtën për pavarësi dhe vetëvendosje të rajoneve të Luhansk-ut dhe Donetsk-ut në Ukrainë me rastin e Kosovës. Pra, sipas tij, shpallja e pavarësisë së Kosovës nga ana autoriteteve të saj politike dhe institucionale, në kundërshtim me vullnetin e Serbisë, është një precedent tipik, se përse edhe rajonet e banuara me shumicë rusisht-folëse në lindje të Ukrainës, i kanë të njëjtat të drejta që t’i krijojnë shtetet e tyre, pa e respektuar vullnetin e autoriteteve qendrore të shtetit të Ukrainës. Për më tepër, ai pohon se këtë standard e ka vulosur edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, kur konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nga institucionet e saj nuk i ka shkelur parimet e së drejtës ndërkombëtare.

Madje, Moska zyrtare, krahas propagandës për denazifikimin e Ukrainës, krahasimin me rastin e Kosovës dhe konfliktin ndërkombëtar që pat shpërthyer ndërmjet NATO-së dhe ish-Jugosllavisë, për shkak të intervenimit ushtarak të Aleancës Veri-Atlantike kundër forcave policore dhe militare të atij shteti, për të mbrojtur popullsinë civile, e ka përdorur që nga shpërthimi i krizës në Ukrainë në vitin 2014. Dhe gjithmonë këtë e ka bërë në forma të ndryshme dhe varësisht se si i ka konvenuar asaj për t’i justifikuar politikat e saj imperiale kundër këtij shteti. Apo edhe për të sulmuar vullnetin demokratik dhe orientimin pro-perëndimor të shoqërisë ukrainase.

Bie fjala, sipas zyrtarëve të këtij shteti, NATO s’kishte bazë për të intervenuar atëbotë, por mediat perëndimore e fabrikuan një kauzë të tillë. Madje, sipas Jade MCgynn nw shkrimin e botuar në Foreign Policy “Why Putin Keeps Talking About Kosovo” për ministrin e punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, ngjarjet revolucionare të Euromaiddan-it, të cilat rezultuan me përmbysjen nga pushteti të presidentit të deriatëhershëm Viktor Yanukovych, një aleat ky i Putinit, ishin identike me mënyrën se si vendet perëndimore, në krye me SHBA-të, kishin komplotuar me një pjesë të opozitës në Serbi, me qëllim që ta rrëzonin nga froni ish-presidentin e ish-federatës Jugosllave, Sllobodan Milosheviq. Krahasime të tilla tregojnë më mirë se asgjë tjetër, se zhvillimet që lidhen me Kosovën tash e një kohë të gjatë, janë shndërruar në referencë të politikës së jashtme ruse.

Këtë strategji propagandistike të Putinit për qëllimet e tij subversive e ka detektuar në mënyrë të përsosur, shumë më herët, studiuesi i së drejtës ndërkombëtare Marc Weller, në librin e tij të njohur “Shtetësia e kontestuar– administrimi ndërkombëtar i luftës së Kosovës për pavarësi”. Pavarësisht faktit se këto raste nuk kanë asgjë të përbashkët, sipas, M. Weller, Putini në mënyrë të njëanshme pat filluar ta përdorë pavarësinë e Kosovës si precedent për të justifikuar mbrojtjen që po u bënte rajoneve secesioniste të Osetisë Jugore dhe Abkhazisë në Gjeorgji. Kurse mënyra se si e bënte këtë krahasim kishte për qëllim që në të vërtetë t’i mjegullojë kushtet e veçanta që çuan në pavarësimin e Kosovës. Pra, më shumë se si precedent, kjo qasje po i shërben si pretekst, për situata që nuk kanë asnjë lidhje me zhvillimet në Kosovë.

Ai flet për të drejtën për vetëvendosje që duhet ta gëzojnë këto rajone, por nuk e specifikon se për cilën të drejtë për vetëvendosje është fjala. Sepse, siç dihet, Kosovës iu mohua kjo e drejtë sipas parimeve klasike të vetëvendosjes, ku mjafton vullneti politik i një segmenti të popullsisë për ta kumtuar atë botërisht, që ta fitojë njohjen ndërkombëtare. Madje, Kosova u privua nga e drejta për shtetësi edhe sipas kritereve të përcaktuara nga Komisioni i Badinterit me rastin e dezintegrimit të ish-Federatës Jugosllave. Ky komision pat rekomanduar se vetëm republikat mund ta gëzojnë të drejtën e shtetësisë. Pasi Kosova nuk ishte e tillë, por vetëm njësi autonome në kuadër të këtij shteti, ajo e humbi këtë mundësi.

Mirëpo, Kosova u bë shtet, pas një procesi të gjatë politik dhe historik, ku dhuna e shfrenuar e regjimit të Beogradit kundër popullsisë civile shqiptare e mbylli çdo alternativë tjetër. Krimet e shtetit serb kanë qenë të mirë dokumentuara nga organizatat kredibile ndërkombëtare Dhe po ashtu, pasi Serbia i kishte refuzuar paraprakisht të gjitha opsionet tjera që i pat ofruar diplomacia ndërkombëtare për zgjidhjen e këtij problemi.

Rrjedhimisht, rrugëtimi i Kosovës deri te shpallja e pavarësisë është një rast unik. Dhe nëse mund të aplikohet ndonjë kategori e së drejtës për vetëvendosje në rastin e Kosovës, ajo është “vetëvendosja zhdëmtuese ( remedial seli-determintion)”. Kjo e drejtë mund të fitohet vetëm në saje të një dëmi të shkaktuar nga qeveria ndaj një grupi që kërkon shkëputjen, dëme këto që mund të jenë shkelje e të drejtave të njeriut, spastrimi etnik apo përjashtimi në vendimmarrje i grupit për të cilën bëhet fjalë”.

Në këtë kontekst, po të donte Putini të ishte mirëfilli konsekuent për ta shndërruar rastin e Kosovës në precedent edhe për konflikte të tjera, atëherë shumë më i ngjashëm është fati i Çeçenisë me të, se sa i rajoneve që ai pretendon se duhet ta gëzojnë këtë të drejtë. Përkundrazi, qeveria qendrore në Ukrainë nuk ka ndërmarrë kurrë fushata të spastrimit etnik kundër popullsive rusisht-folëse në republikat e vetëshpallura të pavarura të Donestkut dhe Luhanskut, apo më herët në Krime. Ato janë entitete që u krijuan drejtpërdrejt si rezultat i politikës agresive dhe pushtuese ruse. Madje, Kievi ka dëshmuar vullnet të plotë politik për t’ua garantuar të gjitha të drejtat e mundshme popullsive lokale në këtë regjion. Marrëveshja e Minskut, e arritur ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, me ndërmjetësimin e Francës dhe Gjermanisë, është dëshmi për këtë. Dokument ky që u shpërfill katërçipërisht nga vetë Moska zyrtare.

Këto fakte tregojnë më mirë se asgjë tjetër se kjo politikë krahasuese nuk qëndron. Por ajo potencohet nga politika e jashtme e shtetit të Rusisë, krahas interesave momentale gjeopolitike, edhe me qëllim që të shpërdorohet një e drejtë që do të mund të shërbente në të ardhmen si parim ndërkombëtar për qeveritë qendrore, që nëse nuk demonstrojnë vullnet demokratik për t’i zgjidhur konfliktet e brendshme ndëretnike, atëherë bota nuk do t’i tolerojë skenat morbide të krimeve monstruoze, si ato që i kishte aplikuar regjimi i Milosheviqit në Kosovë.

Pra, ky parim do të mund të shërbejë si paralajmërim se kur një “segment i definuar, me rëndësi kushtetuese, i popullsisë së shtetit i është nënshtruar represionit të vazhdueshëm, ku është përjashtuar nga qeverisja në hapësirën e vet kompakte të jetesës si dhe nga shteti qendror, dhe i cili i është ekspozuar fushatës sistematike dhe të zgjeruar për zhvendosjen e vet të përhershme, doktrina e unitetit territorial do të mund ta humbte fuqinë e vet bindëse”.

Afirmimi i këtij parimi në imperativ ndërkombëtar do të hapte horizonte të reja të demokratizimit në marrëdhëniet ndërmjet popujve. Po ashtu, do t’i disiplinonte qeveritë qendrore nga rreziku që i pret nëse nuk sillen në pajtim me rregullat demokratike dhe mendojnë që vetëm më anë të dhunës dhe metodave represive mund t’i zgjidhin konfliktet ndëretnike e ta ndërtojnë paqen e brendshme.

Mirëpo, abuzimi që po i bën Putini këtij rregulli, tregon se ai është i interesuar që t’i shkatërrojë pikërisht potencialet që i mbart kjo e drejtë në të ardhmen. Sepse, në këtë mënyrë tenton t’i maskojë ato, si krimet e kryera nga regjimi i Milosheviqit në Kosovës, ta atakojë botën perëndimore se e ndërtoi një shtet mbi një mashtrim fondator, ashtu edhe të ketë mundësi ta vazhdojë politikën e dhunimit të së drejtës ndërkombëtare duke i sulmuar shtetet e pavarura të njohura ndërkombëtarisht, pa asnjë arsye; t’i shndërrojë parimet humanitare në ideologji të interesave të tij gjeopolitike dhe t’i maskojë metodat tipike luftënxitëse të shekullit XIX me retorikë të shekullit XX.

Prandaj, është me rëndësi që, krahas luftës kundër lajmeve të rreme, të çmontohet edhe kjo propagandë, sot më shumë se kurrë më parë. Sepse, vetëm në këtë mënyrë mund të mbrohet e drejta e viktimave kurdo që regjime të tilla jo demokratike prodhojnë me politikat e tyre.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!