×
Opinione

Lamtumirë dështimit

Autor:Daniel Serwer
17 Maj 2024 | 10:17

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak, të dy me mandate për Ballkanin Perëndimor gjatë tre vjetëve të fundit, po e japin lamtumirën e tyre në Washington këtë javë. Bëhet fjalë për dy diplomatë me përvojë që e njohin mirë Ballkanin. Ata kanë bashkëpunuar pa shumë fërkime. Çështja më e madhe e dukshme ka qenë mbështetja amerikane për “Ballkanin e Hapur”, një skemë e lehtësimit të tregtisë. Evropianët me të drejtë e panë atë si të panevojshme dhe dyfishim të përpjekjeve të tyre në atë që njihet si “Procesi i Berlinit”.

Por Lajçak dhe Escobar nuk arritën të prodhonin normalizim politik midis Kosovës dhe Serbisë, të cilin ata e bënë prioritetin e tyre kryesor.

Çfarë shkoi keq?

Escobar dhe Lajçak nisën keq dhe përfunduan edhe më keq. Ata i premtuan Beogradit se do ta prioritizojnë krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe brenda Kosovës. Ata përfunduan pa përparim të rëndësishëm në atë prioritet të gabueshëm.

Prishtina ishte zotuar për Asociacionin në një marrëveshje të Brukselit në vitin 2013. Por Escobar dhe Lajçak neglizhuan që Beogradi të jepte ‘quid pro quo”-n. Përveç Asociacionit, marrëveshja e Brukselit njeh vlefshmërinë e Kushtetutës së Kosovës dhe sistemit të drejtësisë në të gjithë territorin e saj, bën serbët të marrin pjesë në institucionet qeverisëse të Prishtinës dhe zotohet se Kosova dhe Serbia do të avancojnë në BE pa i ndërhyrë njëra-tjetrës.

Beogradi ka refuzuar të gjitha këto angazhime. Ai ka mbajtur ‘de facto’ qeverisjen mbi popullatën serbe në lokalitetet me shumicë serbe në veri të Kosovës. Beogradi organizoi bojkotimin e zgjedhjeve komunale atje. Beogradi gjithashtu tërhoqi zyrtarët serbë nga policia dhe gjykatat. Dhe Serbia ka bërë gjithçka që është e mundur për të penguar hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Beogradi pastaj kaloi në ofensivë

E frustruar me dështimin e BE-së dhe ShBA-së për Asociacionin, Serbia vitin e kaluar vendosi t’i përkeqësojë gjërat. Ajo rrëmbeu dy policë kosovarë nga territori i Kosovës, huazoi një turmë për të sulmuar paqeruajtësit e NATO-s brenda Kosovës dhe organizoi një sulm terrorist që supozohej të jepte justifikimin për një ndërhyrje ushtarake serbe.

Kah fundi i vitit të kaluar, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq po shfaqte shpresë për ndryshime të kushteve gjeopolitike, përfshirë rizgjedhjen e Donald Trump, që do t’i mundësonte Serbisë ta rimerrte një pjesë ose edhe gjithë Kosovën. Qeveria serbe e sapo inauguruar përfshin mbështetës të zëshëm të pushtimit rus të Ukrainës dhe avokatin kryesor të “Botës serbe”, një eufemizëm për Serbinë e Madhe.

Politika ka nevojë për një rivendosje

Qartazi, politika perëndimore ndaj Serbisë nuk po funksionon. Uashingtoni dhe Brukseli nuk po bëjnë më mirë me Kosovën. Prishtina ka refuzuar të lëvizë drejt Asociacionit, megjithë “pasojat” e kushtueshme evropiane dhe denoncimet e ashpra amerikane. Vetëm nëse Beogradi zbaton dispozitat e tjera të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, Prishtina do të përgjigjet natyrisht. Vuçiq nuk është në disponim për ta bërë atë.

Suksesi kërkon një rivendosje. Dialogu politik i nisur në vitin 2013 për marrëveshje ka dështuar dukshëm për më shumë se një dekadë. Sa më shumë që kishte dialog teknik, ishte më i suksesshëm. Fokusi ishte në çështje që mund të prodhonin përfitime të dukshme për qytetarët e të dyja vendeve. Pavarësisht zbatimit të larshëm, rezultatet ishin thelbësore. Edhe sot, Prishtina dhe Beogradi kanë bërë më mirë me çështje praktike si targat dhe dokumentet e identitetit sesa normalizimin politik.

Ky është drejtimi i duhur për të ardhmen. Normalizimi politik tani për tani është një urë shumë e largët. Serbia nuk do të jetë e interesuar të dorëzojë pretendimet e saj për sovranitet në Kosovë derisa lufta në Ukrainë t’i japë fund aneksimeve ruse atje. Kosova nuk do të jetë e interesuar për formimin e Asociacionit derisa të ketë besim se Serbia e pranon sovranitetin dhe integritetin e saj territorial. Por si Beogradi ashtu edhe Prishtina mund të mirëpresin zbutjen e lëvizjes përmes kufijve të tyre të ndërsjellë dhe duke mundësuar më shumë tregti të ligjshme dhe biznes.

Prishtina me të drejtë ka filluar të insistojë në përdorimin e monedhës së saj zyrtare, euros, në transaksionet brenda Kosovës. Por kjo po krijon probleme për qytetarët serbë, të cilat marrin subvencione nga Beogradi në dinarë serbë. Ky është lloji i çështjes praktike ku BE dhe ShBA duhet të fokusohen. Beogradi dhe Prishtina duhet të bien dakord për transparencën për subvencionet e Serbisë për komunitetin serb brenda Kosovës, gjë që do të ndihmonte në zgjidhjen e çështjes së monedhës. Ky është drejtimi praktik në të cilin qëndrojnë perspektivat për sukses.

Lamtumira ndaj dështimit kërkon marrjen e prioriteteve të duhura.

Ky opinion u shkrua nga Profesori amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!