×
Opinione

Largimi i ShBA-së nga Afganistani, a do të vazhdojnë t’i besojnë aleatët Amerikës?

Reporteri
19 Gusht 2021 | 18:31

Autor: Jonathan Marcus/BBC


Nxitimi i Administratës Biden për ikjen nga Afganistani është shoqëruar me një nxitim të ngjashëm mes ekspertëve dhe komentatorëve për të gjykuar, të cilët në përgjithësi kanë kritikuar presidentin amerikan për një vendim që shumë e shohin si të panevojshëm dhe një tradhëti.


Pamjet prekëse nga aeroporti në Kabul vetëm e përforcojnë këtë mesazh. Dhe është e justifikueshme të ketë një sasi të madhe emocionesh. Perëndimi ka investuar shumë gjak, kohë dhe para në Afganistan. Populli afgan, shumë më shumë.

Është shumë e vështirë të argumentohet me kritikat për largimin e shpejtë të administratës Biden. Afganistani me të vërtetë mund të jetë i pashpetueshëm, strukturat e tij qeverisës shumë të papërfaqësuara dhe të korruptuara. Kjo megjithatë thekson argumentin se Afganistani nuk ishte ‘humbur’ në dy vitet e fundit, por gjatë 20 viteve paraprake.

Sidoqoftë, vendimi për të ikur nga Afganistani po shihet si një goditje e tmerrshme ndaj besueshmërisë së ShBA-së – në qëndrueshmërinë e saj si partner dhe në të vërtetë për pozitën e saj morale në çështjen botërore. Si shkon kjo me qëndrimin e Biden gjatë marrjes së Zyrës Ovale se Amerika është kthyer?

Krahasimet janë duke e bërë me Vietnamin

Ngjashmëritë me helikopterët që i largojnë shtetasit amerikanë nga një qytet në rënie janë të parezistueshme për faqet kryesore të gazetave. Por në realitet, përkundër ngjashmërive sipërfaqësore, ka disa dallime të rëndësishme po ashtu.

Vietnami i Jugut kolapsoi dy vite pasi trupat amerikan u larguan. Në të vërtetë, duket sikur amerikanët prisnin që aleatët e tyre afganë të ushtronin pushtet për një periudhë të rëndësishme pa ta. ShBA u përul nga Vietnami – popullsia e saj ishte thellësisht e ndarë dhe morali i saj ushtarak i dëmtuar. Por, përderisa Vietnami doli të ishte një shfaqje tragjike anësore në Luftën e Ftohtë, Shtetet e Bashkuara përsëri e fituan atë garë. NATO nuk u dobësua. Aleatët amerikanë në të gjithë globin nuk u shmangën nga pritja e mbështetjes amerikane. SHBA mbetën superfuqia e shquar.

Afganistani është krejtësisht i ndryshëm. Ndarjet e brendshme në ShBA mbi këtë konflikt nuk kanë qenë në asnjë mënyrë të krahasueshme me atë të Vietnamit. Misioni në Afganistan ishte padyshim jopopullor në shtëpi, por nuk kishte tubime masive kundër tij.
Sidoqoftë, konteksti i sotëm ndërkombëtar është dramatikisht ndryshe nga ai i viteve 1970. ShBA, në të vërtetë Perëndimi në përgjithësi, është e angazhuar në gara të ndryshme, në disa prej të cilave është plotësisht fituese. Kolapsimi i afganëve është potencialisht një katastrofë në të ashtuquajturën luftë kundër terrorizmit. Por, në një konflikt më të gjërë ndërmjet demokracisë dhe autoritarizmit, dështimi i Washingtonit mund të shihet vetëm si një prapakthim serioz.

Do të këtë buzëqeshje në Moskë dhe Pekin, të paktën tani për tani. Modeli perëndimor i ndërhyrjes liberale, i promovuar si një mjet për përhapjen e demokracisë dhe sundimit të ligjit, ndoshta është testuar deri në shkatërrim në Afganistan. Nuk mund të ketë entuziazëm për ndërmarrje të ngjashme në të ardhmen.

Aleatët e Washingtonit që u bashkuan në projektin e Afganistanit janë duke u bërë më të mençur. Ata ndihen të zhgënjyer keq. Edhe ministrat britanikë, xhelozë “për marrëdhëniet e tyre speciale” me Washingtonin, kanë qenë hapur kritikë ndaj vendimit të Presidentit Biden.

Dhe për aleatët evropianë të Amerikës në përgjithësi, vë në pah se sa të varur janë ata nga SHBA dhe sa pak pikëpamjet e tyre llogariten sapo Shtëpia e Bardhë të vendosë të shkojë në një drejtim specifik.

Lajmet e këqija për Perëndimin

Sa të qëndrueshme do të jenë buzëqeshjet në Pekin, Moskë dhe madje në Islamabad? Ishte Pakistani që ushqeu dhe u dha strehë talibanëve për qëllimet e veta gjeostrategjike. Por nëse sundimi i ripërtërirë i talebanëve prodhon vetëm një prapakthim të orës – atëherë Pakistani mund të zbulojë që trazirat në rritje në rajon do të kenë pasoja konsekuenca negative.

Kina është e lumtur të shohë dështimin e SHBA-së. Në të vërtetë, nëse arsyeja e Bidenit për t’u tërhequr nga Afganistani ishte për shkak të dëshirës së tij për të rifokusuar fuqinë kombëtare amerikane për të rivalizuar një Kinë në ngritje, atëherë ky hap thjesht i ka dhënë Kinës një mundësi për të zgjeruar ndikimin e saj në Afganistan dhe më gjërë.
Sidoqoftë, edhe Kina duhet të ketë shqetësime. Ajo ndaj një kufi të shkurtër me Afganistanin. Është në mënyrë aktive duke i përndjekur minoritetin e saj mysliman dhe duhet të shqetësohet për mundësinë që terroristët islamist anti-Pekin mund të përdorin Afganistanin si një bazë të tyre. Nuk është çudi që diplomacia kineze gjatë javëve të fundit ka qenë e etur për t’u involvuar me talebanët.

Gjithashtu edhe Rusia duhet të ketë shqetësimet e saja në lidhje me rikthimin e paqëndrueshmërisë dhe terrorizmit. Ndoshta ndihet pak më mirë për veten tani që SHBA është përulur nga luftëtarët fisnor afgan, sikurse Bashkimi Sovjetik në fund të viteve 1980-ta.

Por interesi kryesor është siguria e një pjesë të madhe të Azisë Qendore, shumë prej shteteve janë aleate të Moskës. Këtë verë, Rusia transferoi tanke në kufirin Tagjikistan-Afganistan për stërvitje që synonin demonstrimin e vendosmërisë së saj për të parandaluar çdo ndikim të rënies afgana.

Pra në afat shkurtër, nga debakli afgan sigurisht përfitojnë kundërshtarët e Perëndimit. Por qëndrimet e tyre nuk do të ndryshonin megjithatë.

Çfarë në të vërtetë ka rëndësi janë pasojat tek aleatët e Washingtonit. Çfarë do të mësojnë nga përvoja afgane? Përtej krizës së menjëhershme, a do shohin ShBA-në vendet e NATO-s, Izraeli, Taiwani, Koreja e Jugut dhe Japonia si një partner më pak të besueshëm? Nëse kështu ndodh, atëherë vendimi i Bidenit për të lënë Afganistanin do të jetë fatale./BBC/Përktheu nga anglishta Gazeta Online “Reporteri.net”.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!