×
Opinione

Letër nga një gazetar

Reporteri
07 Shkurt 2022 | 16:35

Autor: Leonard Kerquki


Për gabimin tonë në Express. Për kolegët, drejtuesit e mediave në Kosovë. Dhe, për pushtetin, që po kërkon koka gazetarësh

Një komunikim i papërgjegjshëm mes gazetarit dhe redaktores së Gazetës Express po përpiqet të shndërrohet në një skandal të madh përmes të cilit do të mbuloheshin krejt skandalet e pushtetit aktual. E dini për çfarë e kam fjalën. Në esencë, madje, është vetëm një fjalë prej të cilës po ndërtohet krejt rrëfimi. Qepoj. Pra, pushteti mendon se e ka në dorë screenshot-in që shpërfaq krejt konspiracionin e mediave kundër tij. E kjo i shërben pastaj edhe për diçka tjetër, shumë më të madhe se sa mbulimi i ndonjë skandali të sotshëm. Përmes tij synohet të legjitimohet në publik linçimi ndaj mediave dhe gazetarëve.

Por, le t’iu shkojmë gjërave me radhë.

Të enjten mbrëma, gazetari i Gazetës Express e kishte shkruar një shkrim rreth skandalit të shpenzimeve të udhëtimit të deputetëve. Kishte aty deputetë të të gjitha partive, por në spikamë vendosej një deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, Yllëza Hoti, meqenëse pretendohej se ajo i kishte marrë mëditjet nga Kuvendi me pretendimin se udhëtonte nga Prizreni, ndërkohë që banonte në Prishtinë. Kur gazetari e kishte përfunduar tekstin, ishte ora 00:35 dhe në komunikim me eprorin, teksti ishte lënë të publikohej të nesërmen. Ishte ndoshta teksti i 400-të që ishte shkruar atë ditë nga gazetarët e Express-it. Të nesërmen redaktorja e kishte shikuar tekstin dhe meqenëse bëhej fjalë për tekstin e një gazetari senior, nuk e kishte shikuar me vëmendje. Teksti ishte publikuar në orën 12:10 në Gazeta Express. Kur gazetari e vëren se është publikuar edhe shënimi i tij i papërgjegjshëm për redaktoren, e alarmon situatën dhe fjalia hiqet shpejt. Pa zhurmë në redaksi. Por, teksti si i tillë ishte marrë tashmë nga dhjetëra portale dhe ishte shpërndarë gjithandej.

Unë e kuptoj situatën rreth orës dy, kur zyrtarët e partisë në pushtet kishin filluar tashmë ta shpërndajnë tekstin, duke e vënë barrën mbi portalin EkonomiOnline. Shpejt reagon edhe drejtuesi i këtij portali, i cili pretendon se teksti është i Gazetës Express dhe se ai është publikuar në portalin e tij nga një “praktikante e papërgjegjshme”, dënimi “kapital” ndaj të cilës tashmë i ishte dhënë. Arrij ta kuptoj shumë vonë krejt ngjarjen dhe mbi të gjitha të vërtetën rreth asaj se teksti është i yni. Nuk kam dashur të reagoj pa e kuptuar plotësisht të vërtetën dhe mbi të gjitha pa hequr dyshimet për ndërhyrje nga jashtë redaksisë.

Sot unë kam një shpjegim për krejt këtë situatë dhe ai është fare i thjeshtë: ishte një komunikim i papërgjegjshëm mes kolegësh, pa asnjë pasojë apo dëm për Presidenten. Edhe ashtu, ata nuk vendosin për politikën editoriale të mediumit. Paragrafi që pretendohej se mund të ishte “qepues” për Presidenten, ishte në fakt një përmbledhje faktesh dhe ngjarjesh që kishin ndodhur. Ai s’kishte si të hiqej, pasi që shpjegonte thelbin e tekstit dhe s’ishte aspak qepues. Mbi të gjitha, nuk bëhet fjalë se përmes këtij komunikimi zbulohej ndonjë montazh apo konspiracion.

Normalisht, në aspektin profesional, ky është një gabim i rëndë për të cilin do të merren masa konform Rregullores se mediumit dhe Ligjit të Punës. Pra, mos të krijohet përshtypja se kjo çfarë është publikuar na bën nder si medium. Përkundrazi. Na turpëron, profesionalisht. Në këtë kontekst, madje, unë i kërkoj falje të sinqertë Presidentes nëse ndihet e fyer apo e cenuar nga një lëshim i tillë.

Por, për çfarë etike po flasim dhe nga kush? Paragrafi “qepues” fliste për publikimin e shpenzimeve të Presidentes Osmani apo krahasimet e shpenzimeve të saj më presidentët paraprakë. Jam i bindur se kur Presidenca i ka publikuar ato shpenzime vetëm një gjë e ka pasur parasysh: si t’i qepohet Presidentit Thaçi, i cili aktualisht ndodhet në Hagë. Pra, ne tregojmë si po e ruajmë paranë publike dhe i vendosim disa tabela ku shihet se Thaçi ka shpenzuar kaq apo aq. Jam i bindur se në komunikimin e tyre, para se të hartoheshin tabelat, këshilltarët e Presidentes diku e kanë përmendur fjalën qepim. Po i qepojmë Thaçit.

Në fakt, krejt karriera e Osmanit dhe Kurtit përshkruhet vetëm me këtë fjalë. Ata i kanë qepuar secilit kundërshtar politik, mik apo mikeshe për të ardhur aty ku kanë ardhur. E tash, kur brenda taborit të tyre shohin sesi deputetët e tyre i qepojnë naftës me para të shtetit, tentojnë të dalin nga situata duke e shfrytëzuar një komunikim të papërgjegjshëm të një gazetari me eprorin e tij, e përmes tij ta ndërtojnë rrëfimin për konspiracionin e madh të mediave kundër tyre.

Nuk çuditem nga ta. As nga disa analistë e gazetarë të pushtetit.

Më habisnin disa kolegë, drejtues mediash, që në publik mundohen të duken si drejtues mediash shumëmiliardëshe të Amerikës Veriore apo Evropës Perëndimore. Unë them me përgjegjësi që gabimet si ky i fundit apo të tjera që kanë dalë më herët apo që do të dalin ndërkohë, janë përgjegjësi edhe e drejtuesve të mediave.

Pse, do të thoshit ju.

Ne përpiqemi të tregohemi si drejtues të mediave që mbajnë standarde profesionale të New York Times, The Guardian apo FAZ, ndërkohë që funksionojmë me minimum të punëtorëve në redaksi, e të cilët janë të mbingarkuar – si punëtorë të fabrikave diku në Republikën Popullore të Kinës. Një portal në Kosovë, zakonisht, i ka rreth 10 gazetarë të cilëve ne ua kërkojmë t’i publikojnë afërsisht 400-500 tekste në ditë. Potencialisht, krejt këto tekste i kanë diku 50 mijë fjalë me të cilat do të mbusheshin diku 100 faqe libri. E paramendoni në çfarë intensiteti të punës punojnë? E pastaj, kur të ndodhin gabime, çka bëjmë ne si drejtues mediash? Normalisht i flakim prej punës këta gazetarë të gjorë që vijnë prej rretheve duke i ndërruar dy apo tre autobusë. Kjo situatë është në të gjitha mediat. Absolutisht në të gjitha mediat. Unë, para se të jem Drejtor, jam gazetar dhe njeri që kolegët e tij nuk i sheh prej prizmit të një menaxheri gjakftohtë, por të një kolegu që ua di hallet dhe defektet secilit. Mbi të gjitha, e njeh kontekstin shoqëror në të cilin janë rritur dhe në të cilin jetojnë.

Mediat në Kosovë, në 20 vjetët e fundit, kanë investuar pak ose aspak në këtë gazetarë që i eksploatojnë. As nuk i dërgojnë në trajtime, as në seminare, as në udhëtime jashtë vendit. Në fakt, kur ambasadat në Kosovë duan ta dërgojnë ndonjë gazetar për trajnime në Amerikë apo në BE, në ato raste shkojnë drejtuesit e mediumeve. Është një fotografi e famshme nga Washingtoni një vit më parë që e ilustron këtë shembull, e ku në ballë të saj jam edhe unë.

Pra, për çfarë morali po flasim dhe nga kush?

Tjetra, bota njeh mijëra raste të tilla, mijëra gabime të qëllimshme e të paqëllimshme. Apo edhe rrjedhje të bisedave private në publik. Por, përmes tyre nuk mund të ndërtohen rrëfime konspirative. Në masë të madhe janë thjesht dhe vetëm gabime dhe pakujdesi njerëzore.

Pushteti e di këtë, por kërkon koka gazetarësh. Prandaj, nuk i bën nder kolegëve apo kolegeve gazetare që të jetë me pushtetin, e jo me gazetarët në këtë rast. Nuk po flas për mercenarë të gazetarisë, por për gazetarë të njëmendtë.

Për fund, i siguroj lexuesit e Gazetës Express se po punojmë shumë që të përmirësohemi dhe se nuk kemi agjenda personale e as politike – ndaj askujt. Do të jemi kritikë ndaj të gjithëve dhe do t’i mbajmë në distancë secilin subjekt politik.

Do ta bëjmë Gazetën Express shumë më të mirë seç është aktualisht – jo për shkak se këtë e kërkon pushteti i sotshëm, por për shkak të profesionit tonë të shenjtë. Gazetarisë.

*(Autori është Drejtor i Gazetës Express dhe T7)

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!