×
Opinione

Magjia e një qyteti dhe historia e filozofit dhe sundimtarit

Reporteri
18 Korrik 2021 | 14:04

Autor: Afrim Kasolli


Çdo vizitë në një qytet madhështor është njëkohësisht përndritëse, magjike, tronditëse e madje edhe mekëse. Sirakuza të gudulis me stilin e saj të ndërtimit, arkitekturën, klimën, historinë dhe thesaret e saj kulturore që i ruan me një fanatizëm të veçantë.


Zbardhëllimi që shfaqin xanxat e këtij qyteti të rrëmbejnë me magjinë e tyre. Në këto themele është shtresëzuar trashëgimia e kasnisur e civilizimit perëndimor. Fontana Aretusa, një fenomen i rrallë natyror, e që si e tillë e ka përndezur imagjinatën mitologjike të shumë poetëve për t’i portretizuar hiret e kësaj nimfe eksituese, Porti i madh tregtar grek, Katedralja, tempujt e tjerë të kultit, e veçanërisht ai kushtuar Perëndisë së Apollonit, përbëjnë vetëm disa nga margaritarët rrëzëllues që gjenden në vendlindjen e matematicienit të famshëm të botës helenike, Arkimedit.

Megjithatë, gjatë rrugëtimit për ta shijuar këtë qytet dhe pasurinë e tij monumentale, pashmangshëm të pushton një ndjenë trishtimi dhe pikëllimi. Sepse krahas anëve të lartpërmendura, gjatë ekzistencës së tij mijëravjeçare, në këtë qytet janë prodhuar edhe ngjarje tragjike, të errëta, hijerënda dhe të shëmtuara.

Filozofi dhe Sundimtari

Trillet, kapardisja, etja për lavdi dhe paranojat e pushtetarëve që e kanë dominuar atë, kanë ndikuar që me Sirakuzën të lidhet njëra nga ngjarjet më të kobshme në historinë e filozofisë, fatin e dhimbshëm të Platonit, filozofit më të spikatur jo vetëm të botës antike, por të gjithë traditës së mendimit perëndimor.  Siç dihet ky gjeni i “dhuratës më të çmuar që u dhanë perënditë vdekatarëve” para se të lundronte në brigjet e Sicilisë, kishte kaluar nëpër shumë turbullira, tensione dhe tërmete politike në qytetin e tij të lindjes, në Athinë.

Përmbysja e rendit demokratik nga Tridhjetë tiranët, tmerret që shkaktoi ky regjim dhe më pastaj rivendosja po ashtu e ish-regjimit demokratik, dënimi me vdekje i Sokratit nga ky rend, përbëjnë vetëm disa nga episodet e errëta në jetëshkrimin e Platonit, e që do të kenë lënë vragë të thella në mendjen e këtij filozofi me orgjinë aristokratike.

I dëshpëruar, thyer dhe tronditur nga këto trandje politike ai do të lundronte drejt brigjeve të këtij qyteti legjendar.

Hegeli në ligjëratat e tij mbi “Historinë e Filozofisë” konstaton se Platonin drejt këtij udhëtimi tragjik e kishte tunduar ftesa e Dionit, një i afërm i Dionisit I, sundimtarit të Sirakuzës. Në këtë mënyrë pretendohej se ky i fundit do të mund të përfitonte prej ideve të Platonit për të ndërtuar një rend të drejtë politik.

Prandaj, i nxitur pjesërisht nga kjo ftesë dhe pjesërisht nga besimi i tij se nëpërmjet Dionis-it do të mund ta ndërtonte më në fund shtetin e tij ideal, Platoni u josh për këtë aventurë. Siç thotë Hegeli, sipërfaqësisht kjo ide duket e shkëlqyeshme, që një sundimtar i ri ta ketë në krahë të tij njeriun më të ditur të kohës që ta instruktojë dhe inspirojë atë. Madje mbi këtë sfond “janë sajuar më dhjetëra romanca politike”. Në fillim Dionisi ishte impresionuar me filozofimet e Platonit.  Madje ai bënte çdo gjë që ta fitonte respektin reciprok nga filozofi. Por kjo nuk ishte e mundur. Sepse filozofi ishte besnik vetëm ndaj ideve të tij dhe jo ndaj pushtetit personal të Dionisit. Po ashtu në ligjëratat e tij mbi “Historinë e Filozofisë” kushtuar Platonit, Hegeli konstaton se mjerisht ky sundimtar ishte njëri nga ata udhëheqës mediokër që aspirojnë për lavdi dhe famë, por që u mungonte zelli, thellësia, sinqerti dhe forca e karakterit. Prandaj shumë shpejt do të përfundonte “muaji i mjaltit” ndërmjet “tiranit dhe filozofit”. Fillimisht për shkak të konfliktit të Dionis-it me Dionin ku me këtë rast Platoni refuzoi që ta anulonte miqësinë me Dionin, sipas kërkesës së Sundimtarit. Dhe më kryesorja, interesi i sundimtarit në filozofi ishte aq sipërfaqësor sa edhe në dijet tjera, madje ai ëndërronte që te ishte në të njëjtën kohë edhe filozof edhe poet edhe sundimtar, por pa pranuar që të këshillohej thellësisht nga të tjerët.

Tensioni arriti kulmin kur Platoni u bë gati ta braktis këtë mision të dështuar. Dionisi i pushtuar nga trillet e tij, sedra e lënduar, dhe mania për posedim absolut e pengoi këtë udhëtim. E privoi filozofin nga mjetet e lundrimit si dhe e mbajti peng atë. Në këtë mënyrë ky udhëtim përfundoi tragjikisht. Ajo që filloi si ëndërr sublime dhe e fisme nga ana filozofit për ta edukuar dhe shndërruar një pushtetar në agjent për ndërtimin e një rendi ideal, rezultoi në një pengmarrje të shëmtuar. E në fund Dionisi do ta shes si skllav atë që, siç thotë Hegeli, së “bashku me Aristotelin mund të quhen mësues të njëmendtë të gjinisë njerëzore”.

Në këtë qytet ndodhet edhe vendi ky ishte mbajtur i izoluar dhe syrgjynosur Platoni. Vizita e këtij lokacioni, e njohur ndryshe si “veshi i Dionisit I”, pashmangshëm të shkakton një lloj zgavrimi shpirtëror. Kjo ndjeshmëri vjen natyrshëm si solidaritet teorik me pafuqinë e mendimtarit përballë tërbimit të pushtetarit. Me vuajtjet, ankthet, depresionet, traumat dhe dhimbjet që do të ketë përjetuar atëbotë mendja më gjeniale e njerëzimit. Vështirë të ketë histori më të trishtë në antologjinë e shpërdorimit të filozofeve nga ana sundimtarëve. Kuptimi i kësaj ngjarjeje ka mbetur unik në historinë e filozofisë. Prandaj vazhdon të ngjall ende një makth të pashoq.

Republika e filozofëve

Sidoqoftë, Platoni arriti që në fund të çlirohet nga kthetrat e Dionisit dhe të rikthehet në qytetin e tij të lindjes. Ndërkaq pas kësaj ngjarje traumatike ai e refuzon çdo ofertë tjetër për angazhim praktik politik. Dhe në këtë mënyrë i futet punës për themelimin e Akademisë Filozofike, një institucion ky pesha dhe ndikimi i të cilit është e pakrahasueshme në traditën e mendimit perëndimor. Me këtë rast, siç thotë Eric Voegelin, Platoni do ta kuptonte atë që shumë “reformatorë dhe revolucionarë modernë ende nuk janë në gjendje ta kuptojnë, që reforma nuk mund të arrihet vetëm nga qëllimet e mira, nëse bie fjala mbartësit e saj i rekrutojnë të njëjtit ndjekës që me veset dhe konfuzionin moral të tyre janë përgjegjës për kaosin që pretendojnë ta kurojnë”. Prandaj edukimi filozofik dhe moral mbetet një kusht i domosdoshëm për ndërtimin e një rendi ideal. Dhe me këtë mision ngarkohet akademia. Ajo shndërrohet në një institucion ku kultivohet kërkimi për epistemën filozofike si i kundërt me doksat (opinionet) ditore politike.

Beteja kundër relativizimit sofist, kritika ndaj retorikës si medium për formësimin e bindjeve njerëzore, demaskimi i demagogjisë si dhe davaritja e tymnajës që e shpërhapin thashethemet ditore shpallen si qëllim final i filozofisë. Pra si  rrugëdalje të vetme nga këto antinomi Platoni e proklamoi shndërrimin e filozofëve në mbretër ose shndërrimin e mbretërve në filozofë. Republika e filozofisë u shpall si projekt i tij përfundimtar.

Mirëpo, me këtë ndërmarrje Platoni përfundimisht e vulosi ndarjen ndërmjet filozofisë dhe politikës. Duke e ngarkuar të parën kryesisht me zbulimin e të vërtetës nën ndriçimin e diellit dhe të dytën me pushtetin e hijeve. Apo më mirë të themi ai e thelloi “armiqësinë ndërmjet tyre”. Dhe kjo çarje ka qenë vendimtare në gjithë traditën mijëravjeçare të mendimit perëndimor. Madje sipas shumë teoricienëve ishte pikërisht kjo paradigmë e cila ndikoi që filozofia nuk ishte në gjendje asnjëherë ta kuptonte si duhet shfaqjen e politikës.

Nevoja për një “shkencë të re politike

Kështu, sipas Hannah Arendt, një nga mendimtaret më të shquara të shekullit XX në sferën e teorive politike, subjekt i filozofisë u bë njeriu si qenie singulare, kurse kategoria e politikës – njerëzit si qenie plurale. Po ashtu, mendimi u bë shtëpia e natyrshme e filozofit, kurse njeriu si qenie vepruese subjekt i politikës.

Mirëpo me kolapsimin e kësaj ngrehine, siç konstaton ajo, mbase janë krijuar kushtet për t’i kapur më rrokshëm raportet ndërmjet këtyre dy sferave pa ngarkesat që i ka imponuar tradita dhe për ta hulumtuar më qartë të kaluarën e tyre.

Prandaj në shestimet e tyre mbi këtë fenomen Hanna Arendt apo Eric Voegelin me të drejtë e kanë shtruar pandehmën për themelimin e një “shkence të re politike” detyra e së cilës do të jetë vlerësimi adekuat i atyre kategorive që padrejtësisht kanë qenë të margjinalizuara nga kjo traditë e mendimit perëndimor. Dhe me zhgroposjen e tyre me metodën e “zhytësit të perlave” të Walter Benjaminit, ne do të mund ta vlerësojmë dhe gjykojmë si duhet politikën në autenticitetin e saj.

Por, se cilat janë ato kategori dhe burimet e duhura teorike që janë farkëtuar në të kaluarën, e të cilat do të shërbenin si një aparat konceptual për ta sajuar mendimin dhe gjykimin e duhur për atë përvojë që romakët, si “populli më politik i mundshëm” , e quanin ‘inter homines esse’ të jesh në mes të njerëzve” do të jetë  tema e ndonjërit prej shkrimeve të ardhshme.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!