×
Opinione

“Më tradhtuan lotët, nuk dija asgjë për fatin e vëllait”… KUJTIME TË LUFTËS (4)

Reporteri
22 Maj 2020 | 13:31

Autor: Besim Kajtazi


Në familjet tona ishte përhapur lajmi se prindërit e të arrestuarve po shkonin para stacionit të policisë, ku pritnin lirimin tonë. Kur dola jashtë, isha gati me grupin e fundit, nuk pashë ndonjë anëtarë të familjes sime…


U nisa rrugicave të Lagjës së Muhaxhirëve, para meje ishin dy tre veta, kalova rrugës së “Starasellëve”, ku banonin familja Haxhi Shemsi Mehmetit, me kushërinjtë, dhe posa dola në rrugën kryesore, atë “Dubrovniku”, Ilir Sogojeva bërtiti:
“Besimin e paskan lëshuar, ja ku po ngjitet përpjetë!”…

Në rrugë, afër kthesës më pa djali im Drini, që atëbotë i kishte vetëm 8 vjeç dhe bërtiti:
“Babiii!”…

Kur u afrova, nisa të përshëndetem me familjen, dhe menjëherë pyetën:

“E Veliu, ku është Veliu!”…

Unë, për të mos i bërë merak, thash:

“A s’ka ardhur a!?”…

Edhe pse e dija që atë tashmë e kishin transportuar me atë grupin e parë të të arrestuarve, siç do ta mësoj më vonë, për në Burgun e Lipjanit…

Më tradhëtuan lotët, kur i pashë fytyrat e Elhemes, djalit të Veliut, Altinit, që ishte vetëm tre vjeç, por edhe të nënës dhe babait dhe të gjithë anëtarëve të tjerë të familjes…

Nuk fola shumë, për të mos i mërzitur prindërit dhe të tjerët, dhe më vonë kur u pa se Veliu nuk po vinte, u bë e ditur se ai ishte në duar të policisë. Mirëpo, hë për hë, nuk e dinim se ku e kishin dërguar…

Isha i lodhur, nga qëndrimi për tetë orë në stacionin e policisë, dhe në vizitë këtë mbrëmje erdhi edhe djali i axhës, Hajzeri…

Për Veliun u interesua edhe Fetahu, djali i axhës së babës, i cili po ashtu qëndronte në Prishtinë, me gruan Zojën dhe fëmijët, në banesën e tij, që gjendej në afërsi të stacionit të autobusëve… Aty Fetahu gjatë gjithë kohës, pati mundësi të përcjell lëvizjet e forcave serbe, ditën e natën…

Fetah Kajtazi, ndihmoi shumë edhe disa të plagosur në spitalin e Prishtinës, që i sollën nga Drenica, pas vrasjeve që ndodhën në Kllodernicë e Vitak…

Rrëfimi i Veliut nga Burgu i Lipjanit …

“Pasi ma bënë testin e parafinës na dërguan në dhomat e marrjes në pyetje. Një oficer policie dhe dy të tjerë në ndihmë të tij na torturonin në mënyrë shtazarake. Në fund e nënshkruan një dokument në të cilën shkruante: “Bashkim për veprimtari armiqësore kundër Jugosllavisë-terrorizëm. Neni 136 alineja 1 dhe 2. Në prag të territ na ngarkuan në “kampanjolla”, sa mezi merrnim frymë. Me një vozitje të shpejtë, që ashtu të dërmuar nga rrahjet na dërmoi edhe më shumë .

Kur arritëm në Burgun e Lipjanit, na rreshtuan në oborrin e burgut. Njerëzit villnin gjak nga torturat. Pastaj, na urdhëruan të shtrihemi përtokë, me duar prapa dhe nisën të na godasin me stupca bezbolli e me shqelma. Një nga një na futën nëpër dhoma, që ishin të stërmbushura me të burgosur. Fati im ishte se më njohu Shaban Hoxha dhe ma bëri një vend në ata sfungjerë që ishin lagur nga djersët dhe ajri i lagësht. Isha ndër më të rrahurit nga të gjithë ata që u burgosën atë ditë, ndërkohë që pas tre ditësh, nga Burgu i Dubravës, i sollën të gjithë të mbijetuarit dhe të plagosurit, që kishin pësuar më 19-23 maj. Meqë ishte numër u madh i të burgosurve, na dërguan në sallën e sportit të burgut, ku ishim rreth 350 veta. Zaim Kurtin e caktuan si kujdestar dhome. Kushtet ishin çnjerëzore, dhe bukë na jepnin vetëm sa për ta mbajtur shpirtin…”…

“Po përjetonim çaste dramatike”…

Arrestimi ynë, që u bë më 19 maj 1999, për një çast na lëkundi paksa moralin e qëndresës në Prishtinë… Tash e kishim hallin si të mësojmë për fatin e Veliut dhe të tjerëve. Ku i kanë dërguar, a janë gjallë, apo i kanë ekzekutuar!… Po përjetonim çaste dramatike…

Në mëngjesin e 20 majit 1999, babai u drejtua për në stacionin e policisë, aty ku kishim qëndruar dje. Babai e kërkoi komandirin e policisë, dhe u interesua se për çka dhe ku e kishin dërguar Veliun?

I thanë se eprori i tyre nuk ishte në ndërtesë, dhe nuk vonoi shumë e mësuam vendqëndrimin e tij. Ai, gjatë ditës rrinte në një dhomë të improvizuar, në shtëpinë e ish -arsimtarit tim të shkollës fillore “Vladimir Nazor” ( tash “Naim Frashëri”), Nazmi Zeka…

Babai, së bashku me Elhemen, shkuan aty. Në zyrë siç rrëfente babai, me komandirin e policisë qëndronte edhe një femër.

Pyeti për fatin e Veliut, kërkoi shpjegime se ku e kishin dërguar dhe pse, mirëpo, policia nuk brengoseshin për mërzinë e babait…

Në një rast, komandiri i drejtohet babait me fjalët:

“Da li poznaješ ti našu Hajriju Spikericu?” (A e njeh ti Hajrije Spikericën tonë”…

“Jo”, ia ktheu babai, dhe u mor vesh se femra që qëndronte aty me policinë, ishte Hajrija, “ spikerica”, siç e quanim, e cila i jepte lajmet në Televizionin e okupuar të Prishtinës…

Unë nuk isha në gjendje të lëvizë dhe të largohem nga shtëpia. Një ditë dola tek fqinji

Astrit Domi, dhe po i tregoj për rastin e Veliut…

Nuk vonoi shumë, dhe para shkallëve të shtëpisë së tij, u ndal vetura e policisë…

Njëri nga policët, iu drejtua Astritit:

“Jeli bre Astrite, što se družiš sa ovima iz UÇK-a ?”. ( More Astrit, pse po shoqërohesh me këta të UÇK-së?).

“Jo bre”, ia ktheu Astriti, në gjuhën serbe, këtë e kam komshi, çfarë UÇK-je…

U ngrita në këmbë , e përshëndeta Astritin, e pashë se ai polici që foli, kishte qenë në stacionin e policisë, ngase ma njohu xhaketën që e kisha pasur atë ditë, dhe posa shkova në shtëpi, e hoqa dhe më nuk dilja me atë xhaketë…

Lidhje pas lidhje, morëm lajmin se Veliu ishte dërguar në Burgun e Lipjanit. Këtë e mësuam nga ish-profesori im Zaim Kurti, babai i Albin Kurtit, dhe përmes djalit të arsimtarit Nazmi Zeka, Emërllahut, i cili ishte liruar së bashku me Zaimin në të njëjtën ditë…

Albini, para se të arrestohej, më 27 prill 1999, më vëllanë Arianitin dhe babanë Zaimin, së bashku me veprimtarin e shquar Adem Demaçin, në një zyrë në lagjen “Tophane” vepronin si përfaqësues politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës…

Pasi e liruan profesor Zaimin nga Burgu i Lipjanit, së bashku me djalin Arianitin dhe Emërllahun, djalin e arsimtarit Nazmi Zekës, nga ta morëm lajmin se Veliu me shumë shokë gjendej në këtë burg famëkeq…

Qëndrimi në Prishtinë ishte me rrezik të madh dhe në bisedë e sipër, u morëm vesh që bile Xhavitin me familje ta nxjerrim jashtë Kosovës…

Për të dalë jashtë ishte edhe Venet Balaj, i cili pas tre-katër ditëve, së bashku me familje, i hipëm në një autobus dhe i përcollëm për në Maqedoni.

Dy herë para kësaj, dështoi udhëtimi i tyre dhe herën e tretë patën fat dhe u nisën drejt Bllacës së Maqedonisë…

Ikja nga kryeqyteti me autobus, kushtonte 10 marka gjermane! Por shpesh gjatë rrugës, ky çmim për shumëkënd dhjetëfishohej!…

Posa u nis autobusi, ishte ora 13:00, nuk kaluan as 5 minuta u dëgjua zhurma e avionëve të NATO-s dhe shpërthimet. U frikësuam se mund ta ndalnin autobusin me udhëtarë-të ikur dhe ta kthenin mbrapshtë, por për fat kjo nuk ndodhi dhe pas shumë peripecive, ndalesave e plaçkitjeve gjatë rrugës, arritën në kufi me Maqedoninë, ku siç rrëfen Xhaviti duhej pritur në radhë për të dalë andej kufirit. Në një ndalesë, disa të rinj policia i pati zbritur nga autobusi, por, pas bisedës me shoferin i lëshuan dhe pas shumë pritjeje, iu bashkuan refugjatëve në Bllacë, ku kushtet e strehimit i ngjanin atyre të kampeve të përqendrimit të Luftës së Dytë Botërore, ku e vetmja përparësi, ishte përkujdesja e vëllezërve shqiptarë të Maqedonisë dhe ndërkombëtarëve…

Unë vendosa që me familjen time të qëndrojmë në shtëpi, në mënyrë që të interesohemi për fatin e Veliut dhe të tjerëve…shokët dhe kolegët që kishin dalë më parë në Maqedoni e në Shqipëri, nuk dinin gjë për fatin tim e të Xhavitit.

Na kërkonin nëpër listat e të zhdukurve të Kryqit të Kuq, duke menduar se ishim burgosur apo të vrarë…

Shkuarja e Xhavitit na shtoi mërzinë, por në anën tjetër edhe na liroi pak shpirtërisht, ngase ai tashmë me familje ishte i sigurt dhe i shpëtoi më të keqes …

Tashmë vëllezërit Arsimi dhe Fitimi, që prej kohësh ishin me familjet e tyre në Gjermani, kishin vendosur lidhjen me Xhavitin dhe nga ai mësuan për fatin e Veliut dhe të tjerëve, që mbetëm në Prishtinë…

(vijon…)

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!