×
Opinione

“Mungesa” e Ukshin Hotit në Afganistan

Reporteri
22 Gusht 2021 | 18:23

Autor: Afrim Kasolli


Kohët e fundit është bërë e zakonshme që prapa ngritjes dhe suksesit të çdo lëvizjeje autoritare të qëndrojë një demokraci e dështuar. Këto entitete mund të kenë karakter populist, ekstremist dhe teokratik sikur rasti i fundit i talibanëve në Afganistan.


Ky grup fundamentalist arriti që pas tërheqjes së forcave ushtarake amerikane ta marrë kontrollin e plotë thuajse mbi gjithë territorin e Afganistanit. E fituan pushtetin e humbur në vitin 2001, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me aleatët e tyre perëndimorë intervenuan ushtarakisht për t’i dëbuar talibanët nga sundimi, pas sulmeve që Al-Kaida kreu në truallin amerikan më 11 shtator të atij viti. Siç dihet, ky regjim atëbotë ishte shndërruar në parajsë të sigurt për përgatitjen dhe ekzekutimin e operacioneve terroriste nga kjo organizatë famëkeqe.

Kthimi në vitin zero

Suksesi i kësaj lëvizjeje politike me karakter religjioz e ka habitur shumëkënd. Si ndodhi dhe pse ndodhi kjo shembje spektakulare? Vetëtimthi u përmbys investimi ushtarak, politik, administrativ dhe ekonomik rreth njëzetvjeçar që Perëndimi në krye me ShBA-në e kreu në tokën afgane. Forcat e Sigurisë Kombëtare të Afganistanit, të njohura ndryshe si (ANDSF), u shembën si kullë prej rëre. Edhe pse teorikisht sipas Michael McKinley, ish-ambasador i Uashingtonit në Afganistan, ato ishin shumë më mirë të organizuara dhe të pajisura si numerikisht ashtu edhe ushtarakisht se sa oponentët e tyre. Madje deri para pak kohe ushtria zyrtare afgane konsiderohej si më mira në regjion.

Në këtë kontekst analistë të ndryshëm që janë marrë me dinamikat e zhvillimeve politike në Afganistan kanë përmendur shkaqe të nduarduarta që e prodhuan këtë përfundim trishtues. Vanda Feldab-Broën, në artikullin e fundit “Why the Taliban Won” në Foregin Affairs, përmend bindjet e gabuara që klasa politike në Kabul i kishte sendërgjuar ndër vite. Ata shpresonin se SHBA-të nuk do të tërhiqeshin kurrë nga Afganistani. Të pushtuar nga ky fodullëk, i injoruan sinjalet e vazhdueshme të tri administratave amerikane: asaj të Obamës, Trumpit dhe Bidenit se intenca e Uashingtonit mbetet largimi sa më i shpejtë nga territori afgan dhe se është detyrë e drejtueseve të vendit që të marrin në dorë fatet e vendit. Liderët e Kabulit jetonin me iluzionin se të gjitha këto mesazhe ishin vetëm kërcënime boshe, duke marrë parasysh rëndësinë gjeopolitike që e gëzon rajoni.

Duke u nisur nga ky kalkulim i gabuar, ata ëndërronin që të jetonin pafundësisht në pellgun e korrupsionit dhe klientelizmit, e për sigurinë e tyre të përkujdesej ushtria amerikane. Prandaj zyrtarët shtetërorë në Kabul fillimisht i injoruan edhe bisedimet e mbajtura vitin e kaluar në Doha të Katarit ndërmjet përfaqësueseve të Administratës Amerikane dhe drejtueseve talibanë për t’u dakorduar për planin e tërheqjes së ushtrisë amerikane. Të pushtuar nga kjo papërgjegjësi totale, secili në mënyrën e vet u bënë promotorë të kultivimit të frymës së sektarizmit, fraksionizmit dhe korrupsionit. Mision i tyre u bë forcimi i strukturave klienteliste mbi një logjikë tribale e në dëm të interesave të përgjithshme politike dhe shoqërore të vendit. Dhe ky degjenerim sipas shumë analistëve ishte edhe shkaku se pse ushtria afgane nuk demonstroi vullnet për të luftuar, por dezertoi brenda natës. Sepse luftëtarët në terren panë te shteti i tyre një entitet të huaj, të korruptuar dhe plaçkitës dhe që s’ishte shprehje e vullnetit të tyre autentik politik. Shprehur me një gjuhë hegeliane, “qenia” e banoreve të Afganistanit s’ndodhej në shtëpinë e saj. Thjesht ata ishin agjentë pa kauzë, pa motiv, pa qëllim politik dhe pa moral kolektiv, për të cilin ia vlen të luftohet dhe të sakrifikohet jeta. Ndërkaq luftëtarët talibanë të indoktrinuar nga besimi i tyre religjioz luftonin nën emrin e Zotit dhe zbatimin e rregullave të tij në tokë, të kodifikuara nga normat e sheriatit.

Kjo dëshirë e ethshme për ta përbashkuar “qiellin dhe tokën” e formoi gurrën e tyre shpirtërore, homogjenitetin ideologjik dhe sensin e identitetit kolektiv, për dallim nga shtresëzimet, përçarjet dhe diferencat ekstreme që kishte krijuar demokracia e re afgane. Ky kaos i gllabëroi perspektivat e njeriut të zakonshëm afgan. Prandaj oferta e shëlbimit hyjnor e këtij sekti politiko-fetar u bë strehë për traumat, ankthet dhe frustrimet psikologjike, sociale dhe politike të “afganëve të pakënaqur”. Historia mjerisht shpeshherë e përsërit vetveten. Kështu kishte ndodhur edhe në vitin 1994. Pas çlirimit nga BRSS, shoqëria afgane u përfshi nga një luftë shkretane civile. Pasiguria, rrënimi politik dhe institucional e dominuan jetën e përditshme. Dhe në këtë vakuum të përgjithshëm talibanët u imponuan si alternativë e vetme për shtegdalje nga ky tmerr kolektiv ulëritës.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se këtë shoqëri e karakterizon një paaftësi tragjike për ta ndërtuar dhe mirëmbajtur një sistem normal demokratik. Apo se ajo është e destinuar të vuajë pafundësisht ose nën mbikëqyrje të jashtme ose nën thundrën e modeleve teokratike. Kjo nuk nënkupton as që demokracia nuk eksportohet. Ngase historia ka dëshmuar që në shumë vende dhe kultura të ndryshme ky model ka funksionuar në mënyrë përsosur. Mirëpo që kjo të jetë e mundur nevojitet një kombinim i ndihmës së jashtme me prirjet e brendshme politike dhe sociale për ta shndërruar këtë sistem në modele jetese, normë të sjelljes publike dhe ideal politik.

“Domosdoshmëria” e tragjedisë

Të nxitur nga ky besim, vendet perëndimore në krye me Shtetet e Bashkuara tentuan që krahas luftës kundër terrorizimit ta ndërtojnë edhe një sistem politik që u ngjason demokracive liberale perëndimore.

Por mjerisht, për 20 vjet këto përpjekje rezultuan në kolaps. Prandaj sipas shumë analistëve edhe pse lufta u fitua dhe rreziku terrorist nga Al Kaida u eliminua, megjithatë objektivat e paracaktuara politike nuk u jetësuan. Miratimi i një kushtetute moderne, ndarja e pushteteve, ndërtimi i shtetit ligjor dhe sistemit elektoral ishin pjesë e këtij projekti. Por edhe përkundër këtij investimi në fund çdo gjë u kthye në vitin zero.

Ky dështim i kobshëm e nxiti shumëkënd të bëjë edhe krahasime me situatën në Kosovë. Sidomos duke marrë parasysh faktin e garantimit të sigurisë kolektive të dy shteteve nga vendet perëndimore në krye me SHBA-në, ashtu edhe përpjekjet e vazhdueshme e tyre në procesin e shtetndërtimit demokratik. Ndonëse këto dy shtete janë të pakrahasueshme dhe nuk kanë asnjë ngjashmëri njëri me tjetrin në asnjë pikë.

Askush nuk mund ta mohojë faktin se demokracitë mund të dështojnë. Prandaj ne nuk mund të sillemi ndaj këtij fakti me somnambulizëm. Kosova s’mund te jetojë nën iluzionin e sigurisë absolute apo me iluzionin se historia ka përfunduar njëherë e përgjithmonë.

Madje demokracitë, që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, kurrë s’kanë qenë më të sulmuara se sa sot. Shtytjet populiste, pasionet autokratike dhe ideologjitë teokratike po i cenojnë parimet e këtij modeli në të gjitha drejtimet.

Sipas profesorit të njohur Lary Diamond këto 15 vitet e fundit organizata “Freedom House” ka konstatuar se për çdo vit bota ka shënuar rënie të të drejtave civile dhe politike. Kurse që nga viti 2015 e këndej, për herë të parë pas vitit 1974, kur sipas Samuel Hantington pat filluar vala e tretë e lulëzimit të demokracive, më shumë shtete e kanë braktisur atë se sa që e kanë përqafuar.

Për shkak të këtyre të dhënave alarmuese ky teoricien deklaroi se “fantazmat që aktualisht po i sillen vërdallë botës thuajse nuk janë parë që nga viti 1930”. Të nxituar nga ky shqetësim studiuesit Hal Brands dhe Charles Edel në librin e tyre “The Lessons of Tragedy-Statcraft and World Order” flasin mbi nevojën e rikultivimit të sensiblitetit të tragjedisë. Në pajtim me krijimet letrare dhe dramaturgjike greke, ata e riafirmonë parimin themelor të kulturës tragjike antike “se sa më shumë që dikush zhytet në iluzionin e pamundësisë së tragjedisë, aq më e mundshme bëhet ajo”. Kështu, rigjallërimi i këtij horizonti konsiderohet domosdoshmëri, veçanërisht kur e parafrazojmë studiuesin Jose Ortega y Gasset, sipas të cilit “demokracitë liberale janë të përcaktuara të bashkëjetojnë me armiqtë e tyre, për dallim nga këta të fundit që me të marrë pushtetin e anulojnë tërësisht këtë sistem”.

Autenticiteti i demokracisë

Ky konstatim thuajse antologjik tregon më mirë se asgjë tjetër për kërcënimet permanente që e shoqërojnë demokracinë. Po ashtu ai dëshmon se ky model nuk mund të mbijetojë vetëm nga asistenca e jashtme nëse parimet normative, rregullat, morali dhe etosi i saj nuk rrënjëzohen si vlera autentike. Po ashtu erozioni i brendshëm i demokracisë nuk mund të frenohet vetëm nga rregullat e jashtme të saj, rendi kushtetues dhe sistemi ligjor, nëse mungon vullneti politik për t’i zbatuar dhe mbrojtur ato.

Lirisht mund të themi se është ky skenar që sipas të gjitha gjasave e ka nxitur në vitet ’90 teoricienin e njohur politik, Ukshin Hotin që t’i shestojë pandehmat e tij mbi “Demokracinë autentike”. Në këtë punim emblematik, Ukshin Hoti, konstaton se që ky projekt të ketë sukses duhet të shndërrohet në detyrim imperativ politik, juridik dhe moral vendor. Sepse në mungesë të këtij “patosi” degjenerimi do jetë i pashmangshëm. Hibridizimet mund të jenë me pasoja fatale për jetëgjatësinë dhe qëndrueshmërinë e çdo demokracie.

Për sajimin e këtij nocioni tipik politik dhe pa ngarkesa ideologjike në këtë testament konceptual shihet qartë se Ukshin Hoti ishte inspiruar dhe ndikuar nga libri i Aleksi de Tokëvil-it “Demokracia në Amerikë”. Ky historian me nam, pas vizitës që i kishte bërë “tokës së mundësive”, kishte mbetur i magjepsur mbi pluskimin spontan që ishte duke e përjetuar demokracia në këtë vend. Madje ai kishte pohuar se shumë nga nocionet e traditës së mendimit politik s’janë në gjendje ta definojnë si duhet këtë përvojë autentike politike. Themelimi i këtij rendi, që me vonë Hannah Arendt do ta quante “Novus Ordo Saeclorum”, shënon një kthesë vendimtare historike. Me inaugurimin e “barazisë së kushteve të përgjithshme të popullit” filloi çmontimi i skemave tradicionale të hierarkisë hyjnore, klerikale dhe aristokratike.

Prandaj, siç konstaton Hoti, “demokracia si formë e organizmit shoqëror nënkupton krijimin e kushteve të barabarta dhe se çdo rregull tjetër mund të pagëzohet me emra të ndryshëm, por jo me atë të demokracisë”. Në vazhdim të këtij punimi, ai po ashtu pohon se “me anë të ‘demokracisë autentike’ synohet kontributi kosovar në zbatimin e parimeve universale, të gjithëpranueshme të demokracisë, por edhe në ndërtimin dhe përsosjen e saj të vazhdueshme si ide universale e orientimit të njeriut për të jetuar i lirë dhe i barabartë me të tjerët. Rregullat e saj nuk mund të rezultojnë në anarki. Anarkia dhe demokracia nuk kanë asgjë të përbashkët”.

Çdo shkarje nga këto postulate doktrinare paraqet një investim “lapidar” në rikthimin e fantazmave të së kaluarës. E hap shtegun e ringjalljes fatkeqe të formave anakronike dhe të dënuara nga parimet “providenciale” të demokracisë. Dhe në fund e shtron terrenin për pushtim të shoqërisë pas asnjë pengesë nga armiqtë e demokracisë. Ashtu siç patëm rastin ta shohim nga zhvillimet fundit në Afganistan.

Në këtë kontekst, jo vetëm Kosova por as një shtet nuk mund të jetë imun vetvetiu nga këta skenarë ogurzi. Shpërdorimet e politike sipas mendësisë “për miqtë gjithçka dhe për kundërshtarët ligjin” apo në dallim nga e kaluara ku shfrytëzohej pushteti për të dënuar të pafajshmit, sot në saje të avantazheve të tij “mbrohen fajtorët” vetëm pse i takojnë së njëjtës grigjë politike, e shpërfytyrojnë parimin bazik të çdo demokracie; barazinë para ligjit.

Kosova mund t’i shmang këto pasoja duke i qëndruar besnik parimit të “demokracisë autentike” të sipërcekur. Ta shndërrojë atë në medium për zhvillim të potencialeve kolektive. Çdo opsion tjetër është iluzion. Përndryshe nga dështimi eventual i këtij projekti me një lehtësi të padurueshme mund të mbijnë antitezat e përbindshme të demokracisë. Ky deficit rezultoi fatal për demokracinë e brishtë afgane. Dhe kjo dilemë nuk guxon të na shqitet asnjëherë nga mendja.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!