×
Opinione

Nga kriza në krizë

Reporteri
23 Tetor 2021 | 12:47

Autor: Afrim Kasolli


Po thuhet se shumë shpejt qeveria e Kosovës do t’i nënshtrohet një presioni politik dhe diplomatik për ta themeluar Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe (Asociacionin, apo Zajednicën, siç e quanin dikur kritikuesit e këtij entiteti sa ishin në opozitë). Madje si konfirmim për këtë pandehmë po merret edhe rikthimi i gardës së vjetër diplomatike të shtetit amerikan në rajon. Emra të njohur të këtij segmenti të politikës së jashtme amerikane, e që kanë qenë të familjarizuar me raportet Kosovë-Serbi, sikurse Christofer Hill, James O’Brien, Hoyt Brian Yee dhe Gabriel Escobar, pritet që shumë shpejt t’i qasen aktivisht punës nga pozita të ndryshme, për ta intensifikuar dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Po ashtu, zyrtarë gjithnjë e më të shumtë nga BE-ja po ia përkujtojnë Kosovës këtë obligim. Madje ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog deklaroi se të gjitha marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohen, përfshirë edhe Asociacionin. Implementimi i tij s’ka alternativë. Në fund të fundit, Kosova ka marrë obligim ndërkombëtar për këtë entitet. Prandaj kjo çështje nuk varet nga ndryshimet momentale politike që ndodhin në skenën politike të vendit, por ka karakter imperativ, sipas rregullave ndërkombëtare.

Kurse në anën tjetër, Lista Serbe–instrumenti i politikës së Vuçiq-it në Kosovë, ka paralajmëruar se nëse s’ka asnjë lëvizje në drejtim të zbatimit të këtij projekti, nga muaji nëntor ata do të tërhiqen nga institucionet. Duke e shtuar si zakonisht logjikën e shantazhit.

Spekulimet për këtë temë janë nga më të ndryshmet. Madje po shtohen zërat analitikë se nëse kryeministri i vendit nuk demonstron vullnet dhe gatishmëri për t’u treguar gjeneroz në raport me themelimin e bashkësisë, atëherë rrezikon që ta humb edhe pozitën e të parit të qeverisë.

Në përgjithësi, që nga viti 2015 e deri më tani, nuk mund të mohohet fakti se shtizat kryesore në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli janë thyer rreth kësaj teme. Skena politike në vend pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje së bashku me atë të demarkacionit me Malin e Zi, u fut në një krizë të thellë, nga e cila në një farë mënyre nuk ka mundur të dalë ende. Deshëm apo s’deshëm ta pranojmë, jemi ende peng të asaj situate. Kurse Serbia, duke e shfrytëzuar këtë shans, i ka mëshuar vazhdimisht idesë se pasi që Kosova s’po demonstron vullnet për t’i jetësuar obligimet e marra, nuk mund të ecim më tutje në agjendën e dialogut. Dhe si pasojë e këtij rrethi vicioz kemi ardhur në këtë gjendje ku jemi.

Sidoqoftë, ashtu si për shumë tema tjera, që vazhdimisht ka munguar një transparencë e duhur, edhe për këtë temë ka shumë konfuzion dhe paqartësi. Nuk dihet se për çfarë modalitete po diskutohet konkretisht prapa dyerve të mbyllura. A po u bëhet thirrje autoriteteve të Kosovës që ta zbatojnë këtë marrëveshje ashtu siç është nënshkruar në Bruksel, pavarësisht konstatimeve të Gjykatës Kushtetuese? A po tentohet të “riniset” procesi i dialogut fillimisht me këtë nyje gordiane dhe për të vazhduar më pastaj me tema të tjera që s’u shihet fundi? Apo është fjala për integrimin e kësaj pike në kuadër të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku Kosova në këmbim të sigurimit të njohjes nga Serbia dhe zhbllokimit ndërkombëtar të shtetësisë do ta zbatonte edhe këtë marrëveshje.

Rreth këtyre vramendjeve ekziston një mjegullnajë totale. Deri më tani, ajo çka dihet janë prononcimet publike të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, por jo vetëm të tij, sepse pjesë e këtij kori janë edhe kryeministrja Ana Bërnabiç si dhe kryetari i Parlamentit të Serbisë, Ivica Daçiq, se nuk do ta pranojnë me asnjë çmim pavarësinë e Kosovës. Pra elita kryesore politike në Serbi në bazë të këtyre prononcimeve mbetet e prerë. Se edhe nëse Kosova e zbaton këtë marrëveshje, Prishtina nuk do të mund ta përfitojë njohjen nga Serbia. Ndërkohë, nuk kemi parë një reagim kritik nga ana e vendeve të BE-së drejtuar Serbisë sa i përket këtij qëndrimi refuzues. Përjashto Shtetet e Bashkuara që në vazhdimësi kanë pohuar se marrëveshja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përfshijë njohjen reciproke, vendet e BE-së mjaftohen me përsëritjen e refrenit konstant se e ardhmja e vendeve të rajonit ndodhet në Bashkim Evropian. Kurse dialogu është një instrument i domosdoshëm drejt këtij qëllimi strategjik dhe politik.

Kurse kohë më parë, kryeparlamentari Konjufca shprehu haptazi rezervat e tij për një marrëveshje të mundshme ndërmjet dy vendeve, sepse, sipas tij, një gjë e tillë do të kërkonte nga Kosova ndryshime kushtetuese gjë që ne nuk jemi në gjendje ta bëjmë. Megjithatë ai nuk adresoi asnjërën nga dilemat e ngritura. Pra a po i bëhet Kosovës presion që më pastaj bashkësia ndërkombëtare ta përdorë vullnetin tonë për kompromis si mundësi për ta orientuar presionin mbi Serbinë, për ta detyruar që ta njohë Kosovën si shtet? Apo thjesht autoriteteve vendore politike po u kërkohet të futen në ingranazhin e kompromiseve të reja, për të kaluar nga njëra marrëveshje në tjetrën, ashtu siç është vepruar deri tash dhe që zgjidhja finale e problemit të zvarritet në pafundësi. Skenar ky që vetëm do ta përkeqësonte gjendjen. Sepse praktika ka dëshmuar që kjo logjikë e aranzhimit të negociatave s’është dëshmuar produktive.

Në këtë kontekst është detyrë imediate e kësaj qeverie që t’i adresojë hapur këto dilema. Shpresa se duke u mbyllur në qerthullin e saj të mosveprimit dhe duke ndjekur “pritjen strategjike” deri në krijim të një koniunkture të re ndërkombëtare më të favorshme për të është iluzore. Kjo vetëm sa do t’i irritojë protagonistët kryesorë të diplomacisë ndërkombëtare të involvuar në këtë proces. E ndodhur nën një presion i shumëfishtë vendor dhe i jashtëm ajo do të paralizohet dhe kurthohet në raport me vetveten. Prandaj mënyra se si do të orientohet pozita në këtë situatë do t’ia përcaktojë edhe të ardhmen.

Dhe ripozicionimi i saj padyshim se është i vështirë, sidomos duke marrë parasysh kryqëzatat satanizuese morale dhe politike që partia kryesore në vend ka zhvilluar në të kaluarën sa ishte në opozitë, kundër atyre që participonin në procesin e dialogut.
Madje ekzistojnë opinione dhe spekulime se në fund të fundit, pushteti aktual u forcua gradualisht edhe si rezultat i mbështetjes nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare. Sepse me këtë suport shpresohej që të lehtësohej puna e kalimit dhe miratimit të marrëveshjeve të nënshkruara dhe atyre që do të mund të dakordoheshin në të ardhmen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi partitë që deri atë kohë ishin në pushtet u bllokuan në këtë agjendë, për shkak të diskreditimit të tyre publik. Skenar ky që është përdorur edhe në vende të tjera. Thuhet se një logjikë e ngjashme ishte aplikuar në rastin e Greqisë. Disa shtete të Bashkimit Evropian pretendohet se u angazhuan për ta përkrahur partinë Syriza, sepse në këtë mënyrë ato kalkulonin se do të zbatoheshin pa telashe shoqërore dhe politike marrëveshjet për borxhet që ky shtet i kishte nënshkruar me institucionet ndërkombëtare financiare. Ky paradoks doli i vërtetë. Syriza u përdor vetëm si mjet për të shlyer “mëkatet”e armiqve të saj ideologjikë. Dhe për të lehtësuar një kthim normal të së djathtës në pushtet në Greqi e cila në të vërtetë ishte përgjegjëse për kolapsin financiar të atij vendi.

Në këtë kontekst s’mund të përjashtohet mundësia që edhe Kosova t’i nënshtrohet presioneve të tilla. Që nëse qeveria aktuale refuzon të përfshihet në këto aranzhmane t’i vështirësohet funksionimi. Madje pse jo edhe shkarkimi si dhe të provokohen zgjedhjet e parakohshme pas qartësimit të peizazhit politik nga zgjedhjet lokale.
Gjithsesi nëse kjo qeveri shkarkohet për shkak të refuzimit për ta themeluar Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe ku s’përfshihet njohja nga Serbia nuk do të shënonte fundin e kësaj amullie.

Përkundrazi, si shoqëri, shtet dhe politikë do të kalonim nga një krizë e madhe në një krizë edhe më të madhe. Logjikisht, kushdo që pretendon ta drejtojë qeverinë do të përballet me të njëjtin obligim. Dhe do ta ketë të pamundur ta zotërojë situatën nëse bën lëshime në raport me kërkesat e palës serbe, vetëm për hir të rekomandimeve të miqve ndërkombëtarë, pa përfituar asgjë në këmbim.

Madje edhe po të dobësohej deri në ekstrem pozita politike e Albin Kurtit për shkak të dështimit në qeverisjen e brendshme, përsëri një skenar i tillë do të ishte një aventurë e rrezikshme. Sepse shoqëria kosovare është molisur dhe rraskapitur nga ky proces i pafund. Dhe ajo do të reagojë pashmangshëm ndaj kësaj tendence që po ja asfikson frymëmarrjen. Në fund të fundit, një gjë e ka vërtetuar historia e Kosovës. Se cilido lider që ka tentuar që të vendos krye në vete për raportet me Serbinë, ka dështuar. Kjo punë nuk kalon pa konsensus shoqëror dhe politik. Të gjithë ata që shpresojnë për t’u ngritur politikisht duke e shfrytëzuar këtë shans do të kolapsojnë më shpejt se sa mund ta paramendojnë.
Prandaj është më rëndësi që Kosova ta shmang këtë rrezik. Dhe këtu përgjegjësinë kryesore për të evituar këtë skenar, përsëri e ka kryeministri. Ai duhet t’i prijë valles në këtë drejtim. Ta kërkojë mbështetjen nga partitë opozitare për ta përballuar së bashku këtë proces. Dhe të koordinohet me një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare ndaj këtij shantazhi.

Natyrisht, partitë opozitare, për shkak të luftës së ashpër politike në të kaluarën me pushtetin aktual, mund të kenë pengesa psikologjike, morale dhe politike të koordinohen me qeverinë. Por ato një gjë duhet ta kenë të qartë. Që përpjekja për ta instrumentalizuar këtë presion diplomatik ndërkombëtar për qëllime të brendshme politike do t’u kthehet në bumerang. Si shembull konkret nga kjo mundësi mund ta marrin qeverinë aktuale. Ato mund edhe të përfitojnë taktikisht nga vështirësi të tilla. Por do të humbin strategjikisht në planin afatgjatë. Po ashtu, ato kanë përgjegjësi politike, morale dhe shtetërore për t’ia lehtësuar barrën Kosovës nga ky lak që i është vënë në qafë, sepse në fund të fundit ato vetë janë pajtuar për një marrëveshje të tillë që e lëndon tej mase funksionalitetin e brendshëm të shtetit.

Dhe në fund ndërmjetësuesit ndërkombëtarë duhet ta kuptojnë se duke ushtruar presion vetëm mbi Kosovën vetëm sa do ta thellojnë krizën. Kosova do kalojë nga njëri ekstrem në tjetrin, por asnjëherë s’do ta gjejë rrugën e stabilitetit të ëndërruar. Kurse dialogu në vend të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, siç ka qenë qëllimi fillestar i tij, do ta ç’normalizojë edhe më tej Kosovën.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!