Nga Sheshi Tahrir tek Trumpi: Nacionalizmi ka rrëmbyer shpresën e popullit

Nga Ece Temelkuran

Mijëra njerëz të mbledhur në sheshin Tahrir në Kajro, këndonin në kor sloganin:”Bukë! Dinjitet! Liri!” Ishte viti 2011, dhe kulmi i Pranverës Arabe. Duke qëndruar mes turmës, mu kujtua një punëtor me moshë mesatare që kisha takuar në Buenos Aires një dekadë më parë, që më tregonte pse ai dhe kolegët e tij, kishin bastisur një fabrikë, gjatë kolapsit ekonomik të Argjentinës.

Ai përjashtoi shkaqe të tilla si uria, varfëria dhe pabarazia. Por pastaj zëri i tij ndryshoi:”Ishte shefi arsyeja. Ai nuk na tha kurrë mirëmëngjes, dhe kjo e shkatërron dinjitetin e njeriut”. Dinjiteti është një fjalë e rrëshqitshme, dhe gati e pakapshme, një koncept që duhet të vihet në një kontratë sociale ose të fitojë përfshirjen, si një kërkesë që vjen nga një lëvizje e re politike. Megjithatë, është fjala që pasqyron më mirë atë se si vështirësitë ekonomike që lidhen me mbijetesën, nuk janë gjëja e vetme që i zemëron njerëzit e varfër.

Të qënit i shpërfillur, i tallur dhe i privuar nga gjurmët e fundit të njerëzillëkut, e bën më të vështirë përballimin e pasojave fizike të varfërisë së përditshme. Këtë ma ka mësuar një nënë e ve me 4 fëmijë, që jetonte në një nga lagjet më të varfra në Stamboll, në një kodër me pamje nga Ura e Bosforit.

Ajo nuk ishte e zemëruar, kur më tregoi se disa netë me rradhë fëmijët e saj shkuan të flenë pa ngrënë, por kur kujtonte sarkazmën e shefit të saj në punë që i tha:”E pse ankoheni kaq shumë, kur e keni shtëpinë me pamje nga deti?!”. Pas kësaj batute, ajo u largua nga puna, duke i thënë:”Është e vërtetë, ne gërmojnë thellë në det, për të gjetur dhe ngrënë bukë”

Sheshi Tahrir në Kajro, Parku Gezi në Stamboll, dhe Puerta del Sol në Madrid: shumë kohë më parë këto vende, dhe vende të tjera ishin vende të protestës, por edhe shpresës për lëvizje radikale demokratike, që donin të riformësonin politikën dhe të rivendosnin dinjitetin e njerëzve.

Ata u shtypën, ose u përthithën dhunshëm në politikën globale konvencionale. Tani sërish, miliona njerëz anembanë botës janë duke protestuar. Por gjendja e tyre shpirtërore dhe mesazhi që japin ka ndryshuar. Këtë herë ata po kërkojnë respekt për “të vërtetat” e tyre, dhe zgjedhjet e tyre politike përçarëse.

Beteja për dinjitet, është zëvendësuar nga një pohim agresiv i krenarisë si komb, ose në një version të veçantë të “popullit”. Midis fjalëve “dinjitet” dhe “krenari” ka një botë në ndryshim, dhe ky ndryshim është në zemër të kaosit global politik dhe moral, me të cilin po përballemi aktualisht.

Nevoja për dinjitet është natyrshmërisht njerëzore, dhe e lidhur me dashurinë tonë për njerëzimin. Nga ana tjetër, krenaria është një fasadë, që ka të bëjë me dëshirën për njohje përjashtuese, dhe një përgjigje ndaj pyetjes se kush është superior ndaj kujt.

Ajo është ndarëse. Por, kur turmat janë shumë të dëshpëruara, për aktorët politikë është e lehtë të zvogëlojnë nevojën për dinjitet njerëzor, me një potere hakmarrëse për krenari. Dhe kjo është ajo që bën populizmi i djathtë.

Është diçka e rrezikshme që një emërim aq i madh publik, po organizohet dhe mobilizohet nga populistët e djathtë dhe autokratët e pamëshirshëm si Donald Trump, Viktor Orban, Rexhep Taip Erdogan në Turqi dhe Jair Bolsonaro në Brazil. Ata u drejtohen gazetarëve, shkencëtarëve dhe institucioneve politike dhe thonë:jemi të vemit që kemi qenë të shqetësuar për dinjitetin e njerëzve.

Këta udhëheqës, dalin zakonisht nga klasa të privilegjuara, por i bëjnë njerëzit të besojnë se do të gjunjëzojnë elitën, dhe do t’i lejojnë njerëzit e zakonshëm të rifitojnë dinjitetin e tyre. Kjo është arsyeja pse në tubimet e Trump dhe demonstratat e Brexit, ne shohim fytyra të vrara nga lufta për mbijetesë, dhe të mbushura me një energji të re.

Këto janë shpirtrat që zbulojnë aftësinë për t’i thënë “jo” një bote, që është zhytur në nënshtrim për dekada me moton kapitaliste:”There Is No Alternative” (Nuk ka alternative). Deri tani, edhe përkrahësit më të paepur të kapitalizmit e dinë se mekanizmat ekonomikë të neoliberalizmit janë jofunksionale, se narrativa e tij kryesore është duke u shkatërruar, dhe se një histori e zymtë nuk mund të prodhojë heronj frymëzues.

Njëherazi, njerëzit në mbarë botën e ndjejnë dhimbjen e dinjitetit të thyer, dhe janë të zemëruar për mashtrimet që u janë bërë. Kjo është arsyeja pse ata entuziazmohen nga mjetet që janë shumë të thjeshta për të qenë të vërteta, për të gjetur objektiva të dukshme për zemërimin e tyre, dhe më e rëndësishmja, për t’u kthyer tek shpresat e rreme.

Ata janë gati të ndjekin heronj të rinj, që u premtojnë atyre madhështi. Të shkojnë pas një heroi, që u kujton atyre fuqinë e tyre njerëzore themelore, që u jep një gëzim kaq të ëmbël dhe bazik, saqë ata janë të përgatitur të bëjnë kompromis me çdo gjë.

E gjitha kjo, ka të bëjë me një pjesë komplekse të shpirtit njerëzor, që sistemi mbizotërues ekonomik e ka anashkaluar për kaq shumë kohë, dhe tani kjo nevojë njerëzore rrezikon sistemin që e ka formësuar atë:Brexit po kërcënon tregtinë e lirë, proteksionizmi i Trump është duke u përplasur me urdhrin e parë të ekonomisë neoliberale, laissez-faire.

Pak udhëheqës, janë përballur hapur me këtë rritje të nacionalizmit dhe të nativizmit. Pak prej tyre janë të gatshëm të flasin aktivisht për mundësinë e një bote më të mirë, për të thënë që kjo është një alternativë, e ndërtuar jo mbi krenarinë hakmarrëse, por mbi dinjitetin njerëzor.

Siç e kemi parë në Turqi , SHBA dhe pjesë të Evropës, populistët e djathtë pengojnë të menduarit racional, dhe aktivizojnë masat për të krijuar lëvizjet e tyre. Ata përfitojnë nga opozita e dobët, duke bërë shaka nervoze rreth udhëheqësve të pamëshirshëm, ata i shkatërrojnë institucionet dhe më në fund riorganizojnë vendet e tyre, për t’iu përshtatur dallgëve të marrëzisë politike.

Dhe kjo është një çështje globale, që ka nevojë për një zgjidhje globale. Mbrojtja e dinjitetit njerëzor nga kërkesa e rrezikshme e populizmit për krenari, ndërsa merret nën kontroll sistemi dominant global ekonomik, do të kërkojë më shumë solidaritet.

“The Guardian” – Bota.al