Politika e jashtme kosovare sot është identike me atë të viteve të 80-ta të shekullit që iku. Asaj kohe kur e gjithë bota perëndimore dhe ajo lindore mallkonte shqiptarët e Kosovës të ishin kanceri i Jugosllavisë së suksesshme dhe multi-etnike të Titos. Kjo madje edhe pas dokumentimit të Gjenocidit mbi ta. Si dhe pse u bë kështu?
Të aftët afirmohen me vepra. Populistët, dështakët, trashëgimtarët, fashistët ngjiten piramidës së pushtetit ose duke përdorur varret e të parëve si shkallë drejt pushtetit ose nëpërmjet difamimit dhe urrejtjes ndaj klasave të caktuara të shoqërisë. Shpifja dhe premtimet në të cilat nuk besojnë as vetë janë armët e tyre me të cilat fitojnë betejën. I fitojnë madje edhe nga dy tri beteja, luftën mirëpo, kështu diktati i historisë, e humbin përherë. Se ç’ndodh gjatë betejave dhe humbjes së kësaj lufte tentojmë ta përshkruajmë këtu. Pra argumentorika formëskeleti e derdhur në këtë tekst u bën portretin dramave që prodhojnë qeveritë populiste dhe ato të arnuara me trashëgimtarë “gjak-kaltër”, dije- e kokëbosh gjatë qenies të tyre?
1.
Pas vdekjes së gjyshit, në fronin e monarkisë franceze u ngjit Luigji XVI. 20-vjeçi i sapodalë nga “faza e idiotësisë” derdhte pasurinë e vendit në vetëm dy sektorë: në orgji dhe ushtri. Sjellja e tij mizore përdhosi masat, të cilat dikur ia prenë kokën monarkisë në Francë. Shpërthyen revolucionet. Në krye të tyre u vu francezi 4 vjet më i ri se mbreti dhe Ati i gjithë Demagogëve të Historisë Maximilien Robespierre. Pasi ky predikonte iluminizëm e ushtronte terror mëtiranshëm se gjithë monarkët bashkë u ekzekutua nga vetë militantët e tij.
Rusët bënin çmos që muzhikërisë stepore t’i ikin duke imituar gjuhën dhe sallonet parisiene të Madame de Pompadour, nga historia e këtyre mirëpo nuk mësonin dot. Të njëjtën histori me një epilog edhe më dramatik për humanitetin e pati edhe “Car Nikola II”. Qindra mijë rusë degjeneruan kufoma gropave të Evropës për shkak të luftërave idiote të “carit”. Në shkurt të vitit 1917 u fik monarkia ruse. Shpërthyen revolucionet. Në krye të tyre u vu Robespierr-i rus: Wladimir Iljitsch Lenin. Se ky nuk pati fatin e francezit dhe vazhdon të toksikojë botën tregon rreshti pasues, i cli na kthen në sot, në Kosovë.
2.
As militanti më fanatik nuk mohon argumentin se “trojka” Kurti, Gërvalla dhe Osmani në pushtet erdhën kryesisht duke kritikuar egër brenda e jashtë qeveritë kosovare. Nuk është se ato nuk bënin gabime – qeveritë e shkuara. Por fakt është se kjo është vepra e vetme e treshes në pushtet. Kurti mori pushtetin duke luftuar shtetin, flamurin, ndërkombëtarët dhe bartësit e saj; Osmani duke luftuar Hashim Thaçin aktualisht në Hagë dhe Donika Gërvalla, duke luftuar të gjithë – e dy të fundit bashkë edhe partinë e vetë. Asnjëri prej tyre nuk doli i idealeve të ndonjë programi të caktuar për përmirësimin e jetës qytetare dhe shtetit. Ato që dje i difamonin si gabime e tradhëti i kanë përvetësuar si vepra pozitive të tyre. Gabimet e reja që bëjnë janë tregjedia e shtetit që drejtojnë. Shumica absolute e aleatëve më besnik të Kosovës shpresojnë largimin sa më të shpejtë tyre. Padrejtësisht – thonë ata. Themi edhe ne kështu. Por kjo leksemë **”padrejtësisht”** a nuk dëshmon padijen tonë të thellë në fushën e diplomacisë? Në diplomaci nuk flitet për (pa)drejtësi. Kush bën kështu është Myshkini i Dostojevskit ose Calibani i Prospero’s. Dy figurat mund t’i përdorësh për ç’të duash, por jo për diplomaci. Ose i përdor kur ke qëllim dëmtimin e shtetit ku cakton diplomate Calibanen.
E Calibanja në këtë kontekst del Donika Gërvalla. Atë në pushtet nuk e solli aq shumë populizmi sa “gjaku i saj blu”. Është trashëgimtare e disidientit Jusuf Gërvalla. çuditërisht asaj nuk iu dha ndonjë dikaster në shenjë respekti e që merret me punë sociale apo si ajo e planifikimit hapësinor, por iu besua ministria e jashtme. Kosova ekziston për shkak të politikës së jashtme të aleatvë, ajo jeton në sajë të politikës së jashtme. E bëri dikush qëllimisht këtë që gjithë kërpeshëshët të mundet t’i ngehr vetë?
3.
Dikush duhet ta emancipojë mentalitetin shqiptar nga hipoteka të ndërtojë “elitat” e saja politike në bazë të linjave të gjakut qoftë ai i kaltër, i kuq apo i tharë. Ky mentalitet duhet të mësojë se kënga e bukur për heroin dhe cilido premtim – biletë për në parajsë nuk mund të jenë programi për zgjidhjen e problemeve të tashmërisë e as qenies sonë nesër. Kjo mendësi e përdhunuar nga sistemet e ideologjitë e shkuara duhet të kuptojë se populizmi qoftë ai nacionalist, religjioz apo kosmopolit është fitili i dështakëve që ndryshe nuk ia dalin të realizojnë veten në këtë botë. Në botën, të cilën në fund përherë e djegin.
Aleatët nuk u detyruan t’ia kthejnë shpinën Kosovës se e duan Serbinë më shumë, porse kjo qeveri s’di të flas e punojë me ata. Padija ta deformon subjektin të duket si Arrogance vetë dhe detyron tjetrin të të perceptojë si armik të asaj që ata ndërtuan me bomba, diplomaci dhe durim, shumë durim. Ky mentalitet duhet të kuptojë se fatkeqësia e tyre aktuale është produkt i të zgjedhurve të tyre të paditur, të papërgatitur dhe jo afinë për qeverisje.
4.
Përkundër kritikës lartë që shumëkujt mund t’i duket e ashpër, le ta bëjmë kredo shpresën e e disa prej militantëve të të apostrofuarve, të cilët ende nuk dorëzohen dhe besojnë në korrigjime dramatike në favor të Republikës, qoftë edhe duke dorëhequr ca prej primatëve të tyre. Në të kundërtën do vazhdojmë të jemi aktorë të prepotencës qeveritare karshi impotencës opozitare deri sa të bëhet edhe më keq. Mund të bëhet poaq keq saqë të na heqin jo vetëm gurrin me gjakun e tharë të Nënësh Pashke, por duke na larguar gjithë gurrët që ndajnë Kosovën nga ish gjenociduesi i saj.